Arrestohet 25-vjeçari, qëlloi me grushte policin dhe dhunoi një banesë
Tiranë, 30 gusht, NOA Një ndjekje si në filmat policeskë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Tiranës. Adrian Foti Levanti është bërë protagonist i ndjekjes së policisë pas një sherri që ai ka bërë me disa punonjës të uniformave blu.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë se 25-vjeçari Levanti ka goditur me grusht një efektiv të policisë në rrugën Haxhi Hysen Dalliu.
Pas goditjes së policisë, Levanti është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që kolegët e efektivit të sulmuar kanë nisur ndjekjen e 25-vjeçarit.
Levanti ka hyrë në një banesë të zgjedhur rastësisht në atë lagje. Por pasi oficerët e policisë kanë rrethuar godinën, ai është hedhur nga dritarja duke thyer xhamat.
Pasi ka ecur dhe për disa sekonda me vrap, 25-vjeçari është kapur nga forcat e policisë.
a.k/NOA