Tropojë, dëbora bllokon akset rurale
Sipas nën prefektit të Tropojës, Syl Smajlaj trashësia e borës në qytetin e Bajram Currit arrin në rreth 15 centimetra, ndërsa në zonat e thella ajo arrin në mbi 50 centimetra. “Po punohet që të mundësohet zhbllokimi i situatës në akset rrugore ruralë, megjithë vështirësitë që paraqiten pasi ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale nuk ka mjete të sajat në dispozicion”, tha nënprefekti i Tropojës, Syl Smajlaj. Duke folur për situatën e qarkullimit rrugor, Smajlaj bëri të ditur se gjitha akset rrugorë nacionalë të këtij rajoni janë të kalueshme por lëvizja në to mund të kryhet vetëm me zinxhirë.Sipas tij, vështirësi më të mëdha për lëvizjen e mjeteve paraqesin akset rrugore Fierzë-Qafë Mali dhe Bajram Curri-Krumë, veçanërisht në qafën Luzhës, si rrjedhojë e borës dhe akullit të krijuar. “Aksi kryesor rrugor Qafë Morin-Bajram Curri-Fierzë nuk është bllokuar për asnjë moment, ndërsa për mbajtjen e tij nën kontroll po punohet me borëpastruese si dhe me hedhjen e kripës në të gjithë trasenë e rrugës” sqaron Smajlaj. Pavarësisht borës dhe temperaturave mjaft të ulta të këtyre ditëve, furnizimi pa ndërprerje me energji elektrike i konsumatorëve ka lehtësuar vështirësitë e krijuara gjatë këtyre ditëve. Burime nga policia rrugore informojnë se përgjatë këtyre ditëve nuk është shënuar asnjë aksident automobilistik në akset rrugore të këtij rrethi.