Debatet për videon Meta-Prifti, ekspertët: Nuk jemi të pandehur!
Ekspertiza e videos Meta-Prifti ka shkaktuar debate mes prokurorit dhe avokatëve mbrojtës. Përfaqësuesi i akuzës depozitoi 37 pyetje të tjera për ekspertët vendës, ndërsa këta të fundit thanë se po u dukej vetja si në bankën e të pandehurve
Tiranë Pikat e diskutueshme apo paqartësitë e akt-ekspertimit të videos Meta-Prifti pritet të shtyjnë edhe për disa seanca konkluzionet e prokurorit dhe avokatëve mbrojtës, e për rrjedhojë vendimin e gjykatës për të pranuar ose jo këtë ekspertim. Seanca e djeshme ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta ishte planifikuar për dëgjimin e mendimit të prokurorit, por procesi ka marrë një tjetër rrjedhë, kur prokurori kërkoi të lexojë të paktën 37 pyetje drejtuar ekspertëve. Në këtë pikë, nuk munguan debatet për mënyrën sesi do të procedohej me leximin dhe përgjigjen e këtyre pyetjeve dhe vetëm pas një orë diskutim gjykata vendosi që pyetjet e prokurorit të depozitoheshin të shkruara në sekretari. Nuk munguan as replikat mes gjykatës dhe palëve, veçanërisht avokatëve, të cilët kërkuan nga gjykata që një pjesë e pyetjeve të bëra nga përfaqësuesi i akuzës të mos merren parasysh, pasi janë sugjestionuese për ekspertët. Edhe vetë ekspertët kërkuan pyetjet me shkrim për të qenë sa më të saktë në përgjigjet e tyre, madje, pas dëgjimit të prokurorit, eksperti Ermal Beqiri tha se u dukej vetja si në bankën e të pandehurve. Debatet janë zgjidhur nga trupi gjykues, i cili vendosi që pyetjet e palëve të depozitoheshin në sekretari dhe më pas t’u viheshin në dispozicion ekspertëve, të cilët do të japin një përgjigje me shkrim të hënën e javës së ardhshme. Prokurori kundërshtoi, duke thënë se pyetjet janë ndërtuar në formë të tillë ku pyetja pasardhëse është në varësi të përgjigjes së pyetjes para saj. Pas shumë diskutimesh, prokurori nisi leximin e 37 pyetjeve, duke hedhur dyshime edhe për akt-ekspertimin, duke thënë se, nëse ekspertët nuk do u përgjigjen dot pyetjeve, atëherë lindin shumë dyshime mbi të. Pyetja e parë që u drejtohet ekspertëve nga përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme ka të bëjë me orën objekt ekspertimi. “A mendoni se, gjithsesi, mjeti regjistrues ka qenë i instaluar në ndonjë orë, përderisa gjatë gjithë kohës dëgjohet tik-taku i saj, apo jo?”- ka nisur serinë e pyetjes prokurori, duke vazhduar më pas me 36 pyetje të tjera. Duke folur për një video që ekspertët kanë marrë nga ora-kamer një material rreth 50 sekonda, në videon që gjendet në memorien e fshehtë të orës, prokurori i ka pyetur ata se cili është qëllimi i këtij veprimi. Duke u ndalur te mundësia e një ndërhyrjeje në videon Meta-Prifti, prokurori ka pyetur ekspertët se sa mund të jetë koha minimale që mund të duhet për të bërë një ndërhyrje të qëllimshme për të tjetërsuar një material audio-viziv. Sipas tij, nëse kryhej një veprim i tillë, a do të mbeteshin gjurmë në regjistrim. Një tjetër çështje, sipas prokurorit, që lidhet me pjesën e kohës minimale për ndërhyrje, është edhe pjesa që ka të bëjë me modifikimin e fundit që i është bërë videos. Pas prokurorit, radha e pyetjeve u ka kaluar avokatëve, të cilët u bënë 7 pyetje ekspertëve. Sipas tyre, “në pasqyrën e grafikut të ndërhyrjeve në lap topin objekt ekspertimi konstatohen disa ndërhyrje të tjera në datën 6 dhjetor 2010, çfarë përfaqësojnë këto ndërhyrje dhe pse janë nominuar ato me emërtimet ‘Filipi’ dhe ‘Fiks Fare’”- pyeti avokati, i cili renditi edhe disa pyetje të tjera teknike. Pasi dëgjoi pyetjet, kolegji penal u tërhoq për më shumë se dy orë, dhe pas konsultimeve vendosi të heqë një sërë pyetjesh të bëra nga përfaqësuesi i akuzës, me argumentin se ka elemente sugjestionuese, si dhe për faktin se në disa raste janë bërë dy pyetje për të njëjtin argument. Pyetjeve të prokurorisë dhe avokatëve, ekspertët priten t’u përgjigjen të hënën e ardhshme, kur do të paraqiten edhe argumentet e palëve rreth akt-ekspertimit.
Braho: Gjyqi, spektakël
qesharak i akuzës
“Jemi në pritje të një seance, vazhdimi i një spektakli qesharak, ku bie në sy mospërgatitja e akuzës, që ka formuluar pyetje që s’kanë të bëjnë me procesin, por merren me orën si prova kryesore, të cilën vetë prokuroria kërkoi që të hiqet”, -deklaroi në përfundim të procesit Spartak Braho. Ai ka shtuar se në ditët në vazhdim do të zbardhet i gjithë skenari i përgatitur kundër Metës.