Arrestohet 46-vjeçari, prostituoi një shtetase në Itali
Arrestimi i tij u bë, sepse ky shtetas dyshohet se në muajin Gusht të vitit 2009, ka trafikuar në Udine të Italisë, për qëllime prostitucioni një 23 vjeçare nga Tirana, të cilën e ka shfrytëzuar përreth 4 muaj. Procedimi penal në ngarkim të 46 vjeçarit ka filluar pas dhënave të siguruara nga seksionit i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme e më pas kallëzimit penal të deponuar edhe nga vetë e dëmtuara, e cila deklaron se në muajin gusht të vitit 2009, shtetasi i lartpërmendur e ka marrë duke e trafikuar atë, nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë. Kapja e tij u realizua në ambientet e një lokali në qendër të Kombinatit në Tiranë, falë një operacioni të mirëorganizuar. Pas një pune hetimore të specializuar përreth 3 muaj investigimi dhe ndjekje, seksionit i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, arriti të provojë aktivitetin kriminal të shtetasit Agim Imeri, provat të cilat bënë të mundur finalizimin me sukses të arrestimit të tij. Gjatë kontrollit të banesës së tij, në cilësinë e provës materiale u gjendën një pistoletë kalibër 9 mm si dhe shumë fatura dhe korespondencë bankare që i dërgonte nga Italia për në Shqipëri, në kohën kur kryente këtë aktivitet kriminal.