E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Albin Kurti (VIDEO)

(Foto: Vetevendosje) (E plotësuar) Polica e Kosovës e ka arrestuar liderin e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, disa çaste pasi ai ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka njoftuar se organizata e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Policia ka hedhur edhe gas lotsjellës, për të arritur qëllimin e saj. Sipas “Vetëvendosjes”, në aksionin për arrestimin e Kurtit kanë marrë pjesë rreth 40 pjesëtarë të njësisë speciale.

“Policia ka përdorur forcë brutale, çnjerëzore. gjatë hyrjes në selinë e vetëvendosje janë thyer rrethojat e oborrit, kurse aktivistëve që po bënin rezistencë janë goditur me mjete të forta. Është përdorur edhe gas lotsjellës”, i tha Express-it, Glauk Konjufca, njëri nga drejtuesit e “Vetëvendosjes”.

Sipas tij, disa aktivistë të “Vetëvendosjes” kanë pësuar lëndime gjatë përballjes me policët.

Arrestimin e Kurtit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë s Kosovës, Baki Kelani.

“Në orët e pasdites, Policia e Kosovës ka zbatuar urdhërarrestin e lëshuar më herët nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për të sjellë liderin e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, ashtu siç është kërkuar në urdhërarrest”, tha zëdhënësi Kelani, për Express.

Policia thotë se gjatë këtij aksioni, ka hasur në rezistencë të aktivistëve. Me këtë rast, thuhet se disa policë pjesëmarrës në këtë aksion kanë pësuar lëndime trupore dhe se po ashtu janë dëmtuar edhe disa vetura të policisë.

Përpos Kurtit, në arrest janë dërguar edhe pesë aktivistë të tjerë: Sali Zyba, Frashë Krasniqi, Vlorian Mulliqaj, Faton Zeka dhe Nderim Matoshi.

Reporterët e Express-it nga vendi i ngjarjes, gjithashtu tregojnë se kanë parë një veturë të EULEX-it, e cila është rrokullisur pikërisht para selisë së “Vetëvendosjes” në lagjen Pejton të kryeqytetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›