E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Elvis Roshi, Kavaja në protestë, ndërhyn FNSH

Të tjera rreth shkrimit VD1/ VD2/ Protesta/ VD3/dhunë e shkopinj gome VIDEO/ Rroshi në Tiranë me 2 furgonë të blinduar FOTO/Çfarë ndodhi në Kavajë, tensioni 6 orësh KAVAJE -  Situatë e tensionuar ka mbizotëruar qytetin e Kavajës gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes së sotme. Prej orës 17:00 Kryebashkiaku Elvis Rroshi për më shumë se  dy orë është mbajtur izoluar në komisariatin e Kavajës pas incidentit në stadiumin e  Kavajës gjatë ndeshjes për Superligën mes ekipit të Tiranës- Besës. 6 orë më vonë policia tha se konflikti ka ndodhur gjatë zhvillimit të ndeshjes së super ligës Besa -Tirana, Elvi Rroshi dyshohet se ka qëlluar trajnierin e Tiranës, Nevil Dede, duke e kërcënuar këtë të fundit me jetë. Nevil Dede, ka depozituar pranë komisariatit të policisë së Kavajës, një kallzim penal në ngarkim të kryebashkiakut

Trajneri i ekipit të Tiranës Nevil Dede deklaroi për mediat se ishte qëlluar në pushim të ndeshjes Besa – Tirana në korridorin e dhomave të zhveshjes dhe për këtë ka bërë dhe kallzim penal.

Izolimi i kryebashkiakut në komisariat irritoi banorët e Kavajës të cilët u mblodhën për gati 2 orë para komisariatit duke kërkuar lirimin e Kryebashkiakut të tyre dhe duke thirrur "Turp, Turp, Turp".  Policia e ndihmuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërhynë për të shpërndarë turmën duke përdorur dhunë dhe shkopinj gome. Rreth orës 21: 50 minuta Elvis Rroshi u transportuar drejt Tiranës me dy makina të blinduara. Ndërsa rreth orës 23:00 iu komunikua dhe arrestimi i tij.

23:30 POLICIA DEKLARATE PSE ARRESTUAM ELVIS RROSHIN
Sot, nga sherbimet e Komisariatit te Policise Kavaje u mor masa e arrestit ndaj Kryetarit te Bashkise Kavaje shtetasit Elvis Rroshi, 38 vjec, banues ne Kavaje, per konsumim te veprave penale “Goditjes per shkak te detyres”, “Kundershtim te punonjesve te policise” dhe “Mos bindje ndaj urdherit te punonjesve te policise”. Konflikti ka ndodhur gjate zhvillimit te ndeshjes se super liges Besa -Tirana, ku shtetasi Elvi Rroshi dyshohet se ka qelluar trajnierin e Tiranes shtetasin Nevil Dede, duke e kercenuar kete te fundit me jeten.  Shtetasi Nevil Dede, ka depozituar prane komisariatit te policise Kavaje, nje kallzim penal ne ngarkim te shtetasit Elvis Rroshi.  Nderkohe ne lidhje me kete konflikt i cili ka nisur gjate perfundimit te pjeses se pare, jane arrestuar ne kushtet e flagrances edhe 7 shtetas per konsumim te veprave penale te “Grumbullimit te paligjshem” “Mos bindje nda punonjesve te policise” “Kundershtim te punonjesve te policise”, “mos bindje ndaj punonjesve te policise”, si :
· Abdulla Mersin Tafa, 47 vjec, banues ne Kavaje,
· Astrit Vesel Veliu, 40 vjec, me detyre shofer prane Bashkise Kavaje
· Osman Isuf Tabaku, 56 vjec, Kryeplak
· Gazmend Nevruz Demrozi, 38 vjec, me detyre Drejtor i Policise Bashkiake, prane Bashkise Kavaje
· Shkelqim Abdurraman Nasufi, 28 vjec, punonjes bashkie,
· Erjald Sokrat Kostrica 31 vjec, me detyre elektricist ne Bashki Kavaje,
· Ruzhdi Fejko Aliu, 47 vjec, banues ne Kavaje.
Materialet do t’i referohen Prokurorise se Rrethit Gjyqesor Tirane, per hetime te metejshme ndaj shtetasve te siper cituar.

AVOKATI: ELVIS RROSHI ME THA SE U ARRESTUA ME URDHER TE NOKES, SHEFI I KOMISARITATIT NUK DONTE
Ora 23: 30 Avokati i Elvis Rroshit deklaron se gjatë një komunikimi që ka pasur me Elvis Rroshin ky i fundit i ka thënë se “Arestimi është bërë me urdhër të ministrit të Brendshëm Noka. Madje ka qenë dhe i pranishëm në një debat që ka ndodhur në zyrën e shefit të komisariatit të Kavajës.

“Ka pasur debat në zyrën e shefit të komisarit të Kavajës në prezencë të zotit Rroshi.
Janë shkëmbyer replika të ashpra mes ministrit të Brendshëm, Flamur Noka dhe shefit të komisariatit të Kavajës . Dhe shefi i komisariatit e ka mbyllur telefonin madje ka hedhur telefonin duke e konfirmuar se ai nuk do ta arrestojë kryetarin e bashkisë.”

PRITET FLETEARRESTI PER ELVIS RROSHIN 
Ora 23: 00 Pritet fletarresti për Elvis Rroshin. Avokati i tij konfirmoi se kishte marrë në dorë fletarrestimin e klientit të tij. Ai dyshohet për veprën penale të parashikuar në nenin 237 të Kodit Penal. “Ky nen parashikon goditjen për shkak të detyrës të zyrtarëve të shtetit dhe funksionarëve publik, ndërkohë që Nevil Dede nuk është as zyrtar dhe as funksionar” - tha avokati i tij .

AVOKATI I RROSHIT NE TIRANE: NUK KA KALLZIM PENAL, RROSHI DUHET TE LIROHET
Ora 22:40 Gati 30 minuta më vonë avokati i Elvis Rroshit ka mbërritur në drejtorinë e policisë së Tiranës për të kërkuar të takojë klientin e tij. “Rroshi duhet të lihet i lirë nuk ka asnjë arsye të mbahet në izolim. Rroshi nuk ka bërë asnjë vepër penale që të mbahet i izoluar. Nëse do të ishte i vërtetë kallëzimi i trajnerit, ndërkohë që unë kam informacion se nuk ka kallzim penal, nuk mund të mbahet një njeri i izoluar, aq më tepër një kryetar i bashkisë i cili nuk prezanton asnjë lloj rrezikshmërie. Policia po kryen një shkelje të rëndë. Transportimi me dy furgon policie është për të dëmtuar imazhin”

ALFRED PEZA: RROSHI CLIROI KAVAJEN NGA PENGMARRJA E PD-SE, QEVERIA MORI PENG RROSHIN
Ora 22:00 Alfred Peza, kandidati për deputet i PS-së tha se prapaskena është totalisht politike. “Disa muaj që qeveria e kryeministri janë mobilizuar me të gjithë segmentet për të gjetur shkaqe e sebepe në lidhje me veprimtarinë e Elvis Rroshit. Ai është shpallur kryebashkiaku më i mirë i Shqipërisë për 2012, dihet si e ka menaxhuar situatën dhe është një nga kryebashkiakët që mbëshetetet më shumë nga qytetarët. Ajo cfarë ka ndodhur është sebep i madh politik për të dekurajuar socialistët në prang të zgjedhjeve. Berisha nuk do ia falte kurrë Elvis Rroshit, humbjen pas 22 vitesh të Kavajës, që e konsideronin si bastion dhe e kanë shfrytëzuar dhe e kishin marrë peng. Tani që u çlirua dhe pasi Elvis Eroshi çliroi nga pengmarrja qytetin e Kavajës qeveria mori peng Elvis Rroshin. E gjitha nuk ka lidhje me atë çka ndodhur. Nuk mbështes gjestin e Elvis Rroshit duhej menaxhuar ndryshe pro e gjitha çfarë ndodhi ishte pabesi dhe në shkelje të plotë të ligjit. Rroshi është i pafajshëm dhe qytetarët janë të vendosur të mbështesin pafajësinë e tij. Gjithashtu pafajësia e tij do të vërtetohet juridikisht pavarësisht vendimeve antiligjore që janë ndërmarrë qoftë nga polica a prokuroria në këtë drejtim”- tha Peza në një prononcim telefonik për Tv A1REPORT! nga Kavaja. 
Ai shtoi se "Të arrestosh një kryebashkiak pak javë pas zgjedhjeve është vendim ekstrem politik dhe i dënueshëm shumë shpejt drejtësia do vendoset në vend. Elvis Rroshi duhet të kthehet sa më parë në vendin e punë. Ky është demostrim i shëmtuar force që dhe bëhet si tentativë për të tërhequr vëmendjen nga dështimet e qeverisë dhe breshërive të kritikave të ashpra që kjo qeveria po merr nga SHBA e BE"

PROTESTUES TE LENDUAR
Ora 21: 55 Anila Basha, drejtoreshë e gazeta Shqiptarja.com informon se qytetarët e Kavajës që kanë qenë duke protestuar para komisariatit kur janë rrahur nga Forcat Speciale, të cilat kanë ardhur nga kryeqyteti. Në qendër të qytetit ku jam unë ka grumbuj njerëz ka qytetar të lënduar”. Gëzim Resuli (ne foto poshte) dëshmoi për Tv A1 REPORT se policia e kishte rrahur. Madje dhe një tjetër qytetar nga Kavaja dëshmoi se policia e kishte goditur në kokë. "Nevil Dede e provokoi kryetarin duke bërë me grusht si në kohën e Enver Hoxhës"- thotë Gëzim Resuli duke iu referuar incidentit në stadium mes kryebashkiakut dhe trajnerit të Tiranës.

(Foto: Gezim Resuli, protestuesi me plage)

ORA 21: 50 Elvis Rroshi mbërrin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

(Foto:  Elvis Rroshi ne Tirane)

ELVIS RROSHI SHOQEROHET DREJT TIRANES ME FURGONA TE BLINDUAR

Ora 21: 23 Dy furgona të blinduar kanë marrë Elvis Rroshin nga komisariati për ta nisur drejt Tiranës.

Ora 21:11 Policia e Kavajës me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë shpërndarë protestuesit të cilët ishin mbledhur para komisariatit. Ka pasur edhe disa të arrestuar.
Banorët mbanin në duar pankarta ku shkruhet Turp, turp. Korrespondenti i TVA1 REPORT informon se policia ka shpërndarë me dhunë protestuesit, madje ka përdorur edhe shkopinj gome.
 
Ora 20:17 Korrespondenti i TV A1 REPORT Artur Korriku informon se aktualisht Elvis Rroshi ndodhet në komisariatin e policisë ku ka shkuar për të bërë kallzimin kundër Nevil Dedës për presion dhe provokim. Ndërkohë që para godinës së policisë dhjetra qytetarë po protestojnë duke kërkuar që Rroshi të lirohet.

Në këto moment asnjë nga zyrtarët e policies nuk ka thënë se Elvis Rroshi ndodhet në statusin e të ndaluarit apo të arrestuarit, ndërkohë që Plarent Ndreca avokati I Rroshit në një prononcim për median para komisariatit u shpreh se kërkonte të shikonte klientin e tij por nuk lihet nga policia.

INCIDENTI PASDITEN E SOTME
Lojtarët e klubit të Tiranës thanë se kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, njëkohësisht edhe aksioner i klubit Besa ka ushtruar presion mbi lojtarët e klubit Tirana. Madje ka qëlluar trajnerin Nevil Dede në pushim të ndeshjes Besa – Tirana në korridorin e dhomave të zhveshjes.

Ky i fundit pas perfundimit te pjeses se pare eshte kthyer nga tribuna ku ndodheshin perfaqesuesit socialist mes te cileve edhe Elvis Rroshi. Pas këtij episodi, lojtarët e Tiranës kanë thënë se kryebashkiaku kavajas ka zbritur në dhomat e zhveshjes dhe ka pasur edhe përplasje fizike mes kryebashikakut dhe trajnerit të Tiranës.

Po ashtu, një ditë më parë pas përfundimit të ndeshjes Gramsh –Mamurras, kreu i bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, ka hyrë me gjithë automjetin e tij në fushën e futbollit duke shqyer rrjetat. Mësohet se policia ka ndërhyrë menjëherë duke e shoqëruar atë në komisariat.

ELVIS RROSHI MOHON AKUZAT: NUK KAM BERE PRESION
Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi në një bisedë telefonike, të zhvilluar me “Shekulli”-n pak minuta pas incidentit në pushim të ndeshjes së Superligës Besa-Tirana, hodhi poshtë pretendimet e trajnerit të Tiranës, Nevil Dede.

Sipas Roshit, akuzat ndaj tij janë krejtësisht të pavërteta dhe janë me sfond politik në kuadër të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit, të cilat sipas tij, janë të iniciuara nga ministri i Brendshëm, Flamur Noka.

“Nuk është aspak e vërtetë, se pati presione ndaj trajnerit të Tiranës, Nevil Dede, përkundrazi. Unë në pushim të ndeshjes, e duhet ta theksoj se ekipi i Kavajës ishte në fitore me rezultatin 1-0, u futa në dhomat e zhveshjes së lojtarëve të Kavajës, për t’u dhënë kurajo atyre për pjesën e dytë."

"Në momentin që po dilja për të shkuar në vendin tim, u ndesha me Nevil Deden, të cilin e pyeta në lidhje me provokimin që ai u bëri tifozëve gjatë pjesës së parë dhe kaq ishte biseda mes nesh."
E përsëris, nuk janë aspak të vërteta fjalët, se unë i kam bërë presion Nevil Dedes, por këto janë incidente të iniciuara nga Flamur Noka, si ministër i kësaj qeverie”- tha Artur Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës.
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›