E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet “Lenci”, i forti i Yzberishtit

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Operacioni “I harruari”

“Lenci” ka nisur serialin e vrasjeve që kur ishte i mitur dhe dyshohet se ka kryer këtë aktivitet për 11 vjet me radhë kundrejt pagesës

I shpallur në kërkim prej 11 vjetësh, antëtari i bandës së Yzberishtit, i dënuar për vrasjen e biznesmenit italian në vitin 1998 dhe i dyshuar për vepra të tjera penale nga 98-ta deri në 2009, është vënë në pranga dje. Flamur Hida, 29 vjeç, i njohur me pseudonimin Lenci, është arrestuar dje nga Policia e Tiranës pas një hetimi disamujor. Gjatë operacionit të koduar “I harruari”, përveç ndalimit të shumëtëkërkuarit janë sekuestruar dhe tri pistoleta me silenciator, të cilat dyshohet se janë përdorur në vrasje të porositura. Anëtari i bandës së Yzberishtit është vënë në pranga në apartamentin e tij në lagjen “Komuna e Parisit” në Tiranë. Mendohet se i dyshuari si vrasës me pagesë ka jetuar për 11 vjet me radhë në Tiranë dhe rrethinat e saj.
Arrestimi
Hetimet disamujore të strukturave të Hetimit të Krimit vunë në pranga gjatë operacionit “I harruari”, të shumëkërkuarin Flamur Hida, 29 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i njohur ndryshme me pseudonimin Lenci. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, të cilat bënë të ditur lajmin, pohojnë se Hida ishte person i shpallur në qysh në vitin 1998, dhe qëndronte i fshehur në kryeqytet dhe në rrethinat e tij, duke vështirësuar kështu kapjen e tij, për shkak të përdorimit të identitetit të rremë, si dhe të mosposedimit nga ana e policisë të fotografive të tij të të kohëve të fundit, sepse në kohën kur ky person ka qenë fillimisht i shpallur në kërkim, ishte i mitur.
Dënimet
I kërkuari Flamur Hida, në bazë të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 13 tetor 1998, është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale të “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen si dhe të mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në bashkëpunim me Nazmi Avdillarin janë autorë të vjedhjes me pasojë vdekjen të italianit Stefano Rossi. Bashkëpunëtori i tij në këtë vrasje, Nazmi Avdillari, aktualisht ndodhet i dënuar më burgim të përjetshëm. Sipas policisë, mësohet se Flamur Hida është dënuar me vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë, më datë 28 janar 2002, me 20 vjet burgim, për veprat penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”, ndaj Bedri dhe Agim Ago. Sipas të njëjtave burime mësohet se me vendimin e datës 18 korrik 2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Hida është dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale të “Plagosjes me dashje” të Aqif Lamit dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.
Akuzat
Policia ka ngritur një sërë akuzash në adresë të të shumëkërkuarit. Dosja e plotë do t i kalojë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ekzekutimin e vendimeve të dënimit të gjykatës për personin në kërkim Flamur Hida, si dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre për veprat penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Falsifikimit të akteve të gjendjes civile”, parashikuar nga nenet 278/2/3, 191 të Kodit Penal.

Armët e sekuestuara
Një armë zjarri automatike tip “Skorpions”
Një pistoletë mod - 54, me një krehër me 7 fishekë
Dy silenciatorë
Një pistoletë “BELGIUM” me një krehër me 11 fishekë
Një pistoletë “BERETA”, me një krehër me 4 fishekë
Një pistoletë elektrike, paralizues elektrik
Dy krehër pistolete me 8 fishekë
106 copë fishekë pistolete, të kalibrave të ndryshëm,
Një kallëp tritoli së bashku me kapsollën elektrike.
Një certifikatë personale e falsifikuar që përdorte ky person me identitet të rremë, si mjet identifikimi.

Skeda
Emri: Flamur
Mbiemri: Hida
Mosha: 29 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Gjendja penale: I dënuar tri herë

Vendimet e gjykatave
13 tetor 1998
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë shpall fajtor dhe dënon Flamur Hidën me 12 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale të “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen” si dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
28 janar 2002
Gjykata e Apelit Tiranë ka dënuar Hidën me 20 vjet burgim, për veprat penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim”
18 korrik 2007
Gjykata e Rrethit Tiranë dënon Hidën me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Plagosje me dashje” dhe të “Armëmbajtje pa leje”
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›