Ministria maqedonase heq fotot me homologët shqiptarë

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë nuk reflekton frymën e barabarësisë në planin e bashkëpunimit rajonal, duke shfaqur në sipërfaqe një skandal të kësaj natyre.
Skandali rezulton me faqen e internetit dhe fotot kryesore të publikuara të ministrit të këtij dikasteri, Zoran Konjanovski, ku mungojnë fotot me homologët e Mbrojtjes nga Shqipëria e Kosova, Arben Imami dhe Fehmi Mujota, ndërsa figurojnë të gjitha shtetet tjera të rajonit dhe ato fqinje, informon agjencia e lajmeve INA.
Albumi i fotove i pasqyruar në kreun e ballinës së faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes nis me foton e ministrit Konjanovski me homologun serb Dragan Shutanovac, duke vijuar më pas me fotot e homologëve të tjerë të vendeve fqinje.
Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë për agjencinë e lajmeve INA se nuk ka asnjë tendencë për nxjerrjen e këtyre fotove, por sipas tyre bëhet fjalë për çështje teknike.
Ministria e Mbrojtjes është njëra ndër ministrit ku shqiptarët nuk kanë asnjë lloj niveli të përfaqësimit, ku ministri, zëvendësministri, sekretari shtetëror dhe të gjitha drejtoritë e sektorët kryesorë udhëhiqen nga kuadro maqedonase.
Sipas një raporti të nivelit të lartë të përfaqësimit në Ministrinë e Mbrojtjes, nga 11 këshilltarë shtetërorë, asnjë nuk është shqiptar; nga 13 sektorë vetëm një udhëhiqet nga një kuadër shqiptar. Gjithashtu Drejtoria e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kryeshefat e 9 seksioneve që të gjithë udhëhiqen nga maqedonas. Po ashtu edhe në nivelet e tjera rezulton një numër simbolik i përfaqësimit të kuadrove shqiptare. (INA)