MITRO CELA Dashuri (Dasmë) në Pleqëri
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Berisha në telefon, Çakulit: ”E dëgjon Mitron?”. ”Sa dëgjon ti të tutë...”
”Flirtet” e Mitros me PD-së dhe Fiks-Fare
Këshilltari i Filipit: ”Më dëgjon, mban shënime dhe bën të kundërtën”
Është këshilltar i Filip Çakulit, tek FIKS FARE, që nga viti 2005, pra që nga javët e para të çeljes së emisionit. Është gjithashtu këshilltar i Top Chanel-it për probleme të ndryshme, por zyrtarisht është këshilltari i Filipit. ”Më dëgjon, mban shënime dhe bën të kundërtën”, thotë Mitroja. -E ka gjetur mekanizmin. Duke folur për mikun e tij nuk i kursen superlativat: ”Si Filipi nuk ka të dytë në Ballkan, -thotë.- Filipi është një përjashtim. FIKSI është fiks Filipi.” Me Mitron, PD mund ta merrte Fiksin nga brenda, por skandali i publikur për ish-ministrin Pango, na vërteton fjalët e tij: Nuk dëgjjo
het.
-Mitro, çmon më shumë gazetarinë televizive apo atë të shkruar dhe ku e gjeni veten më mirë?
I çmoj të dyja, të kesh dhuntinë për të qenë edhe gazetar televiziv, edhe i medias së shkruar është më e mira, por unë vetë e gjej veten tek kjo e dyta. Pastaj gazetaria televizive do edhe ca gjëra të tjera; do rini, bukuri.
-Për çfarë keni shkruar atëherë dhe çfarë shkruani tani?
Që nga 72 deri në 98 ka bërë vetëm shkrime ekonomike, mund të kenë brenda sarkazëm që i bën më të thjeshta e të kuptueshme, por janë ekonomi e pastër. Për ekonominë nuk mund të shkruash më shumë se një shkrim në javë. Në 98-n mendova të shkruaj një libër, që t i bëja njerëzit të qeshin dy herë. Gruaja më tha “Mos u merr me budallallëqe”, kurse Ylli Rakipi ka qeshur me lot kur ia lexonte në telefon Spartak Ngjelës. Artikujt që botova tek “Albania” në atë kohë, 2 herë në javë nga dy faqe, për dy vjet me radhë, i mblodha dhe nxorra librin: “Kronikë e një politikani të dështuar”.
-Fabula në shkrimet tuaja vërtitet tek politika dhe personazhet e saj. Nëse nuk do të ishte politika, për çfarë do të shkruanit?
Do shkruaja për seksin. Por do kisha për të shkruar për ekonominë, edhe pse kjo është më ë vështirë. Njerëzit lexojnë më me qejf gjërat e lehta të politikës.
-Keni botuar “Kronikën e një politikani të dështuar”. Ironizimin e vetvetes, mos e keni për snobizëm apo si armë vetëmbrojtjeje, që kështu të mos merren të tjerët me ju?
Në Spanjë, në muzeun e Pikasos, në javën e Rembrandtit kam pasur rastin të soduis autoportretet e piktorit. E kshte paraqitur veten as femër dhe as mashkull, ai tallej me veten. Është kulmi i suksesit kur piktori, shkrimtari arrijnë të tallen me veten. Dhe nuk është e lehtë sepse imagjinoni se çfarë reagimi do të kishte nëse p.sh. kryeministri do të qesëndiste veten…
-Ju flisni për gjëra serioze me humor. Sa seriozisht të marrin, kur i thua gjërat me një tis humori?
Gjërat më serioze thuhen me humor. Do të tregoj këtu një batutë: E pyetën njërin: “Si u bëre milioner?” “Gruaja-tha ai”.”Si të bëri?”-Isha miliarder,- u përgjigj burri”.
-Çfarë mendon gruaja, për gjërat që shkruan?
Gruaja më thotë: Më vjen turp nga shoqet kur lexoj shkrimet e tua.
-Çfarë ka gjetur Mitroja tek “Fiks Fare” që nuk e kishte gjetur më parë?
Fiksi më ka përtërirë në moshë. Jam pranë tij që kur është krijuar, prej gati 5 vjetësh. Fiksi më ka bërë t i shoh gjërat me skepticizëm, humori ta mpreh vështrimin. Përvoja e punës me Filipin është interesante. Filipi me Mitron janë afër dhe larg. Ai është humoristi më i madh, kurse unë di të shkruaj më mirë, po them një gjë që ai e ka pranuar vetë.
-Edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të PD-së, edhe këshilltar i Filipit tek “Fiksi”. Si ia dilni në dy anë?
Këtu nuk ka të bëj përkatësia, por emri. Ia kam arritur t i mbaj të dyja me autoritet. Por do t ju them diçka lidhue me këtë që më pyesni. Një herë, Berisha pyet Filipin: -E ke këshilltar Mitron? Filipi-Po. Berisha-E dëgjon? Filipi- Aq sa dëgjon ti të tutë. Berisha- Nuk e dëgjon fare? Filipi- Nuk e thashë unë...
Librat e botuar të Mitro Çelës
Kronikë e një politikani të dështuar (2000)
Mes Kosovës dhe Epirit (2002)
Haberet e Mitros (2004)
Me Filipin (2008)
Mitro Çela, gazetari ”i hazdisur”që nuk donte të vinte kapistallin e qeveritarit
E njoha Berishën në 75-n, në Pogradec
Me statusin pensionist prej 6 vitesh si ish-deputet shijon i qetë vitet e para të moshimit, por krah Filip Çakulit që i ka ofruar këshilltarin e tij personal, fiton edhe një pagë, për të cilën Mitroja thotë se nuk tregohet. Tani ka kohë të rrijë e të përtypë mendime për gjithë sa ka bërë e s ka bërë. Nuk i intereson t i rikthehet punës në shtet si ekonomist, pasi kështu do të humbiste pensionin prej 60 mijë lekësh të reja. Si politikan në pension e priste pa ethe procesin e kandidimit për deputet, ndryshe nga të tjerët dhe tani që nuk u përfshi në listën e kandidimit, nuk është mërzitur aspak.
-Të merresh me politikë, sa e mundur është të ruash mendimin tënd të pavarur? A nuk është kjo si t i thuash derrit dajë, të tradhtosh veten për hir të vendimeve partiake?
Jo çdo vendim është i drejtë kur është individual. Edhe nëse nuk je dakord, derisa je bërë pjesë e një grupimi politik, (që është një grupim i lirë, vullnetar), je i detyruar të votosh njëlloj si grupi për vendimet politike, si përshembull për buxhetin e shtetit. Nëse jo, është më e ndershme të dalësh nga grupi. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Në rastin e Partisë Laburiste Angleze u larguan dy deputetë se dolën kundër vendimeve politike të partisë së tyre. Nëse grupi merr vendim që të bojkotojë një seancë parlamentare, nuk mund të thyesh bojkotin e të shkosh i vetëm, po kështu kur është fjala për heqjen e imunitetit të një deputeti. Por natyrisht që ka vend edhe për qëndrime intelektuale, individuale, kur vendimet nuk janë politike.
-Çfarë keni përfituar nga politika?
Unë kam hyrë në politikë në momente kthese, kur duhej kurajë (frika nga Sigurimi i Shtetit ishte) duhej edhe dhe pak emër. Nuk kam pasur asnjëherë ego për të qenë deputet, edhe pse me fitoren time si kandidat shikoja konsolidimin e pozitave të PD-së. Kështu, në 92-shin, ngaqë nuk më hante meraku nëse fitoja, kandidova në një zonë të vështirë si Patosi, tërësisht socialiste. Isha atëherë anëtar i Kryesisë së PD-së dhe si i tillë kisha të drejtë të zgjidhja zonat e sigurta që njiheshin si të djathta. Por unë shkova vetë në një zonë të vështirë. E bëra fushatën shumë të fortë dhe fitova. Që atëherë PD nuk ka fituar më atje. Në 91 kur u krijua qeveria e stabilitetit, u propozova zv/ministër dhe refuzova. Dy vjet më parë më propozuan për ambasador në Francë dhe përsëri refuzova. Më 1991, kisha refuzuar postin e ambasadorit në Romë. Përsëri e kam refuzuar po këtë post. Po ashtu, në 92 refuzova postin e Ministrit të Turizmit.
-Pse i keni refuzuar të gjitha këto?
Nuk doja ta tradhtoja gazetarinë, por edhe gjithçka që kam bërë, më ka ndihmuar për të. Tani përsëri jam i parrezikshëm, nuk synoj poste, edhe për kandidat për deputet nuk mërzitem nëse nuk dal (Intervista është dhënë një ditë para shpalljes së emrave). Nuk jam tani në kokë karriere. Më pëlqen më mirë këtu ku jam mes stafit rinor të “Top-it”, mes 30-vjeçarëve, më mirë sesa mes politikanëve. E lashë njëherë ekonomistin për gazetarinë, por këtë nuk dua ta lë më.
-Ju keni edhe shumë miq politikanë. Çfarë e mban shoqërinë tuaj?
Ju thashë që jam i parrezikshëm. E kanë ditur gjithnjë, që Mitroja nuk do karrige, nuk do t i marrë postin askujt dhe prandaj nuk më shohin si kundërshtar por si mik.
-Shumë kujtimet të shkruara i keni me Berishën. Eshtë personazh i dashur prej jush?
Me Saliun jemi njohur në vitin 1975. ishim me pushime në Porgradec, të dy kemi qenë në atë kohë të martuar. U takuam në një kafene. Saliu ishte i rrethuar nga disa miq dhe spikaste për mënyrën interesante të rrëfimit. Në këtë kafene jemi njohur për herë të parë. Vite më pas, do të më propozonte për në komisionin nismëtar të PD-së. Me Saliun kam marrëdhënie më interesante se të tjerë, sepse nuk i jam afruar për pushtet. Në gjithë këto vite, kam kujtime të lidhura me të.
-Ju besoni se Berisha ka pasur idealizëm kur i hyri politikës dhe i ka mbetur ndonjë fije sot?
Po, ka pasur idealizëm si të gjithë ne. Edhe ka akoma. Idealizmi i tij është dëshira që ta fuste Shqipërinë në NATO, në BE, për të privatizuar ekonominë...
-Juve vetë, a ju ka mbetur diçka prej komunisti?
Ne u bëmë komunistë me zor. Ai sistem mos ardhtë kurrë. Isha 30 vjeç kur ma kërkuan këtë gjë. Nuk kisha nga të luaja, përndryshe i binte që të ikja nga ”Zëri i Popullit”. Por dua të them, se duke punuar atje, kisha një përfitim shumë të madh. Duke qenë gazetar shihje gjëra të rëndësishme, të binin në dorë materiale sekrete dhe kjo të bënte ta njihje më mirë sistemin...
U rimartova për të ndalur pleqërinë
”Kur iku djali në Japoni, u gjendëm vetëm me gruan dhe u afruam më tepër”
Në moshën 60-vjeç pritet që njeriu të tërhiqet nga shumë angazhime, të ndihet i lodhur nga popullariteti, ndërsa ai kërkoi të bënte diçka, pikërisht për të provuar edhe një herë popullaritetin e tij, për të rënë në sy. Por,..Bëri dasmë se kishte nevojë për një festë, sepse nuk ka strese, sepse donte të kthente rininë, sepse donte të shikonte se sa miq ka vërtet, sepse mbi të gjitha donte t i bënte qejfin gruas, Netit, që e ka trashëgim prej 30 vjetësh...
Biseda nis tek martesa në kishë, e para e këtij lloji, edhe pse duket si e dytë. Por Mitroja me të shoqen, Netin, siç e thërret me përkëdheli, nuk kishin vënë ndonjëherë kurorë në kishë. Dhe martesa jashtë kishës, vetëm në bashki, për ata që besojnë, nuk e ka marrë bekimin nga Lart. E pyesim Mitron, se tani që vuri kurorë në kishë, beson se është shenjtëruar martesa e tyre, dhe ai që i bën pritjes sonë një të prerë me të majtën: ”Nuk kam kaq idealizëm. Jam njeri praktik dhe gjithnjë kam bërë gjërat që duhet të bëj”.
U martova edhe për show
”E kisha harruar martesën, që para 30 vitesh dhe tani po ndihem sërish si dhëndër,- thotë me një ton që është e vështirë të kuptosh se ku mbaron dhe ku fillon humori dhe serioziteti. Por përmes argumenteve që radhit, ka më shumë se një arsye, edhe pse shkëndija ishte e shoqja, që si besimtare e madhe kishte 4-5 vite që i kërkonte të vinin kurorë në kishë. Fillimisht, Mitroja e kishe parë me habi të shoqen, e kishte marrë si ”lajthitje” apo fantazi grarishte. Por pastaj, ”lajthiti” edhe vetë. Po si ndryshoi mendim Mitroja, që 4 vite më parë, i ishte dukur absurde ideja e vënies kurorë në kishë? Mos ishte koha që rodhi në mes, ajo që poqi mendimin e tij? Mitroja thotë: ”Që kur djali u largua nga shtëpia (shkoi me studime për master në Japoni), unë me gruan mbetëm vetëm dhe gjatë kësaj kohe jemi afruar më shumë, rrimë më tepër kohë bashkë. Aq më tepër që gruaja ime nuk rri dot vetëm...”. (Të tjerët martohen për së dyti me gra të tjera për të provuar emocionet e rifillimit, kurse ai e ndërmori këtë me gruan e tij dhe për këtë arsye shkaktoi mjaft habi në rrethet e miqve, që nuk munguan, por ama nuk është se u bindën me vendimin e tij!).
Hajde të trashëgohesh!
Por, si e uruan Mitron, me rastin e martesës? Përgjigjen e marrim nga të njohurit e tij, që vijnë ta urojnë ndërsa qëndron në lokal me ne, thua harrojnë që Mitroja ka 30 vjet e kusur i martuar: “Hajde të trashëgohesh!” Të jetë shaka e thënë me një ton kaq solemn?! Vetë Mitroja thotë: “U thashë të më urojnë me një vajzë se djalin e kam!”.
”Kur burri kapërcen të 60-at e presin ngjarje të pakëndshme: lulishtja, bisedat për sëmundjet, shoqëria e pensionistëve, cigarja dhe kotja me gazeta. –thotë ai.- U martova edhe një herë që t i tregoj vetes se jam ende i ri dhe që të mbaj larg pleqërinë. Por Mitroja nuk e mohon se me këtë martesë, si për të çmitizuar traditën se një burrë dhe një grua martohen bashkë vetëm një herë, deshi të bënte edhe show për të parë reagimin e shoqërisë, për të parë se si e presin njerëzit një ngjarje të tillë kur vjen nga një burrë 61-vjeçar dhe sepse në fund të fundit, donte të shikonte se sa miq kishte vërtet, sa i dëshiruar ishte prej tyre. Dhe nuk u zhgënjye. Kisha i mbush përplot me gjithë merakun e tij se ishte e diel, kohë fushate dhe ndoshta shumë miq politikanë nuk do t i vinin. ”Unë kisha me vete armatën e TOP-it, thotë ai, nuk mbetesha pa njerëz, por sidoqoftë, erdhën aq shumë miq, saqë ai tani është i bindur se me martesën e tij ka thyer në kokat e tyre një tabu: madje, ka shkuar edhe më tej se kaq...
Shih rrushi-rrushin e piqet...
Gratë e miqve ngasen për t u martuar për së dyti
Martesa e çiftit Çela ka ndjellë fantazinë e shumë grave të miqve të tij, që kanë filluar t u thonë: Shiko sa mirë Mitroja! Pse të mos martohemi edhe ne në Kishë?” ”Na ke hapur punë o Mitro”, i thonë ata. Midis 12 miqve që janë në ujërat e planifikimit të një ”rimartese” me gratë e tyre, është edhe Ardit Gjebrea.
Mitroja ka dëshirë të tregojë ”metamorfozën” e shoqërisë, fillimisht e befasuar, pastaj edhe ”refuzuese”, më tej ”pranuese” dhe në fund fare, e entuziazmuar. ”Po që e bëri mirë Mitroja!” Vetëm Filipi ngeli Filip, -u thoshte të tjerëve: ”Nuk kam hall se ka rrjedhur Mitroja, por kam hall se do thonë se kam rrjedhur edhe unë që rri me të”. Mitroja na tregon se si miku i tij nuk donte të vinte në kishë, edhe pse pranonte të merrte pjesë në dasmën e tyre. Po në Kishë?! Bëri ç bëri dhe e hodhi vallen Filipi kësaj here sipas këngës së Mitros, edhe pse nuk heq dorë së thëni: ”Burrë plak dhe do martohet!” Por tek e fundit, Mitroja e pranon. “Kishim nevojë për një festë të madhe dhe e bëmë”
60 vjeç, kur burrave gratë u bëhen motra...
”Janë të rrallë burrat dhe gratë që pas moshës 60-vjeçare qëndrojnë bashkë. Është fakt i njohur që bie dashuria mes tyre në këtë moshë, burrat shtojnë shoqërinë me burrat, gratë me gratë. Nga mosha ime, shumë- pak burra rrinë me gratë e tyre. E kam problem, se kur shkoj diku ku marr gjithnjë me vete time shoqe, vështirë të gjejmë miq që të kenë marrë edhe ata gratë e tyre me vete. Po ju them se në moshën time, nuk ka çifte. Njerëzit janë të martuar, por edhe janë, edhe nuk janë bashkë. Shikoj miqtë e mi dhe e konstatoj këtë. Mes atyre të paktëve që i shikon me gruan është Agron Çobani. Pra, nuk e gjej moshën time të martuar, me gratë për krahu. Filipi kur më shikon, më thotë: ”Akoma me Netin ti?” Mitro Çela pohon psikozën apo postulatin mashkullor: Gratë në fillim janë të dashura, pastaj bëhën partnere, bëhen motra, bëhen kushërira. Hapur na e pranon, se një nga arsyet që burrat tradhtojnë, është edhe impotenca e tyre me gratë.
Porosia e Mitros: Merre gruan 10 vjet më të re
I pari burrë shqiptar pranon publikisht se ka përdorur ”viagra”
Kjo është porosia e Mitros. Flet nga përvoja e tij. Gruaja duhet marrë e re, rreth 10 vjet më e vogël se burri. Mitros nuk i ka dalë keq. Thotë se të tijën e ka shumë të mbajtur, të kujdesshme ndaj formës. Nuk e lë veten asnjëherë pas dore dhe nuk i kalon kurrë 61 kg. Për të mbajtur rininë, çifti Çela frekuenton rregullisht Kodrat e Liqenit me një vrap të lehtë që nis në 6.15 të mëngjesit. “Ia rekomandoj çdo çifti, që të martohen me diferencë 10 vjet. Gruaja nga natyra bie shpejt, humbet dëshirën, kur burri ka ende,- thotë ai.-Pastaj me mënyrat që ka gjetur shkenca, burri nuk bie asnjëherë”. E ka fjalën për viagrën, ndaj së cilës nuk ka asnjë tabu jo vetëm si përvojë, por edhe për ta përmendur publikisht. Na thotë shpenguar se e ka provuar sepse njeriu duhet t i provojë të tëra. E ka provuar dhe nuk i ka bërë asnjë lloj dëmi. ”Nuk është e vërtetë se viagra bën dëm. E thonë nga padituria. Ajo, ashtu sikurse aktiviteti seksual shton qarkullimin e gjakut. Ndërsa dëmi vjen nga abuzimi. Çdo gjë do masën e vet. Edhe vera që është kaq e rekomanduar për shëndetin, po ta teprosh të merr jetën”. Nga përvoja e tij, Mitroja thotë se është një medikament tjetër edhe më i mirë se viagra, që quhet lebini. Ky medikament vepron tërthorazi në rritjen e potencës seksuale, pasi përmirëson parametrat e tjerë të organizmit, shton fluskin e gjakut që hedh zemra në çdo rrahje, mbi të gjitha pastron enët e gjakut nga yndyrnat, ul kolesterolin, jep një ndjenjë hareje dhe krijon një gjendje pozitive për një marrëdhënie të plotë. Nuk ka asnjë efekt anësor as tek 80-vjeçarët,- thotë Mitroja. Ai mendon se duhet të ketë politikanë që e përdorin viagrën, por në mentalitetin e shoqërisë sonë këto gjëra nuk përmenden. “I përdorin shumë burra,- thotë ai,- por për ta pohuar nuk i pohojnë dhe kjo ka të bëjë me shkallën e emancipimit të individit e të shoqërisë. Njerëzit kanë turp të kërkojnë edhe një kontraceptiv në farmaci, aq më tepër Viagra. Edhe unë kam turp të kërkoj Viagra në farmaci”, thotë, duke shtuar se ia ka dhënë për ta provuar një i njohur. Por gruaja nuk e ka ditur dhe kur ta lexoj në gazetë, ajo do ta konsiderojë shakanë e radhës të Mitros së saj.
Djali i Mitros, përkthyes që 18 vjeç
Mitroja e ka krenari të birin. Flet me pasion atëror për të. I biri tani është me studime pasuniversitare në Japoni për fushën e ekonomisë dhe rezultatet e tij i kanë mundësuar një bursë ofertë për të vazhduar doktoraturën po aty, në Hiroshima. Mitroja ka të drejtë kur thotë se nuk ka strese. I biri në moshën 18-vjecare ka përkthyer librin e parë: ”Historinë e Ballkanit” ndërsa 4 vite më pas, edhe ”Testamentin”.
61 vjeç dhëndër
Autointervistë nga Mitro Çela. Ç thanë Koço Devole, Xhil Karaja, Gon Llakaj...
Olldashi- Filipit: “Mitroja i bën mirë PD-së, pas skandalit me seks të ministrit”
Kur vendosa të vë kurorën në kishë, isha në kufijtë e 61 pranverave. Në mëdyshje për ta bërë publike këtë bëmë, ftova për kafe Filipin, Koço Devolen, Kosta Kamberin dhe Virgjil Karain. Në tavolinë erdhi dhe bizesmeni i njohur Lad Kosta. Bisedën e nisa larg e larg.
Unë:- Vitet e Koços, Kostës, Xhili dhe të mijat bëjnë rrumbullak 235 vjet. “Peshojmë” sa 17 balerina të marra së bashku?!
Koço:- Mitro xhani! Në këtë botë jallane, thoshte Nonda Bulka, jo çdo gjë mund të thuhet në shesh të burrave?!
Unë:- Dua të ndaj me ju një gëzim familjar. Kam vendosur të vë kurorë me Netin (gruan) në Katedralen e Kishës Katolike!
Filipi: Mos më thuaj të tilla turpe! Paska pasur të drejtë Ylber Memia kur shkruante nga Amerika: “Duke lexuar shkrimet e Mitro Çelës, arrij në përfundimin si rrjedh dhe rroit burri kur mbush 60 vjeç?!” Dhëndërr pensionist?! Mua do më vijë turp të punoj me ty, Mitro xhani. Nuk kam hallin tënd, ty ta ka marrë ferra uratën. Por duke qëndruar me ty, bota do të thonë: paska rrjedhur Filipi?! Do këshillën time?... Bëj dy gisht letër... Dhe sikter nga Topi?!
Xhili:- Lere Filipin! Flet si e bija e Zeqos në majë të thanës! Nuk ka faj! Jetojmë në kohën e Filipit?! Dmth, që unë Xhili, me gen edhe nga Kacidhot e Përmetit ( ministër në qeverinë e Fan Nolit), rri e dëgjoj një Filip, nga Dermishti i Sarandës, që e ka bërë shkollën majë malit, me bukë e dhallë?! Sot, hedh shkelma edhe për verën “Gaja”, më të mirën verë që “gatuajnë” pepinot?!... The se do vësh kurorë? Gjë e bukur. E kam bërë edhe unë. Këtu e dhjetë vjet të shkuara. E kam filmuar. Ta jap kasetën për përvojë...Dëgjova sikur the, do të vësh kurorën në kishën katolike?... Pse? Ti je ortodoks. Unë e kam mik Janullatosin. Bisedoj unë, që ta bëjë Peshkopi ceremoninë?
Unë:- Jam i martuar me katolike.
Xhili:- Në asnjë mënyrë! Nuk do të ketë kurorë katolike?! Do të ngre në këmbë gjithë komunitetin orthodoks. Nuk do të lejoj, që vathën tonë ta braktisi një ortodoks i njohur? Do bëj namin, unë që jam edhe Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatëve?! Deri në sallën e gjyqit do të sjell Janullatusin me Rrok Mirditën?!|
Filipi:- Pi kafenë, or Xhil? Akoma nuk e di zotrote se Neti ja bën rrup sup Mitros? Nuk e ke vënë re, se çdo drekë, në orën 16 e rremben nga tavolina e drekës burrin, sikur Mitrua të jetë dele e perëndisë?! Unë them të marrim një vendim: Të braktisim ceremoninë në kishë?
Koço:- Miku im! Mos dëgjo Filipin! E ka nga cmira. E kam dëgjuar me veshët e mi, që Vasilika ka vite që i kërkon të vërë kurorë! Ky i thoshte: nuk dua të jem unë precedenti. Tani që dole ti, hedh shkelma...
Kosta:-Pse nuk e bëre vjet ceremoninë?... Kishe sebep. Datëlindje me 6 dekada?...Mos mu përdridh. E pikasa? Po materializon një citat të Mao Ce Dunit: Jeta e burrit fillon kur mbush 60 vjet?! Bukur! Dasëm me bojra politike! Kurorën do ta vesh, pikërisht tani që Berisha, pasi ngjiti 1500 shkallë të Murit Kinez tha: “Lavdi miqësia mes Partisë Komuniste të Kinës dhe Partisë Demokratik të Shqipërisë?!”
Filipi:-...Alo...Ke marrë vesh o Sokol Olldashi, marrëzinë e Mitros? Do vërë kurorë me Netin?! Më vjen keq, se Mitrua duke qënë anëtar i Këshillit Kombëtar, do të turpëroi PD-në. Dhe kur? Tani që ka nisur fushata elektorale?
Olldashi:- Alo...Ndaj tjetër mendim, qirjo! Me këtë kurorë me të njejtën grua, Mitrua i bën mirë PD-së, pas skandalit me seks të ministrit. Si të thuash, rivendos ekulibrin për çështje morale, brenda radhëve të partisë...Jemi parti vlerash, brenda familjes!
Lad Kosta:- Filip! Mos e merr rrëmbyer! Kurora në kishë nuk njeh moshë. Unë jo vetëm jam dakort, por jam gati të sposorizoj darkën e dasmës.
E pranova me kënaqësi inisiativën e Ladit, veç të tjerash edhe për inat të Filipit. Po më tej? Sipas zakonit një mbasdite shkuam në zyrën e priftit. Burrë i vjetër. Fisnik në pamje. Me origjinë nga Malta. Fliste shqip për bukuri. Për tu mburrur, i thash se kam takuar Papën në vitin 1991, si deputet dhe fill pasi e kishin takuar Pashko me Berishën. Si kundërpeshë, më tregoi se ish Presdidenti i Maltës dhe President i OKB-së, prof. Guido de Marko, kishte qënë në Shqipëri. Kishte takuar Presidentin Ramiz Alia në vitin 1991. Kishin biseduar edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Vatikanit. Me shumë takt, prifti nxorri Netin jashtë zyrës dhe më bëri disa pyetje. Ja vlen të tregohen, edhe si punë përvoje për çiftet e tjerë që kërkojnë të më imitojnë. Deri me sot janë bërë 8 çifte, pa llogaritur Ardit Gjebrenë me të shoqen, që janë në debat.
Prifti:- Ke dëshirë të martohesh me Antonetën?
Unë:- Po
Prifti:- E ke tradhëtuar zonjën?
Në fillim shtanga. Nuk isha përgatitur për pyetje të rënda...Bëra riplay me mendje. Shkurt 1992. Në Paris me Berishën dhe Filipin. Unë kryeredaktor. Filipi zëvendësi im. Ditën punonim për marveshjen mes “RD”-së dhe “Le Figaro”. Natën shëtitje nëpër rrugicat e “Pigal”( Lagje me famë për prostituta.) Për herë të parë në jetë pamë filma porno...Behar 2000. Amsterdam. Biro o Mina! Femra nudo në vitrina dyqanesh. Të Gjalla! Nuk ta bënin me sy, por me pëllëmbën e dorës të ftonin brenda?! Vendosa të shtyj derën, duke përfituar edhe nga rasti se Filipin nuk e kisha pranë! Por jo! Si anëtar i udhëheqjes së lartë të PD-së nuk e prisha moralin...!Vazhdoja të qëndroja si guak para priftit. Për një çast ndjeva një shok. Diçka më rrodhi. Mu duk sikur më luajti fiqiri. Humba kujtesën. Pse vallë?... Eureka! Unë vuaj nga amnezia, sëmundje e harresës, e gatuar nga Perëndia enkas për deputetët. Sot nuk jam deputet, por marr pensionin e deputetit. Me sa duket amnezia ndjek edhe pensionistët deputetë. Sa për kulturë. Në vitin 2004 deputetët vendosën. Burrat e shqipes të dalin në pension 65 vjeç. Gratë 60. Deputetët 55 vjeçarë. Normale. I lodhi politika. Nuk jam i marrë të kundërshtoj. Kam 6 vjet që përfitoj nga kjo vetbamirësi e deputetëve.
Prifti përsëriti pyetjen: ”E ke tradhtuar gruan?” Thashë:”JO”, nën efektin e amnezisë. Në fund të fundit, në kishë, Zoti është si në shtëpinë e tij. Le të më gjykojë?!...
Në të dalë të kishës takova Agron Llakaj. Kishte hapur sytë, sikur nga kisha të kishte dallë qoftëlargu.
Agroni:- Pse në kishë? Mos ju lute priftit, të të futi në listë për deputet Berisha? Kot që lodhe. Nuk ka nevojë PD-ja, tani që u rritën djemtë e KOP, për politikanë të dështuar!
Unë:- Kam vendosur të vë kurorë?
Agroni:- Pse, e le Netin? Ke gjetur atë që ëndërron në shkrime? Ndonjë biondinë të kolme?!
Unë:- Morali si demokrat i sahatëve të parë, nuk ma lejon as ta tradhtoj e as ta ndaj gruan?!
Agroni: - Mos! Jo deri këtu, shoku Mitro! Filipi, me siguri të ka futur një tufë me çimka. Do të sulmojë ty, për të dëmtuar PD-në në zgjedhje?! Të të them diçka? Mos të është zbrazur kuleta, sepse kam dëgjuar që Neti e ka dorën të rëndë! Të keqen vëllai! Të mblidhemi të gjithë. Vëmë nga një koqe leku dhe largohu nga kisha...
Këshilla e Gonit më pëlqeu. Por nuk kishte kthim prapa…
6.5.2009
”Gruaja nuk ka xhelozira, ndihet e pazëvendësueshme”
”Tradhtia? Njeriu tundohet, por e frenon veten sepse arsyeton”
-Ju jeni ortodoks dhe gruaja katolike. Pse e vutë kurorën në kishë katolike dhe jo në kishë ortodokse?
Sepse jam i martuar...
- Çfarë tha djali kur mori vesh se prindërit do të martoheshin?
Djali kishte për vete shumë qejf. Ai është edhe shumë besimtar, i ka ngjarë gruas. Ja e dëgjove tani? Më tha se po shkonte për në kishën e Laçit. Shkon atje tri herë në vit. Djali është me studime pasuniversitare në Japoni dhe atje bëri si bëri dhe ka gjetur një kishë katolike.
-Si e pritën të afërmit tuaj, Polikroni çfarë ju tha për kurorëzimin në Kishë Katolike?
Vëllazëria shkon mirë, pikërisht se nuk ndërhyn në familjet e njëri-tjetrit, edhe pse Polikronit do t i kishte pëlqyer, që të vinim kurorë në Kishën Ortodokse. Unë vërtet jam ortodoks, por megjithatë jam i mendimit se ritualet në Kishën Katolike janë më të bukura dhe priftërinjtë katolikë kanë më shumë bagazh kulture.
-Në shtëpinë tuaj ritet e fesë së gruas ndiqen?
Ne festojmë Krishtlindejet dhe Pashkët Katolike dhe Ortodokse. Bëjmë vezë të kuqe për të dyja datat. Por vjehrra ime, kushërira e parë e Kadri Roshit ka qenë myslimane. Pra, në këtë familje harmonia fetare ka qenë e plotë.
-Ekonominë e shtëpisë e mbani ju apo gruaja?
Jam pak indiferent për ekonominë e shtëpisë. Paranë e kam kapricio, e shpenzoj për qejf, ndërsa gruaja është më kursimtare. Pastaj, nuk ndiej nevojë të llogaris qindarkat, kam një shtëpi të mirë pas Gardës, kemi një apartament të vogël në plazh Golem, 60 metra katrorë që e quaj të mjaftueshëm për moshën tonë.
-Cili është subjekti i zënkave në familjen Çela?
Unë me gruan nuk zihemi ndonjëherë, vetëm grindemi. Vetëm se ajo e ka inatin dy minutësh, unë e mbaj pak më gjatë.
-Si mendoni, a kanë mbetur shumë burra pa tradhtuar kurorën? Dhe, duke rimarrë pyetjen e priftit, ju përfshiheni mes tyre?
Zor të kenë mbetur burra të tillë, sidomos me daljet jashtë shtetit ku është seksi sheshit. Se këtu brenda edhe frenohen nga opinioni, por andej lëshohen. Por unë do të të them një gjë: Njeriu e frenon veten, jo se i mungon dëshira, por sepse mendon, se është qenie shoqërore. Mendon gruan, fëmijët, skandalet...
-A bëhet ndonjëherë xheloze gruaja jote?
Gruaja nuk ka xhelozira, sepse mendon që nuk mund të gjej më të mirë sesa ajo. E shikon veten pa konkurrente. Njerëzit habiten me mendimet e gruas sime, me sigurinë e saj.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009