E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes pronari i pikës të tregtimit të gazit ku ndodhi shpërthimi në Lapardha



BERAT - Ndërron jetë në spitalin italian pronari i pikës së tregtimit të gazit, që shpërtheu ditë më parë në Lapardha. Pas viktimës së parë, 9-vjeçares, Artenisa Cani, mbrëmjen e dy ditëve më parë u shënua viktima e dytë e shpërthimit. Beqar Cani, 39-vjeç, edhe pas trajtimit në spitalin e Brindisit. Ai nuk ka mundur t’i shpëtojë dot vdekjes për shkak të djegieve të shumta që mori në trup. Ngjarja ndodhi në fund të muajit shtator, në kohën që familja Cani po furnizonte pikën e tregtimit të gazit të lëngshëm. Artenisa, vajza e shtëpisë, ndodhej në një nga magazinat e dyqanit të tregtimit të gazit në kohën e shpërthimit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme. Nga shpërthimi, mbetën të plagosur Beqar dhe Suzana Cani, si dhe Pashanjev Ago, drejtuesi i mjetit që transportonte gazin. Ata u dërguan me urgjencë në Tiranë për mjekim të specializuar dhe mjekët kërkuan transport drejt Italisë për Beqar Canin, pasi ai ishte në gjendje kritike për jetën. Hetimet e policisë përcaktuan si shkak të ngjarjes, pakujdesinë gjatë transportimit të gazit nga mjeti autobot drejt cisternave të gazit.

15 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›