PS-ja i di zgjidhjet, por nuk na i tregon!
Partia Socialiste nuk do të publikojë programin e saj me shumë gjasa deri në fillimin e fushatës elektorale, me një motivacion qesharak nëse do të ishte i vërtetë dhe jo spekulim mediatik. Për të mos ndërtuar një analizë të gabuar, po citojmë premisën nga e cila do të nisim këtë qasje, e cila urojmë të mos ketë për bazë një argument të vërtetë, siç mëton “Shekulli” teksa thotë: “Burime brenda Partisë Socialiste, të cilët janë marrë me hartimin e këtij dokumenti, bëjnë të ditur për gazetën se shkaku kryesor i mospublikimit të tij lidhet pikërisht me frikën e kopjimit të tij nga kundërshtarët politikë, pra marrja e ideve dhe zgjidhjeve konkrete për çështje të ndryshme”. Nëse argumentet që serviren nga zyrtarët e PS-së për mospublikimin e programit janë kaq groteskë, kuptohet se ku mund të shkojë fantazia për përmbajtjen e programit. Trajtimi i opozitës si një kioskë e prodhimit të ëmbëlsirave që ruan sekretin e formulës përkundrejt operatorëve të tjerë në treg është një orientim infantil mbi politikën. Roli i alkimistit që ka në duar të vërtetën mbi gjërat dhe zgjidhjen e përjetshme të problemeve nuk mund t’i shkojë një operatori politik, aq më pak në këto kohë. Opozita është aktor politik publik dhe si e tillë programin e saj duhet ta ketë publik. Fakti se konkurrentët e saj mund të kopjojnë zgjidhjet që ofron ajo, nuk duhet të jetë frikë, por këmbëngulje që një gjë e tillë të ndodhë. Eficenca e një opozite matet me zgjidhjet që ofron përgjatë oponencës dhe sa prej këtyre zgjidhjeve diktojnë vendimmarrjen e mazhorancës. Nëse opozita konstaton zgjidhje jo të mira të qeverisë për çështje të caktuara dhe nuk publikon alternativën e saj, atëherë logjika formale thotë se është bashkëpunëtore e qeverisë, përderisa nuk propozon zgjidhjet. Qytetarët e votojnë opozitën si potencial qeverisës dhe si një pararojë që nuk lejon mazhorancën të gabojë, me anë të instrumenteve që ka në dorë. Sjellje të tilla me letra që tunden me të madhe duke thënë se e kanë zgjidhjen, por nuk jua tregojmë, ndërmendin ato veprimet e nxënësve të fillores që fshehin detyrat se mos i kopjojnë shokët.
Argumenti i dytë që kompetentët e PS-së servirin nukse është vetëm qesharak si i pari, por edhe i rrezikshëm për arsyet që do t’i rendisim në vijim. Shekulli thotë: “... Zëra kompetentë brenda selisë rozë konfirmojnë se PS-ja nuk ka asnjë arsye të nxitojë në këtë drejtim, pasi në rast se programi do të publikohej që në shtator ashtu siç edhe ishte deklaruar që më parë, atëherë ai deri në zgjedhjet e qershorit do të ishte konsumuar nga sulmet e kundërshtarëve...” Çfarë do të thotë kjo, se Edi Rama do të propozojë rrufeshëm në vetëm 30 ditë zgjidhjet e tij për katër vjet mandat qeverisës? Programi qeverisës duhet të diskutohet dhe negociohet gjatë me grupet e interesit dhe të gjithë faktorët socialë, kulturorë dhe ekonomikë të një shoqërie. Programi nuk është shpallje shpëtimi që ngjizet në formën e relevancës tek një individ i caktuar, por një dokument publik që duhet të marrë miratimin e shoqërisë pasi të ketë pasur kohë të mjaftueshme për ta gjykuar. Nëse qytetarët nuk do të kenë kohë për t’u njohur me programin e Edi Ramës, do të thotë se ata duhet të operojnë me besimin si mekanizëm që i përket religjionit, jo me arsyen si mekanizëm politik për të zbërthyer përmbajtjen e një dokumenti të caktuar. Pra ne duhet të besojmë tek vizioni i Edi Ramës pa pasur mundësinë të arsyetojmë mbi programin e tij. Me pak fjalë të rikthehemi në epokën parakarteziane dhe të pranojmë shpalljen e mbretit të plotëfuqishëm. Kjo qasje politike është e rrezikshme dhe reflekton tendencat totaliste të Edi Ramës, i cili demokracinë nuk e sheh si negocim dhe konsultim të vazhdueshëm, por si një ndeshje shpalljesh profane, ku fiton ai që ka më shumë mekanizma mediatik për të fituar bindjen e njerëzve. Paksa vonë për orientime të tilla politike.
Artikulli vijon më tej; “ndërkohë, një arsye tjetër mësohet të jetë edhe fakti se një program politik dhe qeverisës, përveçse është një përmbledhje e ideve, në vetvete është dhe një reflektim mbi gabimet që bën qeveria në pushtet...” Kinse arsyeja e fundit shpreh mediokritetin e plotë të atyre që kanë urdhëruar këtë shkrim në gazetën “Shekulli”. Pra, Partia Socialiste ka një program, sepse një të tillë ka qeveria. Nëse PD-ja nuk do të kishte një program, PS-ja nuk kishte mbi çfarë të reflektonte, pra programi i Partisë Socialiste është i kushtëzuar nga alternativat e Partisë Demokratike. Me pak fjalë ne kemi këtë alternativë, sepse ata kanë atë alternativë, nëse ata nuk do të kishin në zgjidhje, edhe ne nuk do ta kishim. Kjo po që është qesharake. Edhe fëmijët e dinë se programi qeverisës i një partie politike hartohet bazuar mbi një doktrinë politike e cila i jep formatin principial programit dhe më pas detajohet nga ekspertiza teknike që u referohet çështjeve konkrete dhe qëndrimit të partisë ndaj zgjidhjeve të këtyre çështjeve. Programi nuk është më i tillë nëse niset nga premisat që ne kemi këtë për shkak se ata e kanë në një formë tjetër. Kjo është lojë populiste për të manipuluar opinionin publik dhe për të dalë nga ngërçi i të mos pasurit një alternativë të qartë dhe të dokumentuar, e cila të jetë bërë pronë publike. Artikulli thotë se programi është hartuar bazuar mbi idetë e marra në “Dialogun me Shqipërinë” dhe nga fabrika e ideve “Qemal Stafa”, as më pak dhe as më shumë se ajo që bënte Partia e Punës me organizatat bazë të Partisë. Programi qeverisës nuk mund të jetë fryt i takimeve popullore nëpër sheshe, por pasojë e nivelit më të lartë të ekspertizës. Arsyeja që Edi Rama shpik argumenta të paqenë për të mos publikuar programin, është fakti se një i tillë nuk ekziston. Tashmë është e qartë që jemi të dënuar për të mos pasur opozitë.