Çështja “Trebicka”, ekspertët lokalë i dërgojnë rezultatet e hetimit prokurorisë
KORÇË - Ekspertiza shkencore që Policia e Korçës i dorëzoi dje Prokurorisë së këtij rrethi, përcakton si aksident shkakun e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka, i cili humbi jetën më 12 shtatorin e kaluar. Ekspertiza u krye nga specialistë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Korçës dhe u dorëzua në Prokurorinë e këtij rrethi, që drejton hetimet për vdekjen e Kosta Trebickës, i cili gjeti vdekjen në një rrugë rurale midis fshatrave Lekas dhe Voskopojë, siç përcaktohet në ekspertizë, "nga një aksident i shkaktuar prej devijimit nga rruga të automjetit me të cilin po udhëtonte"."Nga ekspertiza shkencore ka dalë që shkaku i aksidentit të biznesmenit Kosta Trebicka, ishte devijimi nga rruga i mjetit me të cilin ai udhëtonte dhe kishte dalë për gjah", bënë të ditur burime zyrtare nga Prokuroria e Korçës. Për shkak të hetimeve të mëtejshme mbi këtë çështje, këto burime nuk dhanë hollësira mbi raportin e ekspertimit të Policisë së Korçës. "Përfundimet e këtij raporti janë të ngjashme me ato që ka arritur edhe pala amerikane me specialistë autoteknikë, të cilët hetuan shkakun e aksidentit të Trebickës", theksuan burimet zyrtare të Prokurorisë së Korçës. Megjithëse kanë dalë konkluzionet edhe nga eksperti amerikan Teter, por së fundi edhe nga ekspertët lokalë në Korçë, sërish qarkullojnë dyshime në lidhje me rrethanat e vdekjes misterioze të dëshmitarit kyç të çështjes së Gërdecit, i cili denoncoi në mediat amerikane personat e përfshirë në aferën e trafikimit të armëve dhe municioneve.
14 Tetor 2008