E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën 5 milionë, u ikin RENEA-s

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Dështon operacioni i forcave të RENEA-s për arrestimin e dy personave të dyshuar si të implikuar në grabitjen e 5 milionë lekëve në mes të qytetit të Lezhës. Operacioni është zhvilluar rreth orës 02:00 të së dielës, paralelisht në Lezhë dhe në Mamurras. Burime të policisë bënë të ditur se në sajë të metodave të specializuara të hetimit ishte arritur të identifikoheshin dy të dyshuar si autorë të grabitjes spektakolare të parave të destinuara për pensionistët. Por në momentin e fundit, autorët, emrat e të cilëve për efekt hetimi nuk bëhen të ditur, kanë arritur të largohen. Në fakt operacioni i dështuar i RENEA-s është mbajtur sekret nga policia e Lezhës. Por burime nga grupi që ka marrë pjesë në këtë operacion konfirmuan faktin se në momentin e ndërhyrjes, personat kishin mundur të largohen. Operacioni është zhvilluar paralel, ndërsa mësohet se njëri prej tyre ka shkëmbyer zjarr me forcat speciale gjatë tentativës për t’u larguar. Sipas burimeve, policia e Lezhës ka kërkuar mbështetjen e forcave të RENEA-s për arrestimin e të dyshuarve për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqisnin. Mësohet se personi i dyshuar nga Lezha ka precedentë të mëparshëm penale. Burimet pohuan se dyshohet që ai të jetë autor i disa grabitjeve, por i implikuar edhe në krime më të rënda, si vrasje. E njëjta dosje kriminale dyshohet edhe për personin tjetër nga Mamurrasi, i cili është bashkëpunëtor në grabitjen e parave punonjësve të postës së Lezhës dhe punonjësit të shërbimit të bankës. Për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqisnin, blutë e Lezhës i kërkuan RENEA-s përforcime në mënyrë që aksioni të finalizohej me sukses. Operacioni në Lezhë u zhvillua në një nga hotelet e këtij qyteti. Policia në sajë të metodave të specializuara kishte lokalizuar vendndodhjen e të kërkuarit. Ai kishte disa kohë që strehohej në hotel për t’u shpëtuar prangave. Policia pas dyshimeve të saj kishte kryer kontroll disa herë në banesën e tij në Lezhë, por ai asnjëherë nuk ishte gjendur në shtëpi. Burimet bënë të ditur se forcat e RENEA-s kanë trokitur në derën e dhomës ku ai strehohej, në katin e katërt të hotelit. Por i kërkuari, i cili mësohet se është rreth të 30-ve, ishte larguar. Dyshohet se ai ka arritur të arratiset nga dritarja, duke përfituar edhe nga disa tarraca të objekteve të tjera që ndodheshin ngjitur me të. Forcat speciale kanë hapur më pas forcërisht derën. Ata kanë gjetur disa sende personale të së kërkuarit, ndërsa rrobat ku ai flinte ishin ende të ngrohta, çka konfirmonte faktin se ai ishte larguar vetëm disa minuta para mbërritjes së tyre. Në të njëjtën orë RENEA kreu operacionin për arrestimin e një tjetër të kërkuari në Mamurras. Por edhe i kërkuari i dytë arriti të largohet në momentin e fundit nga banesa. Madje, ai i është kundërpërgjigjur aksionit me armë zjarri. Për fat të mirë asnjë nga forcat e këtij operacioni nuk u plagosën. Sipas burimeve, goditja në të njëjtën orë e dy të shumë-kërkuarve dhe çarja e rrethimit nga ana e tyre lë dyshime për dekonspirim nga punonjës të policisë lokale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›