E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat false, goditet grupi i dytë

Një tregtar dhe një noter merren të pandehur të dyshuar si të përfshirë në falsifikime të dokumenteve shkollore


Tre persona u arrestuan nga policia gjatë operacionit me urdhër të prokurorisë ndërsa dy të tjerë do hetohen në gjendje të lirë


TIRANË- Policia e Tiranës godet një bazë të falsifikimit të dokumenteve të ndryshëm, ndërsa dërgoi për ndjekje penale pesë persona, ndër ta tre të arrestuar dhe dy do hetohen në gjendje të lirë.


Gjatë operacionit të koduar "Porta e mbyllur", Antikrimi Ekonomik, i Policisë së kryeqytetit arrestuan në flagrancë, me urdhër të Njësisë së Task- Force, disa persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh shkollore, si diploma, dëftesa si dhe leje drejtimi për automjetet.


Nazmi Meta, 38 vjeç, tregtar, Naim Gjoshi, 38 vjeç, i shoqëruar disa herë në polici për falsifikim dokumentesh dhe Mariglen Nikaj, 51 vjeç, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh, të tre banues në Tiranë.


Arrestimi i këtyre personave, u konfirmua dje nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet Pandi Prifti, 66 vjeç, me detyrë noter dhe Shaniko Hadaj, 26 vjeçe, nga Tirana, me profesion përkthyese.


Sipas burimeve zyrtare të policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me noterin dhe përkthyesen, dyshohet se siguronin dokumente të falsifikuara, si diploma, dëftesa, lejë drejtimi për automjete, siguracione. Mësohet se dokumentet bëheshin kryesisht për personat që ishin të interesuar të studionin jashtë Shqipërisë.


Nga hetimet paraprake të Policisë së Tiranës, dokumentet përktheheshin, noterizoheshin pa qenë prezent personat e interesuar, duke shkelur sipas policisë aktet normative për ushtrimin e profesionit të noterit.


Pas një hetimi disa mujor të Njësisë së Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës dhe zyrës së Antikorrupsionit në Policinë e kryeqytetit, dyshohet se tre personat e arrestuar me bashkëpunëtoret e tyre noterizonin dhe legalizonin dokumente të ndryshme kundrejt shumës së parave që varionin nga 300 euro deri në 1000 euro.


Aktivitetin e falsifikimit dhe noterizimit të dokumenteve personat e arrestuar dhe ato të marrë në hetim e kryenin pranë bllokut të ambasadave, kryesisht pranë Ambasadës Italianë në Tiranë.


Policia ka sekuestruar si provë materiale dëftesa të plotësuara dhe të noterizuara, leje drejtimi për persona të ndryshëm, listë notash e plotësuar si dhe disa dokumente të tjera. Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet se Naim Gjoshi ishte personi kryesor që arrinte të kryente falsifikimin e disa dokumenteve, ndërsa dy të tjerët kryenin rolin e sekserit, duke gjetur persona të ndryshëm.


Policia po heton për të zbuluar bazën e falsifikimit, ndërkohë që të arrestuarit janë shprehur se procedura e aplikimit për në ambasadë ka qenë e rregullt. Këta të fundit, nuk kanë rrëfyer për vendin se ky bëhej falsifikimi i gjithë dokumenteve.


Hetimet do të vazhdojnë nga Njësia e Task- Forcës në Policinë e Tiranës për veprat penale të "ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike", "falsifikim dokumentesh" dhe " Mashtrim në bashkëpunim".


Të arrestuar:


Nazmi Meta, 38 vjeç, nga Tirana, tregtar
Naim Gjoshi, 38 vjeç, nga Tirana,
Mariglen Nikaj, 51 vjeç, nga Tirana,

Do të hetohen në gjendje të lirë
Pandi Prifti, 64 vjeç, banues në Tiranë, me profesion noter,
Shaniko Hadaj, 26 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion përkthyese

Materialet e falsifikuara
Dëftesa të plotësuara dhe të noterizuara
Leje drejtimi për persona të ndryshëm
Formularë, siguracione
lista notash të plotësuara

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›