E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurorët kërkojnë 20 për qind të pronave të krimit që sekuestrojnë

I paraqesin Ministrisë së Drejtësisë 10 pikat që duhen ndryshuar në projektligjin e ri

TIRANË - “20 për qind e parave të mbledhura nga shitja e aseteve të krimit duhet të përdoren nga Prokuroria e Përgjithshme për nevoja pune”. Kjo është njëra prej pikave, që Shoqata Kombëtare e Prokurorëve kërkon t’u shtohet ndryshimeve në ligjit “Për prokurorinë”, që ka ngjallur jo pak debat edhe në qarqet diplomatike e politike. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, krahas ndryshimeve dhe shtimit të disa neneve, prokurorët kërkojnë që paratë e siguruara nga shitja e aseteve të sekuestruara të përdoren më shumë nga organi i prokurorisë. Prokurorët propozojnë se nga këto para, 20 për qind duhet t’i jepen prokurorisë, e cila do t’i përdorë për mjete logjistike dhe shpërblime për prokurorët. Me këtë kërkesë, drejtuar grupit të punës që po harton ndryshimet në ligjin për prokurorinë, Shoqata e Prokurorëve ka si qëllim përmirësimin e ligjit aktual, i cili nuk specifikon një moment të tillë, duke e lënë në dorën e ekzekutivit shpërndarjen e të ardhurave që vijnë nga asetet e sekuestruara. Duket se buxheti i prokurorisë është strumbullari kryesor i kërkesave të prokurorëve, pasi në ndryshimet e propozuara kërkohet që prokuroria të ketë buxhet të pavarur, që hartohet, administrohet dhe zbatohet prej saj. “Buxheti i prokurorisë duhet të rritet nga viti në vit dhe jo të ulet”, - shprehen anëtarët e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve. Në propozimet e tyre, prokurorët kanë renditur një sërë pikash, ku më kryesorja është imuniteti i prokurorit. Me ndryshimet e bëra në ligjin për prokurorinë, u vendos shfuqizimi i nenit 36 të tij, i cili parashikon mbrojtjen e prokurorit në rast arrestimi, ndalimi apo kontrolli. Sipas sekretarit të Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, ky nen nuk duhet të shfuqizohet, pasi “imuniteti” i prokurorit nuk është i njëjtë me atë të deputetit, gjyqtarit apo anëtarit të ekzekutivit. “Ky nen i krijon mbrojtje prokurorit nga arrestimi, kontrolli apo sekuestrimi i pasurisë së tij në mënyrë të jashtëligjshme nga segmente të ekzekutivit”, - thotë për “Korrierin” Shkëlqim Hajdari. Një tjetër ndryshim i kundërshtuar është edhe raportimi i ministrit të Drejtësisë në Kuvend çdo 6 muaj. Marrëdhëniet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për kontrollin e prokurorëve përcaktohen shumë qartë në ligjin aktual, ku thuhet se pas inspektimeve, Ministria e Drejtësisë i propozon Prokurorit të Përgjithshëm masa për prokurorët e gjetur me shkelje. Shoqata e Prokurorëve është kundër ndryshimit të pagës së Prokurorit të Përgjithshëm, të cilën e parashikon projektligji aktual. Prokurorët thonë se, përderisa nuk ka ndryshime mes pagës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit, nuk duhet të ndryshohet as paga e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila me ndryshimet e bëra në ligj barazohet me pagën e një anëtari të Gjykatës së Lartë. Pajisja e prokurorëve me pasaportë shërbimi, krijimi i një strukture sigurie që do të mbrojë prokurorët e shkallëve të ndryshme të gjyqësorit dhe heqja e nenit për konfliktin e interesit janë disa nga propozimet e tjera që Shoqata Kombëtare e Prokurorëve i ka bërë grupit që po harton projektdraftin për ndryshimet në ligjin për prokurorinë.

Propozimet e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve

1. Të mos shfuqizohet neni 36, i cili parashikon mbrojtjen e prokurorëve

2. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të raportojë çdo 6 muaj në parlament për inspektimet që bëhen nga institucioni i tij mbi punën e prokurorëve

3. Paga e Prokurorit të Përgjithshëm nuk duhet të ndryshojë, pasi në Shkallën e Parë dhe atë të Apelit, prokurorët dhe gjyqtarët marrin të njëjtën pagë

4. Të hiqet neni për konfliktin e interesit të prokurorëve, pasi kjo marrëdhënie rregullohet nga nenet 16 dhe 17 të Kodit të Procedurës Penale

5. Këshilli i Prokurorisë duhet të përbëhet nga 9 anëtarë, 7 prej të cilëve duhet të jenë përfaqësues të prokurorisë, një nga Ministria e Drejtësisë dhe një përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Aktualisht Këshilli i Prokurorisë ka 7 anëtarë

6. Prokurori i Përgjithshëm nuk duhet transferojë prokurorët në rreth, apo nga një shkallë më e lartë në një shkallë më të ulët pa pëlqimin e tij

7. Prokurorët e shkarkuar duhet të ankohen në Gjykatën e Lartë dhe jo në Gjykatën e Apelit, siç e parashikon ligji aktual. Në rast se gjykata e cilëson si të padrejtë shkarkimin e prokurorit, duhet të urdhërojë rikthimin e menjëhershëm në detyrë

8. Të krijohet një strukturë sigurie për mbrojtjen e prokurorëve të të gjitha shkallëve, në rast se shihet e nevojshme

9. Prokurorët që për shkak të detyrës duhet të udhëtojnë jashtë shtetit, duhet të pajisen me pasaportë shërbimi

10. 20 për qind e të ardhurave që mblidhen nga shitja e aseteve të krimit duhet t’i jepen Prokurorisë së Përgjithshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›