E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrahin e kanosin me armë mjekun rojë, dy të arrestuar në Vlorë

Policia e Vlorës

VLORE – Rrahin e kanosin me armë mjekun rojë të ambulancës qendrore në Vlorë, arrestohen. Policia bëri të ditur se janë prangosur shtetasit Irfan Dalipaj, 45 vjeç dhe Selim Nexhipi, 25 vjeç, banorë të këtij qyteti. Mësohet se mbrëmjen e kaluar ata kanë goditur dhe kanosur me armë zjarri tip çifte mjekun e rojës së urgjencës në poliklinikën qendrore. Ata e keqtrajtuan pas pretendimit se ai nuk i kishte dhënë ndihmën e nevojshme një fëmije 1 vjeç. Policia mbërriti në vendngjarje pas sinjalizimit të dhënë, arrestoi dy personat, si dhe sekuestroi armën e gjahut e cila mbahej pa leje. Mësohet se dy të arrestuarit kishin shkuar në urgjencë me fëmijën 1 vjeç të Dalipajt, i cili kishte temperaturë të lartë. Mjeku rojë pasi e ka vizituar dhe dhënë ndihmën paraprake fëmijës, i ka kërkuar personave ta dërgojnë në pediatri për një trajtim më të specializuar. Por, sugjerimi i dhënë ka acaruar babain e fëmijës, i cili në bashkëpunim edhe me 25-vjeçarin Nexhipi ka fyer fillimisht mjekun e më pas e kanë goditur atë duke e kërcënuar edhe me armën e gjahut. I gjendur në këtë situatë, mjeku i poliklinikës është detyruar të kryejë denoncim për dy dhunuesit. Mësohet se ai ka deponuar në polici se i kishte kryer të gjitha veprimet për sa i përket ndihmës së parë te fëmija që paraqitej në gjendje të rëndë. Por, babai i fëmijës kishte refuzuar ta çonte në spital, duke i kërkuar mjekut ta mbante dhe ti kryente shërbim gjatë gjithë natës. Punonjësit e spitalit dhe të poliklinikave shpesh bien pre e dhunës së familjarëve të pacientëve pas pretendimeve të tyre për neglizhencë apo se nuk po jepet mjekimi i duhur. Të arrestuarit akuzohen për goditje për shkak të detyrës dhe mbajtje e armës së zjarrit pa leje. Policia i ka marrë në pyetje për veprën e kryer, por ata kanë pretenduar se mjeku rojë nuk i kishte bërë shërbimin e duhur fëmijës që ishte në gjendje të rëndë.       q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›