Gjykata e Korçës liron nga burgu kancelarin e saj

VENDIMI/ Shkëlqim Kajmaku dhe Arben Hoxha do të qëndrojnë në shtëpi deri në mbyllje të hetimeve
KORÇË - Gjykata e Korçës ka vendosur lirimin nga burgu dhe lënien në "arrest shtëpie" për kancelarin e saj, Shkëlqim Kajmaku, të arrestuar tri ditë më parë nga policia, si dhe për shefin e personelit të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, Arben Hoxha.
Të dy të pandehurit ishin të akuzuar për "ushtrim ndikimi të paligjshëm tek persona që kryejnë funksione publike". Vendimi për këtë masë sigurie u mor nga një gjyqtare e Gjykatës së Korçës.
Nga ana e akuzës u kërkua që dy zyrtarët, Shkëlqim Kajmaku dhe Arben Hoxha, të qëndronin me masën e sigurisë "arrest në burg" deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, nga mbrojtja u kërkua hetimi i tyre në gjendje të lirë.
Akuza e ngritur ndaj kancelarit të kësaj gjykate dhe shefit të personelit të burgut Drenovë ishte "ushtrim ndikimi i paligjshëm tek persona që kryejnë funksione publike".
Prokurori i çështjes, Elsion Sadiku, paraqiti materialin hetimor që ka çuar dhe në arrestimin në flagrancë të dy zyrtarëve.
Sipas tij, shtetasi Kristaq Kafexhiu ka pasur një konflikt pronësie trualli me dy qytetarë të tjerë korçarë, me një prej të cilëve kishte lidhur edhe kontratë që duhej të përfitonte një shumë prej 60 milionë lekësh të reja.
Kafexhiut i është kërkuar, sipas prokurorit, një shpërblim prej 300 mijë lekësh të reja për ta ndihmuar, ndërsa ky ka premtuar 500 mijë lekë në rast se i zgjidhin në kohë hallin e tij me nxjerrjen e shpejtë të një urdhër ekzekutimi në gjykatë.
Midis Kafexhiut dhe Arben Hoxhës ka rezultuar se janë shkëmbyer disa biseda telefonike, nëpërmjet të cilave shefi i personelit të burgut i ka kërkuar të shkojë në gjykatë të marë vendimin dhe njëkohësisht të japë shpërblimin.
Në lëvizje është vënë përgjimi dhe policia ka qenë në dijeni të bisedave telefonike të personave të përfshirë në çështje derisa është përcaktuar vendi ku do të dorëzoheshin paratë e shpërblimit si nder.
Policia arrestoi në flagrancë shefin e personelit të burgut duke marrë paratë, ndërsa siguroi si prova edhe dokumente që kërkoheshin nga I interesuari Kafexhiu, i cili bashkëpunoi me policinë.
Prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës që të depozitohen në prokurori materialet përgjuese pasi, sipas tij, kështu nuk pengohet ecuria e hetimeve, por kjo kërkesë e tij nuk u pranua nga gjykata ashtu si kërkesa për masën e sigurisë "arrest me burg pa afat" të dy zyrtarëve.
Lidhur me vlerësimin e masës së sigurisë për kancelarin e Gjykatës së Korçës nga anëtarë të po kësaj gjykate, bëhet e ditur se sipas ligjit parashikohet se duhet vepruar në një gjykatë tjetër vetëm në rastet e ndalimit të gjyqtarëve apo prokurorëve të një gjykate të caktuar.