E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fisher: Shqipëria në një pikë kritike, të nis dialogu

Profesor Fisher i Universitetit të Indianës në Fort Uejn, vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por tha se vendet që e mbështetën këtë anëtarësim duket se kanë pësuar një farë zhgënjimi pas zhvillimeve politike të kohëve të fundit.“Mendoj se marrëdhëniet aktuale mes dy partive kryesore janë më të vështira se asnjëherë më parë. Jam veçanërisht i shqetësuar për të atë që nuk mund të cilësohet ndryshme përveçse gjuhë urrejtjeje nga të dyja partitë kryesore, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqjen e tyre. Që demokracia të funksionojë duhet të kesh një opozitë, përndryshe do të ishte vetëm një parti që krijon rregulla nga të cilat do të përfitonte ai institucion”, tha ai në një intervist për sesionin shqip të Zërit të Amerikës.Profesor Fisher mendon se bojkoti i opozitës nuk do të jetë efektiv, ndërsa kriza politike mund të zgjidhet vetëm nëse të dyja partitë kryesore politike bëjnë një kompromis.“Më konkretisht unë mendoj se partia në pushtet, qeveria Berisha duhet të marrë seriozisht në konsideratë hapjen e kutive të votimit, rishqyrtimin përmes një komisioni parlamentar të zgjedhjeve të fundit dhe mendoj se Partia Socialiste duhet ta shqyrtojë me seriozitet t'i japë fund bojkotit dhe të hyjë në Parlament. Bojkoti mund të kishte qenë efektiv për dy javët e para ndoshta, si gjest simbolik. E dimë që kryeministri Berisha, nuk para u përgjigjet këtyre lloj sinjaleve, por komuniteti ndërkombëtar mund të kishte reaguar dhe me siguri do ta kishte lënë Partinë Socialiste moralisht në një pozitë të favorshme. Tani bojkoti vetëm po shkakton dëme”, u shpreh ai.Pyetjes së bërë, që partia në pushtet të vendosë për hapjen e kutive në mënyrë që Partia Socialiste të hyjnë në parlament, Fisher iu përgjigj: Nuk besoj se do të funksionojë kështu, pasi do të shihej si tërheqje e një partie para kërkesave të tjetrës. Mendoj se mënyra më efektive në këtë rast do të ishte që të dyja palët të bënin lëshime në të njëjtën kohë, që të mos duket se njëra po dorëzohet para tjetrës. Do të ishte mirë që udhëheqësit e dy partive të takoheshin dhe të punonin për një zgjidhje të mundshme, ku të dyja palët të deklarojnë njëkohësisht për ngritjen e një komisioni parlamentar, hapjen e kutive dhe hyrjen e deputetëve socialistë në parlament.“Mendoj se Shqipëria është në një pikë kritike kthese, veçanërisht marrëdhënia me Bashkimin Evropian. Deklaratat e muajit të fundit të Bashkimit Evropian kanë qenë të forta dhe mendoj se thirrjet prapa skenave janë edhe më të forta, duke pasur parasysh që Bashkimi Evropian ka prirjen t'i paraqesë më të zbutura kërkesat e tij në publik. Pra gjendja për Shqipërinë është kritike. Nëse ky problem nuk zgjidhet shumë shpejt, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian do të ndërlikohet seriozisht. Do të doja të përmendja që më parë fola për disa nga zhvillimet pozitive përsa i takon zgjedhjeve dhe klimës së biznesit. Mendoj se ngecja do të thotë në thelb një hap prapa. Pra kjo është një periudhë kritike dhe kërkon pjekuri nga ana e udhëheqësve politikë të Shqipërisë por fatkeqësisht ajo nuk është shfaqur, të paktën dy muajt e fundit”, tha gjithashtu studiuesi i njohur i historisë shqiptare.                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›