E Diel, 1 Nëntor 2026

Parada e hipokrizisë së lakuriqëve

Andis Harasani 

Tre muaj e pak përpara përfundimit të mandatit katërvjeçar të qeverisjes që nuk meritojmë, politika që kërkon të riciklohet sërish, jep sërish shfaqje qesharake. Dhe këtu nuk është fjala për maratonat e vrapimit me fëmijë, që dhe një ditë pushimi jua rrëmbejnë për t´u dukur të dashur me fëmijët. Nuk është fjala për ngërçin problematik të prodhimit të kartave të identitetit, një mjet i padiskutueshëm për standardin e zgjedhjeve. Nuk është fjala as për retorikë shterpe dhe autoduartrokitje për punë të pakryera apo punë të kryera keq. Të dielën, kryeministri na dha një tjetër shfaqje të vesit të tij të lidhur me gënjeshtrën dhe manipulimin. Në minutat e pafundme televizive që mori në ekranet e televizioneve, ai hyri në çdo shtëpi shqiptari me paradën e tij të zakontë të hipokrizisë. Po të dielën, një dërgatë e Partisë Socialiste ndodhej në Tropojë. Në Tropojë takuam qindra e qindra banorë, edhe ata, të ashpër, krenarë dhe të fortë. Në kthim, në Tiranë dëgjova konferencën e shtypit të kryeministrit, sipas stilit të tij të zakontë. I lindur në Tropojë, Berisha nuk ka mundur të shkojë në këtë qytet që prej 12 vjetësh. Por nepsi i tij për historinë nuk e la mënjanë përmendjen prej tij të Tropojës, pikërisht në ditën kur së paku duhet të heshte për të. Me hipokrizi, njeriu që vite më parë i ishte betuar Hipokratit për të kuruar të sëmurët, tha se kishte pritur që Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet të kishin kërkuar falje për gjithë atë tragjedi varresh të hapur në këtë qytet, bëri krahasime për viktimat që nga fillimi i shekullit me ata që janë vrarë mbas vitit 1997, u “fsheh” nën luspa krokodili për dhembjet e krahinës dhe qau me lotët e tij të pasinqertë për vendin ku ende nuk shkel dot. Kryeministri pretendoi se PS-ja duhej të kërkonte falje për varret e hapura në Tropojë. ”...prisja që Edi Rama të kërkonte të falur, t’i kërkonte të falur Tropojës. Rama duhet t’u kërkonte të falur atyre nënave, atyre familjeve për varret që hapën bandat me grada dhe uniforma policie, do ta bënte këtë”, tha të dielën kryeministri nga Tirana. Sa për detaj; nënkryetari i sotëm i Kuvendit, zgjedhur me votat e tij dhe aleat i tij në zgjedhjet që kemi në prag, ka qenë pikërisht në këtë periudhë ministër i Rendit. Rama atëherë nuk ishte përfshirë në politikën aktive. Kaq sa për histori, për të nënvizuar faktin se në këtë rast, si dhe në shumë të tjerë, kryeministri nuk ka asnjë lidhje me historinë, asnjë lidhje me të vërtetën. Atë të vërtetë që e pengon kryeministrin të shkojë në vendlindjen e tij.
Unë isha në Tropojë dhe askush nga ata qindra e qindra gra e burra malësorë, nuk e kërkoi një gjë të tillë nga forca jonë politike.
Qoftë dhe një qytetar i vetëm të kishte ngritur gishtin e akuzës ndaj nesh, sikur qoftë dhe një i vetëm të kishte kërkuar pendim nga ne, sikur qoftë dhe një i vetëm të kishte akuzuar, kjo gjë mund të kishte një kuptim dhe ia vlente të diskutohej, por e thënë nga tropojani Berisha në Tiranë, akuza ngjan më shumë se qesharake.
Por gënjeshtra dhe akuza ndaj të tjerëve pikërisht për atë çfarë të akuzojnë vetë, ishte gjithashtu vetëm një detaj në ligjëratën e pafundme të kryeministrit. Berisha ripërsëriti edhe njëherë Kodin e Vdekjes dhe respektin për të. Foli për Gërdecin, për të cilin për një vit rresht ka dashur të na bëjë të besojmë se nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në jetë, foli për të ndjerin Kosta Trebicka që në ngjallje e kishte quajtur mafioz, foli dhe për teorinë e gabimit, nga e cila thotë se nuk është i përjashtuar as ai vetë. Në mënyrën e tij tipike të të shprehurit, ai e “neutralizoi” tragjedinë e Gërdecit, viktimat e tij, jetët e ndryshuara për keq pakthyeshmërisht, milionat e hedhura në erë, fare thjeshtësisht: me ca pak vota të marra në Kashar për kryetar komune. I vuri një shenjë barbare barazimi njërës e tjetrës dhe kaloi më tutje. Me fjalë të tjera, ai na thotë se edhe kur vret, edhe kur vjedh, madje edhe kur tenton të përdhunojë për shkak të pushtetit, mjafton që ai të marrë vota dhe është në rregull. Dhe vota e nesërme është vendi ku çalon sot e gjithë ditën logjika e kryeministrit.
Berisha e çoi të dielën gjuhën tek “dhëmbi” i tij, tradicionalisht i sëmurë: tek zgjedhjet që janë në prag. Ai kërkoi sërish pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti, duke mos pranuar edhe njëherë që të afrojë ca pak para për të shpërndarë falas kartat për shqiptarët. E thënë më ndryshe, duke kërkuar që të mënjanojë votën e të varfërve të këtij vendi, të cilët ai i shtoi gjatë qeverisjes së tij. Dhe çfarë afroi në këmbim të propozimit të opozitës për t’i dhënë kartat falas për të gjithë shqiptarët? Ftoi kryetarin e PS-së, që megjithatë atë vetë, të shkonte të merrte dhe ai kartën e identitetit që kushton 10 dollarë. Edhe pse Rama apo kryeministri mund të shkojnë në votim, siç parasheh dhe Kodi Zgjedhor, edhe pa kartën e identitetit. Sepse kryeministri ka një pasaportë të vlefshme për jashtë. Ka një pasaportë diplomatike. Nuk jam i sigurtë nëse Berisha e ka humbur këtë dokument e ndaj kërkon edhe kartën e identitetit për zgjedhje, por në një rast të tillë, do të bënte mirë ta denonconte këtë humbje para se dikush tjetër të përdorte në vend të tij pasaportën blu.
Përpara ftesave të tilla plot demagogji, Berisha do të bënte mirë që të zëvendësonte një tufë me spote publicitare që duartrokasin “arritjet” e qeverisë së tij, me spote për ndërgjegjësimin e qytetarëve për pajisje me karta. Dhe për më shumë, ai vetë i pari duhet të respektojë vendimin e qeverisë që ka firmosur vetë, për prioritetin e pajisjes me kartë të qytetarëve që nuk kanë pasaportë. Rëndësinë e kartave e di gjithkush, por ai vetë nuk ka pse të zërë radhën e qytetarit tjetër që do të shkojë në votime me kartë dhe për më shumë, të vazhdojë të bëjë demagogji dhe të mos japë asnjë qindarkë për të paguar koston e kartave, e papërballueshme për shumë e shumë qytetarë të thjeshtë.
Në paradën e gjerë dhe të gënjeshtërt të sukseseve që Berisha i veshi vetes të dielën, në përpjekje që me to të mbulojë trupin e tij lakuriq, kërkoi të na bëjë të gjithëve budallenj dhe të verbër. Sepse ai i pari nuk i beson gënjeshtrave të tilla. Njëlloj si një gënjeshtër të përditshme që e tregojnë si anekdotë. Dikur, në korrik të 2005-ës, dikush kërkoi një hidraulik për të bërë ca punime në shtëpi. I rridhte lavamani, i lëviznin dy a tri pllaka në tualetin e shtëpisë, kurse në kuzhinë, muri kishte marrë lagështi. Ky dikush, mori një paradhënie në formë besimi, hyri në shtëpinë e huaj si padron i saj, terrorizoi të madh e të vogël që ndodhej brenda, ulëriu deri vonë në mbrëmje, rrëmoi nëpër sirtarë për të mbledhur për xhepat e tij “kursimet” e asaj familjeje dhe në fund të ditës iu tha se do të rikthehej dhe të nesërmen. Arsyeja: u kishte shtruar me pllaka ballkonin! Kështu dhe Saliu ynë i dytë që po ju kërkon shqiptarëve ta besojnë për herë të tretë. Erdhi në pushtet duke premtuar se do të luftonte korrupsionin, por sot ai vetë personalisht dhe njerëzit e tij më të afërt në familje e qeveri, janë të përfshirë në aferat më të mëdha korruptive që ka parë ky vend; erdhi në pushtet me premtimin për siguri e mbrojtje të jetës së individit, por i kërkoi dhe i gjeti qytetarët e pafajshëm deri në kodrat e Gërdecit për t’jua çuar vdekjen në prag; premtoi moral në qeverisje, por e shndërroi moralin e tij në peng të mbërtheckave që e kanë marrë peng; premtoi drita, por solli vetëm copa letrash me koncesione të çuditshme; premtoi turizëm elitar, por nxitoi të ndërtojë fabrika çimentoje. Premtoi karta identiteti, por u thotë shqiptarëve si KESH-i: paguani ta keni! Premtoi të rishkruajë historinë e dikurshme, por gënjen në çdo fjalë dhe për historinë e sotme. Erdhi kokulur si shërbëtor i publikut, por është sjellë ditë mbas dite si pronar i këtij vendi, si pronar i të shkuarës dhe të nesërmes së tij.
Ndaj kurrë nuk është vonë për të përsëritur e përsëritur që ai duhet të ikë. Të ikë që të ketë kohë të turpërohet, të ikë që të ketë kohë të pendohet! Të ikë me votë, të ikë duke iu dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve që të ushtrojnë sovranitetin e tyre në 24 orëshin e datës 28 qershor, me atë dinjitet evropian që ai megjithatë, nuk do të mundë t’ua marrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›