Maunet bllokojnë Qafë-Malin, izolohen autobusët me nxënës
KUKES – Bllokohet sërish aksi nacional Kukës-Tiranë, në afërsi të Qafë-Malit. Autobusë të mbushur me nxënës nga shkollat kosovare që kishin destinacion Sarandën e dhjetëra vetura e mjete të tjera mbetën dje që nga pasditja e deri në mbrëmje të izoluar nga bora. Ndonëse moti i mirë ndihmoi në pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj, kalimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është bërë shkak këtë herë për të krijuar radhë të gjata të automjeteve. Dëshmitarë nga vendi i bllokimit pohuan se, pas disa ditësh nga paralizimi i lëvizjeve prej borës që ra fundjavën e shkuar, mjetet dhe forcat e ndërmarrjes së rrugëve kishin mundësuar hapjen e aksit për mjetet e vogla dhe autobusë. Prej së premtes u ndalua nga policia kalimi i mauneve dhe automjeteve të tjera të tonazhit të lartë për të vazhduar udhëtimin nga dogana e Morinit për në brendësi të Shqipërisë ose anasjellas. Ky vendim u mor pikërisht për të shmangur bllokimin e rrugës, në anët e së cilës bora ka zënë një shtresë që i kalon 1 metër. Por, dje lëvizjet kanë rinisur, duke u zënë sërish në grackën e borës, në pikën më të vështirë të qarkullimit nga Kosova, në Qafë-Mali. Mes të bllokuarve numërohen dhjetëra automjete e rreth 20 autobusë, këta të fundit kryesisht me nxënës të shkollave nga qytete të ndryshme kosovare, që kishin si destinacion jugun e vendit tonë, Sarandën. Situata është bërë më e rëndë në orët e mbrëmjes, për shkak të uljes së mëtejshme të temperaturave dhe faktit që asnjë nga udhëtarët nuk ishte përgatitur për këtë gjendje. Forca policie kanë mbërritur në Qafë-Mali të Pukës, por deri në mbrëmje pa mundur të zhbllokojnë mjetet. Dhjetëra makina të tjera kanë mbetur përgjatë rrugës nacionale prej ditës së parë të nisjes së borës, në pamundësi për të vazhduar udhëtimin, deri në hapjen e plotë të rrugës. Në këtë rast, mjetet borëpastruese dhe angazhimi i forcave përgjegjëse ka qenë i dobët, duke provokuar mbetjen për ditë të tëra të makinave me njerëz. j.h