E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet i dyshuari, 10 muaj më parë plagosi një person



DURRËS – Një 27-vjeçar i cili ishte i vetmi që kërkohej për plagosjen e një moshatari në qytetin e Durrësit afro një vit më parë, është arrestuar nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se Elton Lama, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 të qytetit bregdetar, u arrestua dje nga forcat e Drejtorisë së Policisë Durrës. “Arrestimi i Lamës u bë për të ekzekutuar një vendim penal të datës 25 janar 2008 të Gjykatës së Rrethit Durrës, ku ndaj 27-vjeçarit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”. Kjo masë sigurie erdhi për veprat penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. I riu dyshohet se më 1 dhjetor të vitit 2007, rreth orës 19.00, në lagjen Nr. 1 Durrës e pikërisht tek bar “Montenegro”, gjatë një grindje të çastit, ka plagosur shtetasin A. I. Tashmë ai do ti nënshtrohet procesit të gjykimit për veprën penale që ka kryer.

Prerja e pyjeve, ndalohen 10 persona

DIBËR - Drejtoria e Policisë së Qarkut të Dibrës ka ndaluar 10 persona, të dyshuar për prerje të paligjshme pyjesh, ndërsa pritet të nisin hetimet edhe për drejtuesit e strukturave të ndërmarrjes pyjore. Sipas burimeve zyrtare, mbrëmjen e së hënës është ndërmarrë një aksion për të ndaluar prerjen e pyjeve të zonave malore. Në përfundim të aksionit janë ndaluar 10 automjete të tonazhit të rëndë të ngarkuar me lëndë drusore. Burimet nga policia vendore pohojnë se 6 automjete janë kapur në zonat e Peshkopisë dhe 4 të tjera në zonat e Burrelit. Të ndaluarit do të akuzohen për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërsa është hapur edhe një hetim për shpërdorim detyre nga punonjësit e policisë pyjore.

Abuzimet me pensionet, hetime për 88 dosje

ELBASAN - Gjatë kontrollit që Drejtoria Rajonale e Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka ushtruar në dokumentet mbi të cilat janë lidhur pensionet e qytetarëve, është konstatuar se 88 dosje pensioni përmbajnë falsifikime. Ky fakt është pohuar nga drejtori i Drejtorisë Rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Pavlo Jorgaqi. “Nga këto dosje të parregullta, 53 kanë të bëjnë me qytetarë të cilët pretendojnë se kanë punuar në minierën e Katjelit, në Prrenjas, por kontrolli ka vërtetuar se ata nuk kishin punuar në minierë", - tha Jorgaqi. Ai shtoi gjithashtu se në 35 dosje pensioni pleqërie janë konstatuar parregullsi që lidhen me moshën e pensionistëve ose probleme të tjera me certifikatat. Sipas drejtorit të ISSH-së, të gjithë ata që kanë përfituar padrejtësisht pensionin e pleqërisë, sipas ligjit do të detyrohen t'i kthejnë të gjitha shumat e përfituara, si dhe gjobat përkatëse.

Shkrumbohet makina me targa italiane, dyshohet për zjarrvënie

FIER – Pas djegies së disa autobusëve të transportit të udhëtarëve, një tjetër mjet është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Fierit. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se një mjet tip “Volksvagen” me targa italiane, është djegur. Ka qenë ora 4.00 e mëngjesit kur në lagjen “Kryengritja e Fierit”, është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm që ka tronditur pallatet e përreth vendit ku ndodhi ngjarja. Një mjet zjarrfikës ka bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Makina është djegur plotësisht dhe më pas ka ardhur edhe policia. Shumë familje të pallatit ku ishte parkuar makina, janë trembur pasi zjarri ka arritur deri në katin e dytë të pallatit. Duhej ndërhyrja në kohe e zjarrfikëses që ka mundur që zjarri të mos digjte dritaret e pallatit. Pronari i kësaj makine me inicialet R. T., është marrë në pyetje nga policia. Tre ditë më parë u dogjën disa autobusë në Parkun e Udhëtarëve në qytetin e Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 12 milionë lekësh.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›