E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valsi i fundit

Personazh

Të dielën martohen! Genci dhe Eriselda Subashi, prej më se dy javësh marrin leksione mbi momentin më kulminant të ceremonisë martesore; vallëzimi i çiftit. Në Tiranë vijnë në modë sallat e dansit. Të rinj, por edhe të moshuar që kanë ngrënë me kohë muajin e mjaltit mësojnë të kërcejnë

Ata duan që e diela e tyre të mos jetë një celebrim dosido, por një ceremoni perfekte, ku të gjithë të ftuarit të ndihen mirë dhe ta mbajnë mend gjatë dasmës ku ata lidhën jetën së bashku. Genci dhe Eriselda kanë vlerësuar çdo detaj, madje edhe ato më pak të rëndësishëm në dukje, por që në të vërtetë i japin shije darkës së tyre të parë si bashkëshortë të ardhshëm. Në mes të morisë së shumë detajeve që kërkojnë vëmendje, çifti i ri Subashi, nuk ka harruar t’i kushtojë vend të posaçëm, në ceremoninë martesore, edhe momentit të vallëzimit. Prej dy javësh ata marrin leksione vallëzimi në një nga sallat e shumta të dansit në kryeqytet. Ajo që e ka tërhequr për “veshësh”, bashkëshortin është Eriselda, e cila, sikurse çdo nuse, kërkon që dasma të jetë në perfeksion në çdo çast të sajën. Koreografja Roberta e ndjek çiftin në çdo hap që ata hedhin. Çifti i ri ka dy javë që përgatitet për vallëzimin final. Nuk janë keq, por kanë akoma për të mësuar për të qenë në formën më të mirë. Koreografja u shkul veshët sa herë hedhin hapat gabim. Emocionet bëjnë të tyren, aq sa në një moment, Eriselda e humbet ekuilibrin dhe bie mbi partnerin. Janë gjëra normale për një çift kërcimtarësh amatorë. Pasqyrat gjigante në sallë i shtojnë më shumë ethet. Orët e ditës së madhe po afrojnë dhe bashkëshortët e ardhshëm e ndjejnë se momenti magjik po afrohet me shpejtësi. “Duam që dasma jonë të jetë një spektakël i vërtetë. Duam të jemi në qendër të vëmendjes dhe t’i japim shansin vetes që kjo të mbetet dita më e paharruar e jetës sonë, dhe për këtë ia vlen që lidhja jonë e dashurisë të kurorëzohet në një mënyrë të tillë”, - thotë çifti, ndërsa i ngatërron sërish hapat. Për të mësuar të kërcejnë, Genci dhe Eriselda, u duhet të ushtrohen çdo ditë nga një orë. Një orë kërcim në sallë dansi kushton goxha, por kur mendon valsin final, atëherë ia bën të gjitha hallall. Koreografe Roberta rrëfen se çifti Subashi nuk është ndër të vetmit që frekuenton sallat e dansit përpara se të kryejë vallëzimin final natën e dasmës. Tashmë, parapërgatitja martesore në sallë dansi është kthyer në modë për shumë çifte të rinj. Në kryeqytet, tanimë numërohen jo pak, por 20 salla vallëzimi, të gjindshme jo vetëm për çiftet në prag martese, por edhe për ata të cilët e kanë ngrënë me kohë muajin e mjaltit. “Në dasmat shqiptare, nuk i kushtohet vëmendje vetëm pamjes së jashtme të ceremonisë apo ushqimit që do konsumohet. Tashmë, çiftet po i kushtojnë një vëmendje të madhe edhe figurës që ata do të bëjnë në ditën e shënuar të jetës së tyre, sikurse është ceremonia martesore”. Në një sallë dansi mund të mësosh tango, vals, valle popullore, gjithçka. “Ideja për të mësuar vallëzimin në sallë dansi na ka lindur gjatë shikimit të një emisioni televiziv, ku përshkruhej se si disa “Vip”-a, kishin mësuar të kërcenin në dasmën e tyre, përpara se ajo të zhvillohej, në sallë dansi. I thashë të fejuarit pse mos të shkojmë edhe ne, dhe kështu u vendos”,- rrëfen Eriselda bisedën me Gencin.

Antistres! Kërcimi nuk ka moshë

Nuk është e thënë të jesh profesionist. Aspak! Nëse ke sadopak dëshirë, mund të jesh edhe t’i një kërcimtar i mirë, ose të paktën me ca leksione të mira do të reshtësh së shkeluri këmbën e partneres. Sallat e dansit, përpos faktit që të mësojnë të kërcesh, janë në një farë mënyre edhe antistres. Krahas trupit, i cili fillon e fiton elasticitetin e duhur, të apasionuarit mund të shkarkojnë në pistën e vallëzimit edhe energjitë negative të akumuluara gjatë ditës. Në Evropën Perëndimore dhe tani gjithmonë e më shpesh në pjesën tjetër në zhvillim, sallat e dansit po kthehen në modë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të moshuarit. Kërcimi është i këshillueshëm edhe nga psikologët, të cilët e shikojnë si formën më të gjetur për të shmangur monotoninë, e cila vret më shumë në moshën e tretë. Tango, Slow Fox, Quick step, Cha-Cha-Cha, janë vetëm disa nga vallëzimet që mund të mësosh në sallat e dansit. Midis grupmoshave dhe kategorive të ndryshme të shoqërisë, nuk mungojnë edhe të huajt.

Mund të mësosh të kërcesh nga ora 8 e mëngjesit deri vonë në mbrëmje. Kursi, zakonisht, ndiqet dy herë në javë, nga një orë e gjysmë dhe për këtë shërbim kostoja është 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Disa koreografë e cilësojnë pasion, disa të tjerë biznes të mirëfilltë nga ku mund të fitohet mirë. Ka nga ata që kanë punuar prej vitesh dhe e kanë pasion t’u mësojnë të tjerëve të kërcejnë, të dalin në skenë. Të njëjtin mendim ndan edhe koreografja e çiftit të ri Subashi, Roberta Mone. Ajo e cilëson iniciativën e hapjes së shkollës, thjesht çështje pasioni, që nuk ka asnjë lidhje me biznesin. “Qëllimi i hapjes së sallës së vallëzimit është përhapja e një kulture evropiane. Duke lidhur trupin dhe shpirtin nëpërmjet kërcimit, arrijmë të zbulojmë talente të reja dhe, pse jo, të gjitha fitimet që mund të arrijmë me organizimin e koncerteve, t’i japim ato në ndihmë të fëmijëve në nevojë, të cilët nuk kanë mundësi të jenë si gjithë të tjerët”, - shprehet Mone.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›