Patentat e kolaudimet, arrestohen 11 zyrtarë
TIRANË- Abuzimet në detyrë dhe korrupsioni kanë shpënë pas hekurave të qelisë paraditen e djeshme 11 zyrtarë të patentave dhe kolaudimit të makinave në kryeqytet. Dy operacione të ndryshme janë mbyllur me sukses brenda një dite nga ana e policisë. Frika e dekonspirimit ka detyruar dy grupet hetuese të organizojnë operacionet paralelisht me njëra-tjetrën, për të çuar në qeli zyrtarët të cilët vepronin të ndarë. Burime nga policia thanë për “Shekullin” se të arrestuarit kundrejt shumave të parave, iu siguronin personave të ndryshëm patenta, si dhe kolaudime false për automjetet. Antikrimi ekonomik i Policisë së Tiranës prej katër muaj kishte nisur hetimet për të zbardhur skemën e dhënies së patentave false, ndërsa Drejtoria Kundër Krimit Financiar pranë policisë së Shtetit hetonte kolaudimet false që shpërndaheshin kundrejt parave nga zyrtarët e këtij institucioni. Ylli Hasani, Vladimir Dervishi, Pëllumb Manilla, S.M, B.B, F.K, Daniel Cami, Ardian Rrushiti, Lima Doka, E. Sh, dhe Sh.M, janë 11 personat e arrestuar të cilët akuzohet për dhënie patentash e kolaudimesh false kundrejt ryshfeteve.
Patentat false
Pëllumb Mancila, oficer i patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr.4, në Tiranë ishte një nga sekserët të cilët bënin të mundur gjetjen e personave të interesuar për marrje të lejes së drejtimit të automjeteve. Pa kryer shumë guide dhe pa mësuar teorinë, personat pajiseshin me patentë vetëm nëse paguanin dyfishin e shumës ligjore për regjistrimin në marrjen e patentës. Një favor tjetër që kishin ata ishte edhe fakti që kalonin provimin e marrjes së patentës pa asnjë problem. Sekserët i dërgonin të interesuarit tek autoshkolla “MAJESTIK” me pronarë Vladimir Dervishi dhe 50-vjeçaren E.Sh, të cilët u siguronin atyre edhe dokumentet false. Më pas lidhja shkonte edhe më tej deri të komisionerët për dhënien e lejeve të drejtimit të automjeteve njëri prej të cilëve ishte dhe i arrestuari Ylli Hasani. Të lidhur me njëri-tjetrin që nga sekseri e deri te komisioneri pranë drejtorisë rajonale të transportit rrugor, ata mundin të siguronin shuma parash nga persona të ndryshëm të cilët duket se nuk ishin të “zotë” apo nuk lodheshin fare për të marrë në dorë patentat.
Kolaudimet false
Në zyrën e seksionit të luftës kundër krimit ekonomik-financiar pranë Policisë së Shtetit kishin mbërritur informacione se shumë drejtues mjetesh siguronin dokumentet e kolaudimit megjithëse automjetet e tyrenuk plotësonin kushtet teknike për të udhëtuar. E gjitha kjo realizohej nëpërmjet dhënies së dokumenteve të kolaudimit false nga zyrtarët të cilët i lëshonin pullat kundrejt ryshfeteve. Menjëherë policia nisi hetimet për të identifikuar dhe kapur zyrtarët të cilët ishin të implikuar në lëshimin e dokumenteve false të kolaudimit. Daniel Cami, 39-vjeç, me detyrë pranues dokumentesh në Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë është një nga të arrestuarit i cili kundrejt shumave të parave lëshonte pulla për drejtuesit e mjeteve të cilët ishin të sigurt se në rrugë ligjore nuk mund ta merrnin këtë dokument për arsye se makina e tyre nuk plotësonte kushtet teknike. Policia bëri të ditur se e njëjta skemë është përdorur edhe për lëshimin e këtyre pullave ku sekseri gjente klientët, më pas anëtari tjetër falsifikonte dokumentet të cilat më pas lëshoheshin nga pranuesi i dokumenteve në qendrën e kolaudimit të automjeteve.
Të arrestuarit
1. Ylli Hasani, 41-vjeç, me arsim të lartë, me profesion inxhinier, me detyrë komisioner për dhënien e lejeve të drejtimit të automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor.
2. Vladimir Dervishi, 58-vjeç, me arsim të lartë, me profesion inxhinier, me detyrë Instruktor dhe bashkëpronar i autoshkollës “MAJESTIK”.
3. Pellumb Mancila, 46-vjeç, me detyrë punonjës oficer i patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë nr 4 Tiranë.
4. Shtetasja me iniciale S.M, 42-vjeçe me arsim të lartë me detyrë arshivist pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Tiranë,
5. Shtetasja me iniciale B.B, 27-vjeçe me arsim të lartë me detyrë Sekretare e Sektorit të Regjistrimit të Mjeteve në Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.
6. Shtetasja me iniciale F.K, 38-vjeçe, me arsim të mesëm, punonjëse e agjencisë të Sigurime Atlantik pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor, Tiranë
7. Daniel Cami, 38-vjeç, me detyrë pranues dokumentesh në Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.
8. Adrian Rushiti, 35-vjeç,iu siguronte dokumente të falsifikuara personave të mësipërm kundrejt ryshfeteve.
9. Lima Doka, 60-vjeç, me arsim të lartë me profesion mësues në shkollën 8- vjecare Lanabregas
10. Shtetasja me inicialet E.Sh, 50-vjeçe, bashkëpronare e autoshkollës “MAJESTIK”
11. Shtetasja me iniciale Sh. M, 38-vjeçe me detyrë operatore pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë.
Akuzat
Arrestimet me vendim të gjykatës
TIRANË- Të arrestuarit e djeshëm akuzohen për një sërë veprash penale dhe për një pjesë të tyre Gjykata e Tiranës kishte lëshuar mandat arrestin ndërsa të tjerë janë kapur në flagrancë. Burime nga policia thanë se pronarët e autoshkollës “MAJESTIK” akuzohen për veprat penale të korrupsionit pasiv në sektorin privat , korrupsioni aktiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Ndërsa zyrtarët e arrestuar akuzohen për veprat penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Burime nga policia thanë se të dyja çështjet janë ende nën hetim dhe ende nuk mund të thuhet një numër i saktë personash të cilët kanë dhënë para për të siguruar patentë apo dokument kolaudimi false. por pritet që gjatë hetimeve të zbardhet numri i saktë si dhe personat e tjerë të implikuar në këtë rrjet të lëshimit të dokumenteve kundrejt shumave të parave. Ndërkohë që deri në orët e vona të mbrëmjes të arrestuarit janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë të cilët nuk bëjnë të ditur dëshmitë e tyre. Të gjithë personat janë kapur në kohë të njëjtë por në vende të ndryshme të Tiranës.