Arrestohet i dyshuari si vrasës me pagesë
TIRANË- Policia e Tiranës çon në qeli një të dyshuar si vrasës me pagesë. I shpëtuar vetëm një muaj më parë nga një pengmarrje ku autorët do ta groposnin të gjallë, Elvis Gurra është arrestuar ditën e djeshme pasi akuzohet për tentativën e vrasjeve të dy personave. Ngjarja për të cilën akuzohet Gurra kandodhur më 17 maj të këtij viti. Ajo është klasifikuar nga policia si atentat mafioz kishte për “shënjestër” 36-vjeçarin Roland Domi dhe 37-vjeçarin Çlirim Gorozhjani. Dy shokët sapo kishin dalë nga një lokal në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, kur disa plumba pistolete janë derdhur në drejtim të automjetit të tyre. Dy personat mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spitalin Ushtarak ku pas mjekimeve të marra arritën t’i shpëtonin vdekjes. Forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë këqyrjen e provave të ngjarjes si dhe morën në pyetje dëshmitarët. Por me gjithë hetimet policia nuk mundi të zbardhte autorët e ngjarjes si dhe cili prej dy të plagosurve ishte epiqendra për plumbat. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë, zyra e vrasjeve pranë policisë së Tiranës mundi të identifikonte ndërsa dje të arrestonte autorin e dyshuar të këtij atentati i cili është Elvis Gurra. Ky i fundit u mor peng një muaj më parë nga disa persona. Rreth katër vetë të prezantuar si punonjës policie arritën ta merrnin nga shtëpia e tij në Kombinat Gurrën duke e çuar në një vend të fshehtë ku kishin hapur një gropë. Ata kanë lënë Gurrën të thoshte dhe dëshirën e fundit e më pas do ta mbulonin të gjallë me dhe, por ka qenë një material që ka detyruar autorët të largohen deri te automjeti pak metra më larg për ta marrë dhe si roje kanë lënë njërin nga shokët e tyre. Këtë rast ka shfrytëzuar Gurra për tu larguar me shpejtësi duke i shpëtuar edhe automatikut të rojës i cili kishte ngecur duke mos u shkrehur. Policia e cila u sinjalizua për ngjarjen nisi hetimet për të kapur autorët si dhe për të zbuluar shkakun e dyshimtë të pengmarrjes. Ndërsa ditën e djeshme Gurra ka përfunduar edhe vetë në qeli nën akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.