Policia parandalon grabitjen e një bastoreje

Një njësit policor, i cili operon në rroba civile, ka parandaluar grabitjen e një lokali të basteve sportive në Prishtinë. Hetuesit policorë kanë ndaluar tre të rinj dhe tek ta ka gjetur një revole dhe një thikë.
Sikur njofton policia nëpërmes një komunikate shtypi, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 21, në rrugën “Ilaz Agushi”, në qytetin e Prishtinës.
Në fakt policët, të cilat operojnë në rroba civile, i kishin ndaluar tre të rinjtë pas dyshimeve për armëmbajtje pa leje.
“Në brezin e të dyshuarit Valon. B. është gjetur një revole e tipit Ekol special 99mm me një karikator me pesë fishekë dhe një thikë flutur, të cilat menjëherë janë konfiskuar”.
Personat e dyshuar Valon B. (1992); Xhelal M. (1992) dhe Arben B. (1986) janë sjellë në stacion policor për intervistim.
“Gjatë intervistimit provave dhe fakteve të mbledhura nga hetuesit policorë është kuptuar se tre të dyshuarit kanë planifikuar në mënyrë të organizuar të kryenin veprën penale të grabitjes në një bastoreje në kryeqytet dhe një gjë të tillë edhe vetë të dyshuarit e kishin pranuar”, saktëson policia.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me urdhër të tij, tre të dyshuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që janë duke u përgatitur të gjitha procedurat për procedim të mëtutjeshëm të rastit.