Arrestohet i 14-ti për vrasjen në Malishevë
Nga Express më 15 janar 2011 në ora 22:49
Andi Krasniqi, është personi i 14-të i arrestuar, si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e ndodhur më 1 janar në Banjë të Malishevës. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
Baki Kelani, zëdhënës i policisë ka bërë të ditur se arrestimi ka ndodhur gjatë së shtunës, afër Fakultetit Ekonomik në Prishtinë.
“Me urdhër të Prokurorit Publik, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë”, ka thënë Kelani. Me arrestimin e Andi Krasniqit, numri i të arrestuarve për vrasjen e Skender Limajt ka shkuar në 14.
Skender Limaj është vrarë mbrëmjen e 1 janarit, në pronën e tij në fshatin Banjë të Malishevës ndërsa janë plagosur edhe dy persona të tjerë. Gjysmë muaji më vonë, policia ende nuk ka dhënë motivet e këtij rasti.