Universitetet, zbardhen 3831 kuotat për fazën e tretë të pranimeve
Jonida Tashi
Zbardhet shpërndarja e afro 4 mijë kuotave të lira në të gjitha universitetet publike të vendit. Ministria e Arsimit bën publike tabelën e kuotave të parealizuara në fazën dytë të pranimeve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2008-2009. Ndërsa përsa i përket mënyrës së shpërndarjes së kuotave të mbetura bosh ministri i Arsimit ka deklaruar se kuotat e lira do të jenë për të gjithë ata maturantë, që nuk kanë pasur mundësi të konkurronin deri në fazën e dytë të regjistrimeve për në universitete. Kështu, në bazë të parimit Meritë dhe Preferencë këta maturantë mund të aplikojnë përsëri dhe të mund të kualifikohen në degët që ofrohen. Mundësia për të ndjekur këtë vit studimet e larta është ofruar për të gjitha degët e universiteteve, pasi minimalisht janë shtuar 5 kuota të lira për të gjitha degët që kanë qenë të mbushura 100 për qind, si edhe për ato degë që kanë pasur kuota të lira. Shansi për tu ulur në
auditorët e universiteteve këtë vit akademik u jepet të gjithë atyre maturantëve, të cilët janë regjistruar tashmë jo në preferencën e tyre të parë, por në preferencën e dytë apo më tej.
15 Tetor 2008