E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitroja lë ekonomistin për gazetarin: “ZP”, aty ku njoha Kadarenë, Spahiun e Agollin...”

Autori i Lajmit: Denisa Kona
MITRO ÇELA

Mitroja ekonomist as që e kishte parë ndonjëherë veten në redaksitë e mediave. Ai e kishte punën të tërë me shifrat. Por, në botën e shifrave, papritur u ndërkall bota e gërmave, që edhe kësaj here i erdhi si dhuratë nga vëllai i madh, Polikroni. Si pediatër i njohur nuk kishte njeri që nuk e njihte dhe nuk e kishte thirrur për fëmijët e tij. Një herë, andej nga viti 71, gjyshit të Sokol Olldashit, Dashnor Mamaqit, iu sëmur nipi dhe kërkoi doktor Polikronin. Dashnori ishte kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe aty biseda u vërtit e në fund përfundoi me një ofertë. “Polikroni më tha: Do të punosh tek Zëri i Popullit”. “Unë kujtova fillimisht se mos do të punoja atje në zanatin tim si ekonomist,- tregon Mitroja për naivitetin e tij. Kur e mora vesh që do punoja gazetar, u habita, por e pranova për të qenë në Tiranë. Kur shkova atje, më thanë: “Në fillim do punosh tri vjet stazhier, pastaj redaktor. Unë në fakt nuk u bëra dot për 3 vjet, dështova, por ama vitin e katërt, ia arrita. Ndërkohë shumë të tjerë nuk ia kishin dalë dot mbanë dhe ishin larguar. Kur shkova atje,- rrëfën Mitroja, -gjeta gazetarë me emër: Vangjush Gambetën, Dritëroin, Kadarenë, Xhevair Spahiun, Spiro Deden etj. Në vitin 82 u bëra shef i sektorit për Ekonominë”.
Në atë kohë gazetarët vinin nga tri përvoja të ndryshme: Vinin nga shkolla e gazetarisë, vinin nga ndonjë shkollë tjetër si përshembull Gjuhë-Letërsi apo Ekonomik duke e kombinuar me gazetarinë, pra një shkollë e përzier, dhe përvoja e tretë - nga shkolla të tjera që jepnin një përvojë tjetër profesionale si përshembull, nga Juridiku, Inxhinieria, Agronomia, Ekonomiku etj. Për Mitron, më të mirët kanë dalë këta që vinin nga kjo përvojë e fundit.
Mendime për gazetarinë në dy kohë
Mitroja është ndër ata, që nuk e ka hedhur poshtë gazetarinë e së djeshmes. Për të thotë se ka qenë më e vështirë dhe e rrezikshme se e sotmja, dhe ndryshe nga kolegë të tjerë të asaj kohe, nuk i heq asnjë pikë për profesionalizmin. Madje, thotë se gazetaria e diktaturës ka qenë më profesionale se e sotmja, pasi atëherë nuk shkruhej asgjë kundër askujt, pa e takuar, pa ia thënë ballazi në sy. “Para 4 vitesh,- tregon ai,- Agron Çobani dhe Leka Bunko do të bënin një reportazh: “Gazetaria dje dhe sot” dhe më ftuan mua të flisja, meqenëse u përkisja të dyja kohëve. Këtë që kam thënë, e them prapë: Ka qenë më e vështirë gazetaria në atë kohë. Nuk merrje rrogë, nëse nuk bëje 17 ditë në muaj shërbime, ndarë 7 ditë në jug dhe 7 ditë në veri. Dhe në atë kohë nuk ka pasur makina si tani. Shkonim me makina të rastit, me zis, me kamiona, me tren, me çfarë të rastisnim...” (Duke kapërcyer nga rrëfimet për profesionin, tek nostalgji të tjera, thotë se herë-herë ka dëshirë të udhëtojë me tren si dikur, por gruaja i thotë: “Përse i kemi dy makina? Mitros i pëlqen edhe autobusi. Ndonjëherë është më komode,- thotë,- sepse e merr makinën dhe pastaj nuk gjen vend se ku ta parkosh.” Ndodh që autobusi të mbaron punë më mire).
Duke iu rikthyer kujtimeve të tij si gazetar i ZP-së, thotë se gazetarisë së atëhershme nuk i ka munguar tehu i kritikës, kritikat shkonin deri tek nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv, ose edhe tek kryetari. Gazetaria investiguese nuk është e re, -thotë ai.- Në atë kohë nuk shkruaje dot pa parë letrat, bilancet, raportet. Dhe besueshmëria e gazetarëve ishte kaq e madhe, saqë po ta shkruante “Zëri i Popullit” pranohej si e vërtetë e padiskutueshme. Për gabime shumë të vogla, digjeshe.
Për 40 kw reçel, fluturon korrespondent
“Në vitin 85 u bë një analizë e Komitetit Qendror dhe aty u lavdërova më shumë se ç duhet. Më thanë seriozisht: “Për 10 vjet nuk të gjen gjë”. Mirëpo, pas 6 muajsh, më 7-8 nëntor të vitit 1985, organizata bazë e Partisë e “Zërit të Popullit” mori vendim që të përjashtohesha përgjithnjë nga shtypi shqiptar. Pas 15 viteve punë erdhi ndëshkimi im për 40 kw reçel fiku eksporti!” Motivacionin Mitroja thotë se është e vështirë ta shpjegosh, sepse vija ndarëse mes asaj që është e drejtë dhe e padrejtë ngatërrohet në një sistem ku krahas diktaturës ka edhe despotizëm dhe ku rregullat nuk janë të qarta. Në një mënyrë të ngjashme, Frrok Çupi ishte dënuar atë kohë për 5 kw peshk, sepse kishte shkruar përse duhet të shkojë deri në magazinat e Ulëzës peshku që vjen nga Shëngjini, për t u kthyer prapë në tregun e Shëngjinit, duke shkaktuar shpenzime të panevojshme transporti. Çarçani e kishte mohuar dhe pas kësaj, nuk kishte vonuar ndëshkimi: Frroku, në Mirëditë si minator. “Por unë qëllova me fat,- thotë Mitro Çela,- KQ vuri dorën në zemër”. Edhe pse nuk e shpjegon dot deri në fund, se përse disave fati u zgjati dorën me falje, ndërsa për disa, jo, mendon se ka edhe rrethana. “Nëse atje ku punon, nuk të duan dhe bashkohet vendimi negativ i drejtorisë me të partisë, është e sigurt se dënimi do të jetë shumë i rëndë,- thotë Mitroja duke shtuar se ndikim kanë edhe reputacioni i familjes, fama e individit etj. -Por, sidoqoftë, dënimi im nuk ishte i vogël. Më caktuan korrespondent të ”Bashkimit” për Gramshin, Elbasanin dhe Librazhdin. Gjatë kësaj kohe qëndorja në hotel në Elbasan, ndërkohë që familjen e kisha në Tiranë.
Shefllëku dhe miqësia me Çakulin ”e tmerrshëm”
Pas 1 viti, më në fund, Mitroja u pranua si gazetar tek ”Bashkimi” ku iu dha rasti të njihte Filip Çakulin. Aty si shef ekonomie kishte vetëm një vartës- Filipin, kur gjithë redaktorët kishin nga 4-5 gazetarë në rubrikat e tyre. Kryeredaktori i kishte thënë: ”Mbaj vetëm këtë, se të kesh Filipin je si mbi mina”.
Këtë që na rrëfen tani, e ka përfshirë edhe në krye të librit të tij të fundit: ”Me Filipin”. Ishte viti 86 dhe Radio Tirana shpallte një konkurs për tregime humoristike. Çmimin e parë e mori Filipi. Për dhënien e çmimeve u organizua një spektakël televiz ku prezantuesi e pyet Filipin, se ku e gjen humorin, dhe ky i përgjigjet: ”Humori më gjen mua vetë”. Por, natyra e tij nuk ishte pa kosto. Gjuha e kishte ndëshkuar njëherë Filipin që ”ka ngrirë e shkrirë” kaq herë e nuk ka zënë mend. Në hapjen e fushatës së korrje-shirrjeve në Lushnje, i deleguari, Anëtari i Byrosë Politike dhe ministër i Bujësisë, Pali Miska, paskish thënë: ”Gruri mbillet në tokë. Pasi piqet, korret. Dhe buka e grurit bëhet me miell gruri”. Pas kësaj gazmoreje të botuar nga Filipi, në redaksinë e gazetës ”Bashkimi” vjen bashkë me një dosje të kuqe 40 faqëshe, vetë ministri dhe thotë: ”Ja çfarë lexova unë në seminar shoku kryeredaktor! ”. Pas kësaj, breshëria e ndëshkimit ra mbi Filipin; përfundoi në peshkopi si korrespondent.
Nexhmija më la në dorë “Le Monde”, mësova makroekonominë
“Gazeta ”Bashkimi” varej nga Fronti Demokratik të cilin e drejtonte Nexhmije Hoxha. Vjen një ditë Nexhmija në redaksinë e Zërit të Popullit dhe thotë: ”Ju gazetarët nuk lexoni shtyp të huaj.” Ata i thonë: “Nuk na bie në dorë, nuk na sjell njeri”. Atëherë ajo i kthehet Mitros: ”Po të dërgoj ”Le Monde” dhe ”Le Monde diplomatique”. Gazetari i vjetër kujton se këto gazeta i shërbyen si dritare për të njohur makroekonominë, për të cilën informacioni në Shqipëri ishte shumë i kufizuar. Ia detyron kësaj eksperience kompetencat e tij në fushën e makros.

Marrëveshja e prishur me “Le Figaro”
“Pengu im, kur isha kryeredaktor i RD-së”
Përvoja më e madhe dhe dështimi më i madh i imi ishte në shkurt 92. Unë si kryeredaktor i RD-së, Çakuli si zv/kryeredaktor dhe Berisha shkuam në Francë për të bërë një marrëveshje me “Le Figaro , ku gazeta franceze do të kishte 51% të aksioneve, ndërsa RD , 49%. Sipas marrëveshjes, “Le Figaro” do të jepte një shtypshkronjë për të shtypur 1 milionë kopje në ditë, 25 makina për ta shpërndarë dhe 100 tonë letër si fillim. U firmos marrëveshja nga ne të tre dhe pastaj ne do të ishim gazetë me orientim. Gabimi im atëherë ishte që u bashkova me mocionistët dhe u shkarkova nga kryeredaktor. Këtu u prish marrëveshja jonë me palën franceze, sepse një nga pikat e saj thoshte që kryeredaktor do të isha unë. Për fat të keq kjo ndodhi dhe Shqipërisë nuk iu dha shansi, që këtu të hynte një shtyp me tradita më të mira, ashtu siç hyri në Poloni ku “Le Figaro” kishte marrë në patronazh 35 gazeta.” Mitroja shton se gazetat e mëdha në Perëndim janë me orientim politik, edhe pse jo partiake dhe se ndryshe, pa një mbështetje të tillë nuk mund të mbahen. Ai pohon se ëndrra e tij për një shtyp të lirë, të pavarur ishte një profkë apo një “lajthitje”.

“Polikronin e kam idhull, ka diçka të shenjtë”
Polikroni është idhulli im, e kemi pasur në vend të babait. Ne të dy edhe pse vëllezër, vërtet ngjajmë, por jemi edhe të ndryshëm. Polikroni ka diçka të shenjtë. Kujdeset për fëmijët në ekstrem me një merak që nuk e gjen rëndom tek mjekët e sotëm, që janë bërë malukatë. Polikroni nuk u ka marrë kurrë më tepër sesa 500 lekëshin e vizitës që bënte në shtëpi (në shtëpinë e tij nuk ka familje që nuk e ka sjellë fëmijën natën dhe ditën, orë e pa orë). Me Polikronin ndryshojmë në një pikë se ai është më i qetë si natyrë, më punëtor dhe sistematik, është robot pune, edhe tani që është goxha i sëmurë me diabet. Ka botuar tri libra “Mjeku në familje” dhe ka në dorë të katërtin. Polikroni nga natyra është më i mbyllur, është marrë tërë jetën vetëm me mjekësinë, kurse unë jam natyrë e hapur, jam marrë me lloj-lloj gjërash, edhe gazetarinë e kam tradhtuar ndonjë kohë. Ndërsa ai është i fokusuar tek profesioni si prifti te Kisha.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›