Cohen: Po punojmë për njohjen e Kosovës nga Izraeli

Ambasadori izraelit në Tiranë, David Cohen ka deklaruar se po punohet për njohjen e Kosovës nga Izraeli.
Ai këtë e theksoi në intervistën ”Tonight” tek Ora News, duke theksuar se do të vij momenti për njohjen e Kosovës.
”Ne e vlerësojmë atë që ka bërë Shqipëria për hebrenjtë. Kryeministri Berisha e ka kuptuar që Izraeli është një shtet që do paqen, është pro një shteti të ri palestinez që nuk rrezikon Izraelin. Jemi shumë dakord që Shqipëria mbështeti idenë e Amerikës në OKB, edhe për Kosovën do të vijë një moment kur do të zgjidhet kjo çështje. Akoma Izraeli nuk e ka njohur Kosovën, por po punojmë për këtë çështje dhe pikërisht për këtë hapëm dhe Ambasadën për tu treguar që jemi këtu dhe çështjen e Kosovës do ta zgjidhim sa më shpejt. Megjithëse nuk e kemi njohur kemi kompani dhe marrëdhënie tregtare me Kosovën, s’ka shumë që është hapur një restorant izraelit në Kosovë, po kështu Izraeli jep viza të lehtësuara për kosovarët. Ne besojmë së pari në marrëdhëniet midis popujve së pari, më pas ato mes shteteve”, deklaroi diplomati izraelit.
Cohen lidhur me retorikën nacionaliste për 100 vjetorin e pavarësisë deklaroi se shqiptarët mundohen të kujdesen për qytetarët e tyre jashtë atdheut, si Izraeli./Indeksonline/