E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 53-vjeçari, vrau një person dhe plagosi një grua



Forcat speciale kanë arrestuar Reshit Adrin, personin që vrau një person dhe plagosi një tjetër në fshatin Podgorie të Korçës. Rreth paradites së ditës së djeshme u bë i mundur arrestimi i 53-vjeçarit, i cili ishte fshehur në një pyll afër fshatit. Në momentin e arrestimit, Reshit Adrit iu sekuestrua një granatë dore, një automatik kallashnikov, me të cilin një ditë më parë kreu vrasjen në fshatin Podgorie, si dhe një çantë me fishekë. Ai ishte rrethuar nga forcat e policisë së Korçës dhe ato të RENEA-s, pas ngjarjes së ditës së hënës në mbrëmje, ku humbi jetën i afërmi i tij, Lulëzim Lazi, si dhe u plagos Shpresa Cocka. Sipas burimeve nga policia, negociatat me të shumëkërkuarin kanë vazhduar gjatë gjithë natës, pasi ai kishte marrë me vete edhe armatim për t’u mbrojtur nga policia. Por vetëm paraditen e ditës së djeshme u arrit që pas një operacioni, ai të arrestohej nga forcat speciale.

Sipas burimeve nga policia, Adri vuante nga një depresion i thellë mendor pas vetëvrasjes së djalit të tij, pak kohë më parë. Ai vrau një të afërmin e tij pasditen e së hënës me kallashnikov, ndërsa ishte në gjendje të dehur. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 të së hënës, në fshatin Podgorie. Reshit Adri, banor i këtij fshati, ka dalë në gjendje të dehur dhe i armatosur me një kallashnikov ka nisur të qëllojë në ajër.

Por më pas, ai ka ulur armën, duke lënë të vdekur me katër plumba një të afërmin e vet, 41-vjeçar. E plagosur ka mbetur edhe një banore e këtij fshati, Shpresa Cocka, e cila po kalonte aty pranë.

Banorët e fshatit kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje rreth 30 minuta më pas, duke u vënë në kërkim të 53-vjeçarit Adri, i cili ishte larguar në drejtim të malit më të afërt të zonës. I ndjekur nga blutë, ai ka vazhduar të qëllojë drejt tyre, ndërsa me dhjetëra efektivë kanë mbërritur edhe nga rrethet fqinje për të bërë të mundur arrestimin e autorit. Operacioni për kapjen e Reshit Adrit, pas vrasjes së 41-vjeçarit Lulëzim Laze dhe plagosjes së një shtetaseje tjetër, është drejtuar nga kreu i policisë së qarkut të Korçës, Emir Vata. Adri është strehuar në një mal pranë fshatit të tij, ndërsa ka pasur shkëmbime të shumta zjarri për më shumë se një orë kundër policisë.

Kjo e fundit i ka bërë thirrje të dorëzohet, ndërsa ka kërkuar dhe të negociojë për të mos shkaktuar dhe viktima të tjera. Operacioni i arrestimit të Reshit Adrit ka vazhduar gjatë, ndërsa janë kërkuar dhe përforcime nga forcat RENEA, të cilat janë nisur me urgjencë në drejtim të juglindjes nga kryeqyteti. Vetëm paraditen e djeshme, pas disa orë ndjekjesh dhe pune profesionale policore, i rrethuar nga forcat e policisë dhe të forcave të RENEA-s, është bërë i mundur neutralizimi dhe kapja e tij, në vendin e quajtur Korije e Vakëfit, në afërsi të fshatit Podgorie.

Nëntor, vetëvritet djali 19-vjeçar i Reshit Adrit

Dy muaj më parë, djali i të arrestuarit Reshit Adri kishte vrarë veten me armë zjarri gjatë shërbimit. Ngjarja ndodhi më 12 nëntor të vitit të kaluar, ku i riu ishte duke kryer shërbimin ushtarak. Burimet nga policia thanë se 19-vjeçari u gjet i pajetë në kabinën që shërbente si vendroje, ku ai qëndronte gjatë shërbimit, ndërsa mbi trupin e tij ndodhej arma e zjarrit automatike e shërbimit, me të cilin ushtari kishte qëlluar veten. Gëzim Adri kishte rreth pesë muaj që shërbente si ushtar. Vetëvrasja e 19-vjeçarit është kryer në sytë e kushëririt të tij, me të cilin atë natë ishte në shërbim. Sipas policisë, e dhëna e vetme ishte se i riu pak para vetëvrasjes kishte marrë një telefonatë nga familja e tij. Më pas ai është vetëvrarë, duke lënë shumë dyshime në lidhje me arsyet se pse e kreu këtë veprim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›