E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Bleonës, vetëm dyshime pa asnjë gjurmë

Kukës - Një muaj pas zhdukjes së vajzës 6 vjeçare Bleona Mata, ende nuk ka ndonjë gjurmë për zhdukjen e saj. Ndërkohë që specialistë të Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit janë ngjitur të martën në fshatin Zapod. Në përbërje të këtij ekipi dhe që e ka kryesuar atë ka qenë Sokol Bizhga.


"Policia po kryen detyrat e saj të lëna nga grupi i hetimit lidhur me këtë çështje", theksoi Anton Martini, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, i cili kryeson grupin e hetimit lidhur me zhdukjen e vajzës 6-vjeçare.


Ndërkohë, sipas prokurorit Martini, megjithëse po hetohet në disa pista, ende nuk ka asnjë fakt që do të çonte në zbulimin e ngjarjes lidhur me vajzën e zhdukur më 22 maj të këtij viti.


Një funksionar në policinë e Kukësit, i cili nuk dëshiron të identifikohet thotë se rasti "Bleona" ka qenë kronikë e një rrëmbimi të paralajmëruar, pasi në Kukës janë regjistruar edhe më parë rrëmbime fëmijësh dhe nuk janë hetuar, por janë mjaftuar me gjetjen e fëmijës.


Në gusht të vitit të shkuar në qytetin e Kukësit, ndodhi një ngjarje që asokohe u emërtua si e pazakontë. Një fëmijë 9-vjeçar rrëmbeu një foshnjë 4-muajshe në shtëpinë e saj, por që u zbulua më pas nga policia.


Policia dyshoi asokohe se kishin të bënin me një grup të organizuar kriminal që tentojnë apo janë marrë me trafikimin e foshnjeve, ku kokat e trafikut përdorin elementë të inkriminuar përfshi adoleshentë, madje edhe fëmijë.


Megjithatë edhe rreth një vit pas kësaj ngjarjeje, përveç hetimeve të nisura ende nuk ka asnjë autor apo person tjetër të përfshirë në rrëmbimin e foshnjës 4-muajshe. Dhjetë ditë pas zhdukjes misterioze të vajzës 6-vjeçare, Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë ka marrë në dorë hetimin e çështjes së zhdukjes së Bleona Matës.


Prokurori i çështjes, i shoqëruar nga drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, Nikolin Bala, zbarkuan në Kukës dhe më pas në qytetet e Prizrenit dhe Sharrit në Kosovë.


Ata u takuan e biseduan me homologët e tyre për kërkimet brenda territorit të Kosovës, por ende nuk ka asnjë gjurmë të vajzës së mitur edhe pas vendosjes së këtyre kontakteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›