Zhduket nga shtëpia, gjendet pas 5 muajsh në veri të vendit
POGRADEC – Vetëm pesë muaj pas denoncimit nga familjarët për zhdukjen e 17-vjeçares nga Pogradeci është bërë e mundur gjetja e saj nga efektivat e policisë së Kukësit. Burimet zyrtare të komisariatit të Pogradecit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 10.00 është bërë ndalimi i shtetases Mirela Molla, lindur dhe banuese në fshatin Vërdovë. Ajo ishte përfshirë në listën e personave të kërkuar dhe vetëm pas disa informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë e mundur gjetja e saj në veri të vendit. Dyshohet se ajo është mashtruar nga disa persona, të cilët kanë tentuar që ta trafikojnë në Kosovë. Nga dëshmitë e dhëna, flitet që 17-vjeçarja Molla është larguar nga banesa me dëshirën e saj. Por më pas, ajo ka kërkuar ndihmë për tu kthyer në shtëpi.
Gjetja
Që nga qershori i këtij viti dhe deri dy ditë më parë familja Molla nga fshati Vërdovë i Pogradecit nuk ka pasur asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Ajo kishte bërë denoncimin në polici dhe kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e vajzës. Gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është bërë e mundur që të identifikohet vendi se ku ndodhej Mirela Molla. Në lidhje me këtë çështje janë informuar strukturat policore të të gjitha qarqeve të vendit. Tre ditë më parë, agjentët e policisë në qytetin e Kukësit kanë identifikuar vajzën e kërkuar. Më pas, ata kanë bërë ndalimin e saj në qytetin verior. Ajo është shoqëruar në komisariat, ku pas verifikimeve të para, ka rezultuar që ishte person në kërkim. Nga të dhënat policore, 17-vjeçarja nuk është dënuar apo hetuar më parë për ndonjë vepër penale, apo nuk është denoncuar si kontigjen i trafikut për qëllime seksuale.
Dyshimet
Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se vetëm mbrëmjen e së hënës vajza e zhdukur ka mbërritur në qytetin e Pogradecit. Mirela Molla është marrë në pyetje nga agjentët e policisë në lidhje me motivet e largimit. Dyshohet se ajo mund të ishte viktimë e një trafikimi të mundshëm për në Kosovë. Ajo ishte në kërkim për arsye të largimit nga banesa në drejtim të paditur. Më pas, 17-vjeçarja Molla, u është dorëzuar vëllezërve të saj pas kryerjes se veprimeve procedurale. Ende nuk ka të dhëna për nisjen e hetimeve për ndonjë tutor të mundshëm të saj që ta ketë trafikuar në Kosovë për qëllime të përfitimit përmes shfrytëzimit seksual. Gjithsesi, organi i akuzës po merret me çështjen në fjalë, ku po verifikohen të gjitha pistat dhe motivet e largimit të vajzës nga banesa.
Ndalohet shqiptari i Maqedonisë për lejen false
DURRËS - Paraqet një leje qëndrimi zvicerane të falsifikuar, vihet në pranga shqiptari nga Maqedonia. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit, thanë se në mëngjes e së martës, u bë prangosja e shtetasit Nexhat Sadikut, lindur në fshatin Brest të komunës së Cairit, dhe banues në Shkup të Maqedonisë. Sipas tyre, 20-vjeçari është i padënuar më parë, me kombësi shqiptare dhe shtetësi maqedonase. Policia tha se arrestimi në flagrance i këtij personi është bërë pasi rreth orës 23.00 të dy ditëve më parë është kapur në flagrancë nga punonjësit e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë, Port Durrës. Ai ka tentuar të kalojë kufirin duke paraqitur në kontrollin kufitar një leje qëndrimi zvicerane, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Nga ana e policisë, u sekuestruar dokumenti në cilësinë e provës. Pas kësaj, policia ka çuar dosjen në prokurori, nën akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”.
Arrestohen, grabiten kazinonë në mes të qytetit
TEPELENË – Dy të rinj kanë grabitur një lokal lojërash fati në Tepelenë, por janë vënë në pranga pas disa orësh, duke iu sekuestruar edhe një sasi parash që kishin vjedhur. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës, bëjnë të ditur se rreth orës 23.00 mbrëmjes së hënë, nga ana e specialistëve të Seksionit të Krimeve Kundër Pronës është bërë arrestimi në flagrancë i 18-vjeçarit Admir Veizi, dhe bashkëmoshatarit të tij Endri Xheza. Të dy të rinjtë në bashkëpunim me njëri tjetrin , dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin e lojërave të fatit në qendër të Tepelenës, pronë e Taulant Ç. “Pasi kanë thyer me gurë xhamin e vitrinës së kazinosë, të dy grabitësit janë futur në mjediset e brendshme të saj duke marrë në sirtarët dhe kasat e arkës ku mbaheshin të ardhurat monetare një shumë prej 10.500 lekësh dhe 370 Euro”, thuhet një njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Disa orë pas ngjarjes në bazë të provave materiale të mbledhura dhe informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e specialistëve të Krimeve Kundër Pronës në bashkëpunim edhe me Komisariatin e Policisë Tepelenë nga ana e policisë është bërë e mundur identifikimi dhe ndalimi i dy të rinjve të dyshuar si autorë të kësaj grabitje. Policia bllokoi në cilësinë e provës materiale 67.100 lekë dhe 60 eurove. Sipas zëdhënësit të policisë, materialet i kanë kaluar prokurorisë së rrethit për veprime te mëtejshme, pasi akuzohen për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim”.
15 Tetor 2008