E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, dallgët rrezikuan tre peshkatarë

 

FIER - Kanë rrezikuar seriozisht jetën në momentin që kanë hyrë në det për të tërhequr rrjetat e peshkimit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në ujërat e detit Seman, kur 3 vëllezërit Edmond, Aleksandër dhe Fatmir Lulaj kanë hyrë për të tërhequr rrjetat e peshkut të hedhura një natë më parë. Të tre shtetasit, banorë të fshatit Topojë të komunës së Semanit nuk kanë arritur të kuptojnë kushtet atmosferike. Vëllezërit Lulaj kanë parë që deti ishte i qetë e janë drejtuar me varkën e tyre për në det, por rryma i ka çuar më shumë se katër milje larg bregut, duke mos pasur më asnjë mundësi kthimi. Menjëherë sapo kanë ndjerë rrezikun të tre vëllezërit kanë telefonuar Policinë Kufitare për t’u ardhur në ndihmë, ndërkohë që moti ishte përkeqësuar e dallgët ishin shtuar. Të alarmuar nga situata, banorë të zonës përreth, pronari i një lokali, Policia e Rendit dhe Policia Kufitare kanë mbërritur menjëherë në vendin nga ku ishin nisur peshkatarët e prej aty janë drejtuar për në det me anë të një skafi. Në të njëjtën kohë, ndërsa forcat e policisë vazhdonin operacionin e shpëtimit, të tre vëllezërit kanë arritur të kthehen në breg me varkën e tyre, duke shprehur vetëm frikën e një aventure të tillë.                   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›