E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet filloristi për mbajtje mariuhane

Një nxënës i shkollës fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, është prangosur dje nga Policia e Kosovës për shkak të posedimit të narkotikëve.

Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar policia e këtij qyteti, sipas të cilëve, të martën rreth orës 11:00, policët kanë arritur të kapin 2.5 gram drogë të llojit mariuhanë të një fillorist i shkollës “Selami Hallaqi”.

Nxënësi i dyshuar është intervistuar nga hetuesit policor në prezencën e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit publik ai është liruar me procedurë të rregullt.

Nuk dihet nëse nxënësi ishte shpërndarës droge apo konsumues i saj. Këtë do ta thonë hetimet e policisë të cilat po zhvillohen nga hetuesit e Policisë në Gjilan.

Drogë është kapur edhe në rajonin e Hanit të Elezit.

Një person është arrestuar në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit pasi që gjatë bastisjes në shtëpinë së tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth një kilogramë e gjysmë mariuhanë.

Sipas policisë, kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit është bërë me urdhër të prokurorit publik dhe gjatë bastisjes përveç substancës narkotike, janë konfiskuar edhe një revole “TT” dhe një pushkë gjuetie me leje të skaduar.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të stacionit policor të Hanit të Elezit./ V.K/ Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›