E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati i shembur, gjyqi nis më 6 prill

 

GJIROKASTER - Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër hedh shortin për të përcaktuar datën e seancës së parë të gjyqit për pallatin e shembur më 9 nëntor. Në këtë çështje janë 7 të pandehur, të akuzuar si shkaktarë të shembjes së godinës 5-katëshe në lagjen “11 janari” të Gjirokastrës, ku humbën jetën 3 vetë, u plagosën të tjerë e të gjithë mbetën të pastrehë. Burime zyrtare pohuan se kreu i kësaj gjykate Desard Avdulaj është caktuar të gjykojë dosjen, ndërsa seanca e parë do të çelet më 6 prill. Dhjetë ditë më parë, Prokuroria e Gjirokastrës dorëzoi në gjykatë dosjen hetimore për ngjarjen e 9 nëntorit. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, akuza pushoi çështjen penale ndaj konstruktorit Luan Bufi, arkitektit Njazi Çobani, gjeologut Thanas Llahana, si dhe aksionerit të firmës sipërmarrëse “Arti-Ndërtim”, Aristotel Haxhi. Ndërkohë Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së, Alfred Mamani, ish-shef i urbanistikës, Admir Shehaj përgjegjës në Inspektoratin e Ndërtimit, Gergji Meçe inxhinier i firmës “Arti”, Jani Ndriço, ekskavatorist, Sotiraq Janora presidenti dhe drejtuesi teknik i shoqërisë së ndërtimit, do të gjykohen për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë, vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, si dhe shkatërrim të pronës me dashje. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër në lagjen “11 Janari”, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij.                                                             p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›