Lazarat, 2,8 tonë marijuanë të bllokuara në 5 muaj
POLICIA/ Burime nga uniformat blu shprehen se pas kontrolleve të shumta, tashmë territori mund të quhet i pastër
GJIROKASTËR - Nga Lazarati përgjatë pesë muajve të parë të këtij viti kanë dalë 2,8 tonë mariuanë, të cilat janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës në 20 operacione antidrogë.
Burime nga kjo polici bëjnë të ditur se gjatë kësaj kohe janë sekuestruar 14 automjete që transportonin lëndën narkotike, ndërkohë që në pranga kanë përfunduar 32 autorë, 11 prej të cilëve ishin nga Lazarati.
Lidhur me faktin se kjo komunë ka rezultuar problematike përgjatë disa viteve është proceduar së pari me bllokimin e mjeteve që dërgonin në Lazarat materiale që shërbenin për të kultivuar bimë narkotike, si pleh organik, baltë e materiale të tjera. 13 kamionë të tillë janë bllokuar në këta pesë muaj të parë të këtij viti.
Gjithashtu një patrullë e përgjithshme kryen shërbim 24 orë në këtë zonë, ndërkohë që 16 punonjës policie kryejnë shërbim në çdo lagje e rrugicë të kësaj komune.
Burimet nga policia e Gjirokastrës shprehen se këtë vit Lazarati ka qenë në qendër të vëmendjes e përgjatë kësaj kohe në të kanë "zbarkuar" ambasadorë, ministra, zv.ministra, deputetë, si dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.
"Gjatë muajit maj janë kontrolluar disa herë të gjitha baçet e çdo kryefamiljari në këtë komunë, ku ka rezultuar se i gjithë territori ishte i pastër dhe është i pastër deri në këto momente", shprehen burimet e policisë së Gjirokastrës. Këto kontrolle pritet të vijojnë deri në muajin shtator.