E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet avokati, mori lekë për të korruptuar gjykatësit

19/10/2011  Kallëzimi nga disa klientë të tij, nuk u ktheu të hollat që dhanë për lirimin nga burgu

FIER- Operacioni "Pafajësia" ka çuar drejt prangave një avokat në Fier. Nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Departamentin kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore Fier e Vlorë, është finalizuar operacioni, gjatë të cilit është bërë arrestimi i shtetasit Edmond Toska, vjeç 51, me profesion avokat pranë Dhomës së Avokatisë Fier. Ky shtetas akuzohet se u kishte marrë një shumë prej 3.000 eurosh dhe 100.000 lekësh, të afërmve të një personi të akuzuar për vjedhje, për tu dhënë ryshfet personave përgjegjës, që do të bënin të mundur lirimin nga burgu dhe pushimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.S.

Arrestimi

Arrestohet avokati Edmond Petraq Toska, anëtari i Dhomës së Avokatisë Fier. Arrestimi i tij është kryer në orët e paradites të së martës, nga forcat kundër krimit ekonomik dhe financiar, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Sipas burimeve policore nga Fieri, në aksionin për prangosjen e tij nuk kanë marrë pjesë efektiva të kësaj policie. Efektivat blu kanë mbërritur nga kryeqyteti dhe pasi janë kontaktuar me avokatin i kanë deklaruar atij akuzën për të cilën ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare. Sipas të njëjtave burime ndaj anëtarit të Dhomës së Avokatisë Fier, Edmond Toska, është ngritur akuza e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione zyrtare, akuzë kjo e bazuar në nenin245/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Sipas po të njëjtit burim, avokati është kallëzuar në organet e drejtësisë nga një klient i tij, i cili e kishte marrë për përfaqësim dhe mbrojtje në gjykatë avokatin Toska. Humbja e çështjes në dyert e gjyqësorit dhe vendimi kundër tij, ka detyruar të afërm të një klienti që të regjistrojnë bisedën e kryer me avokatin në lidhje me shumat e pretenduar të dhëna për të fituar këtë çështje gjyqësore. Kërkesa nuk është pranuar dhe është rrëzuar nga gjykata. Përballë kësaj situate të afërmit e klientit kanë kërkuar rikthimin e të hollave të paguara sërish atyre. Mirëpo sipas burimit të mësipërm, avokati është shprehur se të hollat u janë paguar personave që janë marrë me këtë çështje. Të afërmit pasi e kanë regjistruar këtë bisedë kanë çuar denoncimin në organet e drejtësisë. Strukturat e krimit ekonomik dhe financiar kanë vënë në përgjim dhe survejim avokatin dhe pas një periudhe disa mujore nën vëzhgim e kanë arrestuar atë në ditën e martë paradite. Mësohet se gjykata e Vlorës e ka dhënë masën e dënimit për arrest në burg ndaj avokatit, bazuar në nenin 245/1, ndërsa pas njohjes së avokatit me vendimin e gjykatës Vlorë, po në ditën e djeshme avokati tashmë nën akuzë është dërguar sërish në Gjykatën e Shkallës së Parë rrethi gjyqësor Vlorë, në seancën e verifikimit të masës së sigurisë që është arrest me burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›