E Diel, 1 Nëntor 2026

Skipista, një ëndërr 400-vjeçare e dardharëve nuk vdes kurrë

19/10/2011  Na duhet një ëndërrimtare si princesha Mazhide Zogu! Projekti i lënë sërish në harresë

KORÇE- Skipista në fshatin më të bukur turistik të qarkut Korçë, siç është Dardha, vijon të mbetet një ëndërr e kahershme e të gjithë dardharëve të sotëm dhe të hershëm, banues në Dardhë ose jo, apo emigrantë të vjetër në SHBA, në Gjermani, në Austri, në Itali, në Greqi dhe gjetkë, por që deri më sot, kur kanë kaluar jo pak, por katër shekuj, sepse Dardha e ka themelimin e saj në vitin 1600, përsëri ëndrra e skipistës vijon të mbetet një ëndërr e parealizuar. Kjo ëndërr mund të ishte realizuar që në kohën e qeverisjes së mbretit Zog, pasi motra e tij, princesha Mazhide Zogu, i kishte kushtuar gjithë përkujdesin e saj të sinqertë këtij fshati me një bukuri të rrallë, por që rrethanat politike nuk e lejuan që të vijonte më tej me projektet e saj.

Princeshës Mazhide Zogu

Madje një nga deklarimet e princeshës Maxhide Zogu, që ka mbetur e shkruar dhe që njihet nga të gjithë banorët e Dardhës dhe të të gjithë qarkut Korçë është: “Ju çfaq kënaqësinë t’Eme për inisjativën e Shoqërisë “Shpresa”, e cila po fillon me anë botimesh t’ilustroj bukuritë e katundit Dardhë. Kjo iniciativë duhet të jetë shembull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë, të cilat vetëm duke krijuar një lëvizje turistike të brendshme mund të pasurohen dhe mund të zhvillojnë industritë e ndryshme, të cilat influencojnë ardhjen e të huejve në vendin t’onë”. Dardha për virtytet e saja klimaterike, për bukuritë që natyra i ka dhuruar me bujari të plotë, për kostumet e saja sugjestive, meriton të bëhet një qendër verimi me randësi. Jam e sigurtë se inisjativa e juej do të kurorëzohet prej suksesit të dëshiruem dhe një sasi e madhe të shqiptarëve, të cilët shkojnë për të veruar ne vendet e hueja, do të mësojnë se në Atdheun t’onë gjinden vise shumë ma të bukura”. Në fund të këtij shkrimi gjendet firma: Patronesha dhe Kryetarja e Naltë e Turizmit Maxhide Zogu. Kjo ëndërr e madhe e dardharëve, përveç shoqërisë “Shpresa” e silia vijon të jetë aktive edhe sot e kësaj dite me Kryetarin e saj Niko Balli, është mbështetur fuqimisht që në krye të herës edhe nga shoqëria “Bashkimi”. Në deklarimin e princeshës Mazhide bie në sy shprehja: “Kjo inisjativë duhet të jetë shembull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë”. Megjithatë, që nga krijimi i Dardhës dhe deri më sot kanë kaluar së paku katër shekuj dhe ëndrra e tyre nuk mundi të bëhej realitet.

E vërteta

E vërteta është se shumë pushtetarë kanë qenë të pranishëm në Dardhë, por kjo ka ndodhur vetëm e vetëm sepse në udhëtimet e tyre u kishte munguar ky vend. (Ky ka qenë qëllimi kryesor i tyre, (asgjë nuk mund të fshihet dot), që nëpër emisione televizive të thonë: “Po, kam qenë edhe në Dardhë, dhe kjo gjë për teleshikuesin të duket sikur kanë qenë jo për lakrorin me dy petë, (siç e preferojnë ata, me hithra, me lëpjeta, kërpudha apo qepë e domate), por për projekte madhore turistike, posaçërisht për fshatin turistik të Dardhës. Janë të rrallë ata pushtetarë që pasi të kenë ngrënë drekën të shkojnë e të vizitojnë kodrat e Shën Pjetrit, shkëmbin e Vjeshtës, kodrat e Shën Thanasit, pyjet që veshin gjithçka në një blerim të pafund e të përhershëm, ku bardhësia e dëborës në çdo dimër bën të vetmen ftesë: “Ejani tek skipistat e mia natyrore për të gjetur një argëtim të papërsëritshëm, sepse skipista të krijuara nga dora e pushtetarëve nuk do të këtë kurrë”.

Ish-prefektja

Pa asnjë dyshim, mund të thuhet se vetëm ish-prefektja e qarkut Korçë, sot dekane e Fakultetit të Ekonomisë, prof. dr Elfrida Zefi u shndërrua në një princeshë si Maxhide Zogu, për të realizuar ëndrrën 400-vjeçare të dardharëve. Ajo ndoqi hap pas hapi projektin e austriakëve të kompanisë “Strabak”, për një skipistë të parametrave bashkëkohore, me gjatësi 1400 metra, gjerësi 40 metra dhe me një pjerrësi prej 29 për qind, gjë që e bënte një skipistë të mrekullueshme, të shtrirë mes pyjeve, burimeve, kodrave e kishave, ku gjithçka është e bukur dhe e veçantë. Elfrida Zefi, e konsideruar si gruaja e hekurt e Korçës, ( e sulmuar në mënyrë permanente nga socialistët për aftësitë e saj), bëri të mundur që për realizimin e projektit të kompanisë “Strabak” të merrte miratimin e KRRT-së së Këshillit të Qarkut Korçë, të merrte lejen e ndërtimit nga komuna Drenovë në të cilën bën pjesë edhe Dardha, të përgatiste gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, të ndikonte për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës Boboshticë- Dardhë, një kusht ky i vendosur nga kompania “Strabak”, me qëllim që kjo e fundit të kishte mundësi të transportonte pajisjet e teleferikut dhe skipistës. Për të mbërritur deri në këtë fazë, u desh të ngrihej një grup ndërministror ku do të bënin pjesë 5 ministri METE, MF, MPPTT, MB, MMPAU, ku gjithsecila do të përballonte efektet financiare nga buxheti i vet, por ajo çka i takonte Institucionit të Prefektit u realizua me sukses: përfundoi zgjerimi i rrugës dhe asfaltimi i saj, përfundoi studimi i relievit, madje edhe sigurimi i mjeteve të rënda për transportin e pjesëve të teleferikut etj, megjithatë ky projekt sërish do të mbetej në harresë, veçanërisht pas kthimit të prof.dr Elfrida Zefi në universitetit “Fan Noli”.

Vizita e Kryeministrit

Vizita e para pak kohëve e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me zonjën e tij Liri Berisha në fshatin turistik të Dardhës, ringjalli sërish ëndrrën e dardharëve, atë ëndërr që nuk ka për të vdekur kurrë, sepse siç u shpreh kryetari i shoqërisë dardhare “Shpresa”, Niko Balli, të gjithë turistët që kanë vizituar këtë fshat deri më sot, pyetja e parë e tyre ka qene: “Po skipistën a e ndërtuat?” “Vetëm gjatë këtij viti, tha Niko Balli, kemi pasur rreth 11 mijë vizitorë, ku 50% e tyre kanë qenë të huaj nga vende të ndryshme evropiane. Sigurisht e falënderojmë Kryeministrin për deklarimin e tij, pikërisht nga fshati Dardhë për uljen e taksave për 7 apo 8 vjet, për sa i përket zhvillimit të turizmit malor, theksoi Niko Balli. Megjithatë, Dardha e dëborës, ku bora qëndron e palëvizur deri në pranverë, nuk mund të kuptohet pa një skipistë. Gjithsesi, vizita e Kryeministrit dhe premtimi i tij se do ta vizitojë sërish Dardhën, është një siguri për realizimin e ëndrrës dardhare 400-vjeçare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›