Arrestohet 57-vjeçari pedofil, tentoi të përdhunojë një të mitur
ELBASAN/ Hekur (Arif) Kapinova ishte dënuar më pare për vjedhje dhe marrëdhënie seksuale me të mitur
ELBASAN - Një pedofil ka rënë në prangat e policisë pasi ka kryer veprime të turpshme ndaj një të mituri duke tentuar edhe ta përdhunojë nën kërcënimin e një thike.
Sektori kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Hekur (Arif) Kapinova me banim në fshatin Selvias në komunën Mollas, i dënuar më parë për vjedhje dhe marrëdhënie seksuale me të mitur.
Arrestimi i tij u bë pas denoncimit të një të mituri, ndërkohë që ndaj tij është ngritur akuza e "kryerjes së veprimeve të turpshme".
Ngjarja
Burime nga policia bëjnë të ditur se dy ditë më pare, 57-vjeçari ka qenë në fshatin Dushk të Belshit kur ka hyrë në oborrin e shtëpisë së një banori të fshatit. Në banesë ndodhej vetëm një i mitur. 57-vjeçari i është lutur të voglit duke i thënë se ishte sëmurë, pa shtëpi, dhe donte të rrinte pak tek shtëpia e tij.
Kur fëmija e ka lënë të futet në banesë, ai e ka kërcënuar me një thikë duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Burri ka kryer veprime të turpshme ndaj të miturit dhe pasi fëmija ka mundur t'i shpëtojë duke ulëritur, 57-vjeçari ka dalë me shpejtësi nga banesa dhe është larguar. Menjëherë fëmija i alarmuar ka lajmëruar fqinjët dhe këta të fundit kanë telefonuar policinë.
Arrestimi
Efektiva të shumtë kanë mbërritur në fshatin Dushk të Belshit dhe janë vënë në kërkim të shtetasit 57-vjeçar.
Vetëm pak orë pas largimit të tij, mjaft efektiva kanë bërë të mundur arrestimin teksa largohej për në fshatin tjetër afër Dushkut. Pas një pune të mirorganizuar është prangosur dhe shtetasi që mësohet se do të duhet të përgjigjet aktualisht për "vepra të turpshme" ndaj të miturit.
Po pritet që akuzat ndaj tij të shtohen duke përfshirë edhe tentativën për veprime homoseksuale. Sipas të dhënave nga dëshmia e fëmijës, burri ka kryer veprime të turpshme duke e prekur dhe thënë fjalë të turpshme.
Autori i kësaj vepre është marrë në pyetje në komisariatin e policisë Elbasan. Mësohet se është duke u ekzaminuar gjendja e tij psikike. Fakti që ai është dënuar më parë për vjedhje dhe marrëdhënie seksuale me të mitur e kanë rënduar edhe më tepër pozitën e 57-vjeçarin. Burime nga policia bëjnë të ditur se ai konsiderohej si një njeri me probleme dhe i padëshiruar nga banorët e zonës.