Arrestohet Sado, plagosi të afërmit e Qimes
FIER - Përfundoi dje aventura e arratisjes së personit që plagosi vëllanë dhe nipin e personit të njohur nga drejtësia si Ben Qimja, së bashku me dy persona të tjerë, pak ditë më parë në periferi të qytetit të Fierit. Angjelo Sado, 28 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Vlorë, u arrestua katër ditë pas ngjarjes në fshatin Lukovë të Sarandës, falë operacionit policor “Lukova 2008”, që organizoi Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, së bashku me drejtoritë e Vlorës dhe Sarandës. Ai akuzohet për plagosje të katërfishtë ndaj Ahmet e Amarildo Isufajt, përkatësisht vëllait dhe nipit të Arben Isufit, të njohur si Ben Qimja, si dhe Tomor Jaros, vjehrrit të Amarildo Isufaj dhe Gentian Matës, shokut të Amarildos 23-vjeçar. Së bashku me Sadon, policia ka arritur që të prangosë edhe katër persona të tjerë, të cilët kanë lidhje farefisnore me autorin dhe që e kanë ndihmuar atë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes e për t’i siguruar një vend për t’u fshehur. Burimet zyrtare të policisë Fier pohuan për gazetën, se pas ngjarjes së katër ditëve më parë në lagjen “Sheq i Madh” në Fier, autori Angjelo Sado pasi plagosi katër personat, u largua me një automjeti tip “Benz”, me targë TR 7529 P në drejtim të Vlorës. Gjatë rrugës Sado kishte komunikuar me një shokun e tij, duke braktisur makinën tek vendi i quajtur “Pusi i Mezinit”, për t’u larguar më pas në këmbë. Mësohet se gjatë rrugëtimit në këmbë, atij i kishte rënë pistoleta me të cilën kishte kryer plagosjet. Automjeti dhe arma e krimit u gjetën po atë natë prej policisë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Pas marrjes së informacionit se ku fshihej 28-vjeçari, policia e Fierit pasi kishte organizuar operacionin e koduar “Lukova 2008”, nisi zbatimin e tij rreth orës 18:30 të së mërkurës. “Forcat policore u shpërndanë gjithandej”, pohojnë për gazetën efektivë blu. Në orën 19:30, Sado së bashku me shokun e tij, Ermion Priskën, 22 vjeç, Lulëzim Toçin, 24 vjeç, kushëri i parë i gruas së tij, Skënder Selamajn, 27 vjeç, kushëri i parë gjithashtu, që të gjithë banues në Vlorë, nisën të lëviznin me automjetet me targa VL 7174 C dhe AM 729 GF në drejtim të fshatit Lukovë të Sarandës. Në afërsi të Porto Palermos ata i priste Jani Gremo, 32 vjeç (ndryshuar emrin në Fatmir), me automjetin me targë greke ZYZ 4607, i cili ka marrë Angjelon për ta strehuar në banesën e tij në fshatin Lukovë. Pasi janë larguar Jani me Angjelon, policia në kthim për në Vlorë ka vënë në pranga tre bashkëpunëtorët, ndërsa efektivë të tjerë rrethuan banesën e Jani Gremos dhe bënë arrestimin e tij dhe të Sados. Blutë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetet me të cilët ata kanë lëvizur, aparatet celularë, si dhe pistoletat që të arrestuarit mbanin pa leje.