E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, pezullohet lundrimi në Portin e Vlorës

Vlorë- Anomali në Portin e Vlorës për shkak të motit të keq. Sipas burimeve nga kapiteneria e portit bëhet e ditur se sot nuk ka mbërritur asnjë nga tragetet e linjës, që duhet të niseshin që në mbrëmje nga porti i Brindizit. “Forca e detit jashtë gjirit shkon deri në 9 ballë dhe kjo e ka bërë të pamundur lundrimin e trageteve me pasagjerë”- thonë të njëjtat burime, pasi kanë kontaktuar me portin e Brindizit.

Nga të dhënat paraprake në pritje janë më shumë se 300 pasagjerë, ndërkohë që shumë të tjera kanë qenë në radhë për të bërë rrugën drejt Italisë, me tragetet e linjës që duhet të niseshin në orarin e drekës.

Ndërkohë, një tjetër anije që ishte nisur në drejtim të Greqisë e ka ndërprerë rrugën në mes dhe është kthyer në gjirin e Vlorës, për t’u strehuar, së bashku me mjetet e tjera lundruese.

Specialistët e kapitenerisë thonë që brenda gjirit nuk ka probleme me anijet e ankoruara. “Brenda në gji deti është 5 ballë, dhe ka kthyer era nga verilindje në juglindje dhe jugperëndim”- thonë burimet nga sinoptika.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›