E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet banda e grabitjes me armë të taksive

Policia e Tiranës ka arrestuar autorët e dy grabitjeve të armatosura dhe pronarin e një servisi, i cili blinte makinat e vjedhura

Tiranë Policia e Tiranës ka vënë dje në pranga dy të rinj dhe një tregtar makinash, pasi dyshohen si autorë të grabitjes, nëpërmjet kanosjes, së dy taksistëve këtë vit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pasagjeri”, janë arrestuar Berti Limani, 21 vjeç; Hysen Xixa, 18 vjeç; dhe Lulëzim Doçi, 24 vjeç; që të tre nga qyteti i Krujës. Dyshohet se shtetasit Berti Limani dhe Lulëzim Doçi kanë vjedhur nën kërcënimin e armës automjetin tip–“Benz” taksi me targa AA 038 T. Ngjarja ka ndodhur më datë 6 tetor 2011 në Tiranë, ku autorët e dyshuar kanë marrë automjetin dhe në segmentin rrugor Tiranë - Rinas e kanë detyruar nën kërcënimin e armës të dëmtuarin Sabri Vaja të zbresë nga taksia forcërisht, duke marrë më pas drejtimin në qytetin e Fushë-Krujës. Nga hetimet e kryera deri më tani për Berti Limanin dhe Hysen Xixën rezultoi se, pasi kanë vjedhur automjetin e mësipërm, kanë vazhduar më tej rrugën në drejtim të qytetit të Peshkopisë. Më pas, këtë automjet e kanë shitur në servisin e shtetasit Lulëzim Doçi, i cili e ka blerë këtë automjet për 500 euro. Nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se shtetasi Berti Limani së bashku me shtetasin A. Xixa, vëllai i Hysen Xixës, i arrestuar dje, dyshohet të jenë autorë edhe të vjedhjes me armë të një tjetër automjeti taksi me targa TR 995 B, në pronësi të shtetasit Bashkim Metushi, 58 vjeç. Kjo vjedhje, nën kërcënimin e armës, ka ndodhur më datë 30 janar 2011 në aksin rrugor Vorë – Fushë-Krujë, automjet të cilin e kanë porositur si taksi në datën 29 janar 2011 në Tiranë në afërsi të “Zogu të zi”. Më pas, me këtë automjet kanë udhëtuar në drejtim të qytetit të Durrësit, për në vendin e quajtur “Plepat”, ku në ecje e sipër i kanë vendosur pistoletën në pjesën e kokës shoferit, duke e detyruar atë të zbresë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›