E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet bosi i fundit i familjes Korleone

Autoritetet italiane arrestuan vëllain e bosit të njohur të mafias Toto Rina nga klani i Korleoneve. Sipas autoriteteve italiane mësohet, se i arrestuari ka qenë bosi i ri i klanit dhe thesarit të mafias siçiliane.
Mbas ndjekjes, që ka zgjatur tre vjet, me urdhër të prokurorisë së Palermos, karabinierë të forcave speciale arrestuan këtë mëngjes Gaetano Rinna në shtëpinë e tij në Siçili në qytezën Madzara del Valo, bashkë me tre të tjerë, të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë mafioze.
78- vjeçari Gaetano Rinna nuk ka bërë rezistencë. Ai është vëllai i Toto Rinës, një nga bosët më të përgjakshëm të mafias, i cili nga viti 1993 po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e prokurorëve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino.
Sipas hetuesve vëllai i tij i arrestuar sot ka vazhduar të këshillojë gjeneratën e re të bosëve sipas strategjisë së Cosa Nostras dhe është marrë me shantazh, më së shumti ndaj kompanive me fitime të mëdha, si dhe ka ruajtur lidhjet me organizata të tjera kriminale.
Ai gjithashtu ka menaxhuar të ardhurat financiare ilegale të dinastisë Korleone. Duke jetuar nën ombrellën e një pensionisti të qetë, Gaetano Rinna ka marrë dhe 25 mijë euro nga fondet europiane për bujqësinë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›