E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i arratisuri nga Rinasi

 

Personi i kërkuar që u arratis nga policia e Rinasit gjatë deportimit nga Italia, qëndroi vetëm pak orë në liri pasi ra në prangat e policisë. Flamur Toska është larguar nga stacioni i policisë së Rinasit mbrëmjen e të dielës ndërsa po jepte shenjat e gishtave si të gjithë udhëtarët e tjerë. Arratisja e tij ka qenë e pamundur të parandalohet edhe nga grupi i policëve që po e prisnin ta shoqëronin në komisariat, madje as nga të shtënat me armë në ajër, kur 26-vjeçari po largohej drejt makinës që e priste në dalje të Rinasit. Burimet zyrtare nga policia e Tiranës thanë se ngjarja ishte e mirëorganizuar që më parë dhe familjarët e të arratisurit kanë qenë të informuar për depërtimin, që kur avioni është nisur nga Bolonja e Italisë në drejtim të Aeroportit të Rinasit. Një ushtarak, i cili është vëllai i të arratisurit, ka qenë ai që e priste te rrethrrotullimi i aeroportit me një makinë tip “Audi” me targa të huaja. Policia është vënë në ndjekje të të arratisurit përgjatë gjithë autostradës, por sapo ka kaluar nënkalimin te Kthesa e Kamzës, makina me të cilën po largohej Flamur Toska ka humbur nga sytë e policëve. Liria e tij nuk ka zgjatur shumë, pasi brenda pak orëve është zbuluar vendstrehimi i të arratisurit që po qëndronte në një banesë të të afërmve në afërsi të Institutit Bujqësor në Tiranë. Pas arrestimit Toska është shoqëruar në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe së shpejti do të përballet me drejtësinë edhe si person i shpallur në kërkim, i dënuar me një vit e gjysmë burg për vjedhjen e një benzi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por edhe për arratisjen nga Komisariati i Rinasit.
SKEMA E ARRATISJES
Mëngjesin e së dielës, policia shqiptare është lajmëruar nga Italia se Flamur Toska do të deportohej pasi ishte kapur me dokumente të falsifikuara. Edhe pse 26-vjeçari rezultonte person në kërkim, i dënuar me një vit e gjysmë burg, policia nuk ka marrë masa të veçanta sigurie, siç procedohet në rastet e ekstradimeve, por masa normale si në raste deportimesh dhe Toska shoqërohej vetëm nga një polic dhe i pa prangosur. Pasi ka kaluar terminalin e Aeroportit “Nënë Tereza”, rreth orës 19:00, 26-vjeçari është drejtuar te zyrat pranë Komisariatit të Rinasit, ku do të jepte gjurmët e gishtave. Sipas burimeve nga policia bëhet e ditur se në atë moment polici që e shoqëronte ka qenë duke e pritur jashtë zyrës dhe brenda ndodhej një police femër, e cila do të kryente procedurat. Flamur Toska është futur brenda duke pirë cigare dhe vajza me uniformë i ka thënë që të dilte jashtë të fikte cigaren, pasi brenda nuk lejohet konsumimi i duhanit. Siç duket ky ka qenë momenti më i përshtatshëm, që 26-vjeçari të realizonte atë që kishte planifikuar me vëllain e tij, e cili e priste me një makinë në dalje të aeroportit. Sapo ka dalë nga zyra, ai ka shtyrë policin që e priste jashtë dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të makinës që e priste te rrethrrotullimi i aeroportit. Polici roje ka kërkuar përforcime, duke lajmëruar për arratisjen e 26-vjeçarit. Në këtë kohë polici ka qëlluar 2 herë në ajër, në mënyrë që të parandalonte largimin e 26-vjeçarit, i cili ka vazhduar rrugën duke hipur në makinë dhe është larguar bashkë me vëllain. Një grup special policie është vënë në ndjekje të tij dhe vetëm pas 6 orësh, nga momenti që është larguar, rreth orës 01:30 ai është arrestuar në një banesë private, ku ai po fshihej, në Institutin Bujqësor dhe kushërinjtë e tij.  

Arratisja, hetim policëve të Rinasit për zbatimin e ligjit

TIRANE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka filluar menjëherë hetimet për ngjarjen e ndodhur në Rinas, me largimin e të kërkuarit nga duart e policisë. Burime zyrtare të Ministrisë së Brendshme, thanë se një grup oficerësh të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm janë duke dokumentuar ngjarjen si dhe veprimet e kryera nga efektivat e policisë. Sipas ministrisë, objekti i hetimit janë punonjësit e policisë së Rinasit dhe verifikimi nëse ata i kanë dhënë ndonjë ndihmesë apo kanë neglizhuar në ndonjë moment që është përdorur më pas nga i arratisuri. Hetuesit mësohet se kanë evidentuar të gjithë punonjësit e policisë që kanë qenë në shërbim në momentin që ka ndodhur ngjarja. Më pas është përcaktuar pozicioni ku ndodhej i arratisuri në momentin që i shpëtoi policisë, çka ka sqaruar se ambienti ka qenë krejt i hapur duke i dhënë mundësi largimi 26-vjeçarit. Verifikimet kanë vazhduar më tej me anë të marrjes në pyetje të efektivave të policisë dhe verifikimit të të dhënave nga kamerat e sigurisë dje rrjetit kompjuterik. Burimet nga Ministria e Brendshme nuk komentuan këtë hetim por thanë se qëllimi është të evidentohet nëse ligji është zbatuar korrekt nga efektivat e policisë së Rinasit. Ndërkaq hetimet e policisë mbi ngjarjen e ndodhur në aeroport, kanë arritur të zbulojnë se arratisja ka qenë e paramenduar deri në detaje nga 26-vjeçari dhe vëllai i tij. Ky i fundit, i cili po priste kthimin e të kërkuarit nga Italia, mësohet se disa orë para ngjarjes ishte interesuar në aeroportin e Rinasit për kohën e mbërritjes së avionit të radhës nga Italia. Më pas ai është kthyer dhe ka qëndruar me makinën e tij në dalje të aeroportit, derisa i kërkuari i shpëtoi policisë dhe mbërriti tek automjeti që ndodhej në pritje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Ngjarja në fjalë mësohet se është bërë shkak që policia e kryeqytetit dhe Ministria e Brendshme të analizojë në detaje arratisjen me qëllim marrjen e masave për parandalimin e rasteve të tilla të ngjashme. Ndërkohë hetimi për rrethanat e arratisjes dhe ndonjë mangësi në shërbimin policor, që mund të jetë shfrytëzuar nga 26-vjeçari është ende në fazën fillestare të tij. Ministria e Brendshme nuk përjashtoi marrjen e masave ndëshkimore në rast se punonjësit shtetërorë rezultojnë me qëndrim jo korrekt e ligjor në detyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›