Musaku: Kur u vra Ramadan Shkurti, Daja e Selmani me armë në dorë
TIRANË- Seanca e 23 gjyqësore ndaj të pandehurit Aldo Bare ka vazhduar gjatë paradites së djeshme me pyetjen e dëshmitarit të radhës të akuzës, shtetasin Rifan Musaku, i vetmi nga dëshmitarët e paraqitur dje para Gjykatës për Krime të Rënda në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, dëshmitari Musaku përshkroi ngjarjen e fillim korrikut të vitit 1997 të ndodhur në qytetin e Lushnjës, ditë kjo, sipas akuzës, që shënoi edhe fillimin e vrasjeve në Lushnje mes "bandës" së Bares dhe shokëve të Artur Dajës.
Në këtë ditë, sipas prokurorisë, është vrarë vëllai i të pandehurit Bare, shtetasi Ramadan Shkurti dhe miku i familjes së tyre shtetasi Bardhyl Rabija, ndërsa ka mbetur i plagosur Enver Rabija i cili bashkë me Baren janë larguar nga vendi i atentatit të dështuar ndaj Dajës. "Vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur shkëmbim zjarri jam afruar te vendi ku ndodhej djali i hallës tim i vrarë Genci Kashari.
Ai kishte qenë ulur në një tavolinë me Artur Dajën, Gramoz Selmanin dhe dy persona tjerë. Nuk e di si ishte vrarë, por unë shkova aty e mbështolla trupin dhe e mora duke dërguar te familja për të kryer më pas ceremoninë mortore.
Aty pashë Artur Dajën me armë në dorë dhe pak metra më poshtë një makinë me dyer hapur ku brenda mësova më vonë se ishte vrarë Ramadan Shkurti dhe Bardhyl Rabija. Nuk e di kush i ka vrarë, por përveç Dajës që pashë me armë në dorë ishte edhe shtetasi Gramoz Selmani me një automatik tip "Kallashnikov" në dorë.
E kam marr trupin e Gencit të vrarë dhe jam larguar"-tha ndër të tjera dëshmitari Musaku, i cili hodhi poshtë pretendimet e vetë Selmanit dhënë kohë më parë para Gjykatës, se nuk kishte armë vetë ai në dorë.
Edhe i pandehuri Bare gjatë kohës së dëshmisë së Selmanit, e ka kundërshtuar atë duke i thënë se "edhe ti ke qëlluar ndaj vëllait tim bashkë me Artur Dajën", pretendim që Selmani e mohoi në mënyrë kategorike. Vetë Bare iu drejtua dëshmitarit Musaka duke e pyetur për dëshminë e dhënë në prokurori në fazën hetimore, që sipas dëshmitarit e kishte thirrur policia dhe nuk kishte shkuar vullnetarisht.
Më pas, seanca u ndërpre për shkak se nuk ishin paraqitur dëshmitarët e radhës, për të cilët kryesuesja e pesëshes gjykuese, Fatmira Hajdari, kërkoi shoqërimin e tyre të detyrueshëm nga policia për t'i sjellë në seancën e radhës, dje një javë.