E Diel, 1 Nëntor 2026

Rihapet debati për afatet e TVSH-së

Sipas opozitës, përcaktimi i afatit të shlyerjes së TVSH-së nga Ministria e Financave lë vend për abuzime dhe përzgjedhje preferenciale Bode: Rritja e të ardhurave hap rrugë për uljen e barrës fiskale

Ulja e evazionit fiskal si dhe mbledhja e të ardhurave në nivele të larta jep mundësinë që biznesi të lehtësohet nga barra fiskale. Kjo është deklarata e djeshme e ministrit të Financave, Ridvan Bode, gjatë hapjes së seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku midis të tjerash, ministri kundërshtoi akuzat e opozitës, se ndryshimet në ligjin për TVSH-në prishin konkurrencën në treg. Në fakt, akuzat janë të bazuara në njërën nga pikat e projektligjit në fjalë, ku midis të tjerash thuhet se do të jetë Ministria e Financave, ajo që do të përcaktojë aftin kohor të shtyrjes së TVSH-së lidhur me importuesit e makinerive. Sipas opozitës, kjo pikë jep shkak për abuzime dhe trajtime preferenciale. “Fakti që ka përmirësime të ndjeshme në mbledhjen e të ardhurave, ulje të informalitetit, të evazionit fiskal dhe korrupsionit, krijon mundësi për lehtësimin e biznesit nga barra fiskale”, u shpreh dje Bode, duke shtuar se “në këtë kuadër vijnë edhe ndryshimet në këtë ligj”.

Ndryshimi në ligjin për TVSH-në

Sipas ligjit aktual, investitorët e huaj apo edhe vendas që investojnë në Shqipëri, kanë të drejtën e shlyerjes së TVSH-së për makineritë e importuara deri brenda 12 muajve nga data e zhdoganimit të tyre. Ndërkohë, në projektligjin e ri është menduar që investitorëve t’iu jepet më shumë kohë për të shlyer detyrimet e prapamenduara të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke e çuar atë në dy vjet. Por projektligji përkrah edhe ata persona të cilët tregtojnë revista apo gazeta të huaja, pasi përjashtohen nga TVSH-ja, sikurse edhe të gjitha OJF-të. “Kemi zgjatur plot dy vjet afatin për pagesën e TVSH-së nga biznesi dhe kam mendimin se përtej këtij afati, do të ketë afate të tjera më të favorshme nga pikëpamja e kohëzgjatjes së pagesës së TVSH-së. Këtu e kam fjalën për rastet kur biznesi do të investojë shuma të mëdha, në vepra të cilat kërkojnë kohë të sjellin fryt nga prodhimi”, pohoi ministri i Financave.

Kundërshtimet e opozitës

Sipas opozitarëve, pika kyçe që sjell prishje të konkurrencës në treg, është ajo e lënies në dorë të Ministrisë së Financave për përcaktimin e afatit të shlyerjes së TVSH-së nga biznesi sipas vlerësimeve përkatëse. Sipas tyre, ndryshimet e shpeshta në ligjet e politikës fiskale dëmtojnë biznesin. Ndërkohë, opozita ka kërkuar që qeveria të mos nxitohet lidhur me miratimin e këtij ligji, ndërkohë që Ministria e Financave t’i përfshijë këto ndryshime në projektbuxhetin e vitit 2009, që pritet të kalojë pas pak javësh për miratim në parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›