E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, lirohet nga qelia Paro Laçi

Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lirojë nga qelia ish-administratorin e klubit sportiv “Partizani”, Paro Laçin, i cili akuzohet për korrupsion aktiv dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm. Laçi kishte depozituar më herët një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për revokimin e masës së sigurisë, por ajo u rrëzua. Pas nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij dhe 9 të pandehurve të tjerë, Paro Laçi i është drejtuar sërish gjykatës me kërkesë për lirim, duke ia dalë të lërë qelinë. Sipas vendimit të gjykatës, Paro Laçi do të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij, kur gjykata do të shprehet me vendim. Sipas prokurorisë, Paro Laçi dhe 9 persona të tjerë akuzohen se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash duke tentuar të korruptojnë gjyqtarët për lirimin e një të akuzuari për vrasje. Po ashtu, Laçi ka marrë përsipër nxjerrjen e një leje minerare në Bulqizë pranë Ministrisë së Ekonomisë, në këmbim të shumës prej 40 mijë eurosh. Fillimisht, Paro Laçi dhe 9 persona të tjerë u arrestuan nga Prokuroria e Durrësit, pasi dyshohej se ishte përfshirë edhe në trukimin e rezultateve të ndeshjeve, por në përfundim të hetimit kjo akuzë u pushua. Aktualisht, Paro Laçi dhe 9 të pandehur të tjerë janë në proces gjyqësor në Gjykatën e Tiranës për akuzat që “Task Forcë” ka ngritur ndaj tyre. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›