E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harmonizohen për Martyn

Nga Express më 15 janar 2011 në ora 22:00

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është duke punuar për harmonizimin e qëndrimeve me grupet parlamentare të VMRO-DPMNE’së dhe LSDM’së për pozicionin që do të mbajë Maqedonia në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kështu deklaroi Kryetari i BDI’së, Ali Ahmeti, pas takimit që e pati të shtunën me Ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Skënder Durmishi, në Ambasadën e Kosovës në Shkup.
“Ne do të përpiqemi që t’i harmonizojmë qëndrimet me deputetë të grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE’së, LSDM që të dalim me qëndrime unike në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës. Sa u takon qëndrimeve të partive politike shqiptare, qëndrimeve të deputetëve shqiptarë, ato dihen - janë unike, por ne përpiqemi t’i harmonizojmë dhe koordinojmë këto qëndrime edhe me deputetë joshqiptarë”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, duke folur për raportet Kosovë-Maqedoni, Ambasadori Durmishi tha se bashkëpunimi midis dy vendeve ka rëndësi të veçantë, ndërsa përmendi edhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve midis Kosovës dhe Maqedonisë.

“Nuk ka alternativë bashkëpunimi, integrimet e mëtejme janë alternative më e mirë dhe rruga më e mirë që sjell rezultatet jo vetëm për dy vendet, por është edhe interes i rajonit. Unë i transmetova kryetarit Ahmeti disponimin e Qeverisë së Kosovës, Prishtinës zyrtare, që nga Shkupi të marrim sa më shpejt edhe lajmin e mirë për anëtarësimet, integrimet euroatlantike, anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, që është një lajm i mirë dhe pritet me disponim të mirë gjithmonë edhe në Kosovë”, ka thënë ambasadori Durmishi.

Ndryshe, Ahmeti dhe Durmishi vlerësuan se bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kosovës reflekton edhe brenda rajonit të Ballkanit. Prioritet për dy vendet, sipas tyre, mbetet bashkëpunimi në të gjitha fushat si ato politike, zhvillimin ekonomik, infrastrukturë dhe energjetikë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›