Shkodër, zgjidhet myftiu i ri, djali i këngëtares popullore
SHKODER - Djali i këngëtares së njohur shkodrane, Violeta Zefi, do të drejtojë Myftininë e Shkodrës. Muhamed Sytari është emëruar dje, pak ditë pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Ermal Nurja. Ky i fundit nuk pranoi detyrën për shkak të konfliktit mes Komunitetit Mysliman dhe ish-myftiut Ndriçim Sulejmani, i shkarkuar rreth 1 muaj më parë. Prezantimi i Sytarit në këtë detyrë është bërë dje nga Ilir Vokshi, myftiu i Tiranës dhe njëkohësisht kryetar i Këshillit të KMSH-së. Mësohet se kryesia e KMSH-së në Tiranë është mbledhur për të shqyrtuar situatën e krijuar në Myftininë e Shkodrës. Ajo vendosi që të mos e pranojë dorëheqjen e Nures, por ta shpallë atë person të shkarkuar, nisur nga fakti se ai nuk është paraqitur në punë, madje duke e akuzuar "për thyerje të rëndë të disiplinës dhe etikës morale islame, duke u bërë shkas për panik dhe kaos për Myftininë dhe besimtarët e njëkohësisht pengesë për mbarëvajtjen e punëve në këtë institucion". Duke mos marrë parasysh vendimin e Nures se nuk mund të punohej në kushtet e një përplasjeje jo vetëm shkresore, por edhe fizike për shkak të zyrës së myftiut, KMSH e ka hequr zyrtarisht nga detyra për të vendosur Muhamed Sytarin. Deri dje, Sytari ka qenë imam i xhamisë së Tophanës, në një nga lagjet e vjetra dhe me traditë të qytetit të Shkodrës. Ai është djali i madh i një familjeje me baba mysliman dhe me nënë katolike (tashmë e konvertuar në besimin mysliman), këngëtares së njohur të këngës popullore shkodrane, Violeta Zefi. Myftiu i ri është 32 vjeç, i diplomuar në Siri për Gjuhë Arabe dhe Studime Islame. Pas marrjes së zyrës së ish-myftiut Sulejmani me forcë nga ana e Komunitetit Mysliman, Sytari është prezantuar në ambientet e saj. Nuk dihet ende reagimi i Sulejmanit, i cili ka paditur KMSH-në në Gjykatën e Tiranës për vendimin e tij, duke kërkuar që deri në zgjidhjen e çështjes, të mos merrej ndonjë iniciativë nga ana e KMSH-së. Ai u shkarkua nga detyra për shkak të thyerjes së disiplinës, sipas KMSH-së, por vetë Sulejmani deklaroi se largimi i tij u bë pas denoncimit publik për abuzime me pronat . r.d