Thaçi: Platforma serbe do të mbetet në sirtarët e Beogradit

( E plotësuar )Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar në mbledhjen e kabinetit qeveritar se platforma serbe për Kosovën nuk dallon shumë nga platformat e mëhershme të Serbisë. Ai ka theksuar se ka marr mbështetjen nga bashkësia ndërkombëtare për këtë platformë do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, kryeministri Thaçi ka deklaruar se Beogradi edhe njëherë po dëshmon se nuk dëshiron stabilitet në rajon.
“Sot jemi dëshmitar se përsëri në Beograd prezantohen ide dhe platforma që nuk i kontribuojnë stabilitet në Kosovë dhe rajon dhe dëshiroj të theksoj se këto platforma nuk janë të reja edhe Kosova edhe bota e dinë se këto platforma e kanë bazën nga Grashanini, Karaxhiqit...”, ka thënë Thaçi, raporton Express.
Madje ai ka thënë se ka marr edhe garancitë nga bashkësia ndërkombëtare që nuk do mund të realizohet.
“Kam biseduar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe mund të them se do të ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit, siç kanë qenë të gjitha projektet nga Grashanini deri te presidenti aktual Nikoliq”, ka theksuar kryeministri.
....
Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, u është përgjigjur deklarimeve në mediat serbe se platforma e Serbisë për Kosovën përmban një autonomi për veriun e Mitrovicës, duke thënë se ato propozime i bëjnë krerët politikë në Serbi sa për konsum të brendshëm, megjithatë ato ndikojnë negativisht në dialogun që po zhvillohet në mes të të dyja vendeve.
Kuçi ka thënë se veriu i Mitrovicës është pjesë e Republikës së Kosovës dhe atje do të zbatohet pakoja e Ahtisaarit, të cilën ai e quajti kompromis të dhimbshëm të Kosovës.
“Ai është propozim i tyre i cili mund të jetë për konsum të brendshëm, i cili nuk ndikon mirë as në raport me dialogun, i cili mund të jetë iluzion. Pjesa e veriut është pjesë e Kosovës. Do të implementohet pakoja e Ahtisaarit që është kompromis i yni i dhimbshëm dhe nuk mund të ketë ballance tjera as etnike, as të të drejtave të komuniteteve, apo balance të ushtrimit gjeografik të sovranitetit. Serbia duhet të ketë kujdes që konsumi i brendshëm të mos i prishë raportet me të tjerët dhe unë besoj se ajo duhet ta marrë përgjigjen adekuate nga BE-ja”, ka thënë ai, raporton RTK./Indeksonline/
.....
Platforma e Serbisë për Kosovën kërkon autonomi territoriale për katër komunat në veri të Kosovës, si dhe për të gjitha “komunat serbe” në Kosovë.
Kjo platformë e cila në parim është e bazuar në kushtetutën serbe sipas së cilës “Kosova është pjesë e Serbisë u është shpërndarë zyrtarëve evropianë, Serbia shtron një seri kushtesh dhe kërkesash, të cilat – sipas përkthimit të kësaj platforme - ose duhet të përmbushen të gjitha, ose asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet.
Në këtë platformë, një kopje të së cilit e ka siguruar “Koha Ditore” gjithashtu thuhet se Beogradi kërkon që parimi kryesor i negociatave në Bruksel të jetë arritja e një pakoje të marrëveshjeve: “Asgjë nuk është dakorduar derisa gjithçka të mos jetë dakorduar”./Indeksonline/